Sot më 23 prill kalendari i Kishës katolike përkujton shën Gjergjin, martir nga Lida.
Është një nga shenjtorët më të njohur, simbol i triumfit mbi të keqen dhe kasnec i
pranverës. Shën Gjergji lindi në Kapadokie, ku edhe u bë oficer i ushtrisë romake.
I kthyer në fenë e krishterë nga e ëma, hoqi dorë nga ky rang. Gjatë shpërthimit të
martirizimit kundër të krishterëve, u burgos dhe u martirizua. I përballoi me një
heroizëm të pashoq të gjitha torturat e edhe vdekjen, në emër të Krishtit. Kulti
i tij, shumë i lashtë, nisi të përhapej së pari në Palestinë. Figura e Shën Gjergjit
u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor
simbolizonte fitoren e krishterimit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në
ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet dhe mund draguan. Devocioni
ndaj Shenjtit u rrit e u përhap gjithnjë më tepër në rrjedhë shekujsh. Në mesjetë,
kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas tyre u zgjodh edhe Pajtor i mbretërve të Anglisë,
duke nisur nga Rikard Zemërluani. Mbetet dhe sot e kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore
angleze e trojeve të saj. Shën Gjergji është shenjt tepër i njohur edhe në Shqipëri.
Devocioni i tij ka përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes
së pranverës, siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes
së natyrës, në dyert e jashtme e të brendshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse
të festës së Shenjtit i përshkruan shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e
njohur “Ditë Shëngjergjash”. Në Shqipëri ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’,
që dëshmon për ekzistencën e Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri
e në Jug: mjafton të kujtojmë Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ku i fundit
i njohur edhe në botë për bukuritë e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit
në Nënshat të dioqezës së Sapës, që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta
në kohë të reja. Së fundi theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër
shqiptarë në trajtat Gjergj, Gjergjush, Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat e Gjorgjina
për gratë. E mjafton të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare,
mbajnë emrin e Shenjtit: Gjergj Kastrioti e Gjergj Fishta.