2012-04-21 13:12:29

Shenjtorët e javës


Sot e diel 22 prill, Kisha kremton të dielën e 3-të kohës së Pashkëve, e po më 22 prill, kalendari kishtar përkujton edhe shën Sotirin papë, shën Kajon papë shën Agapiton, papë e shën Leonidën. Liturgjia e ditës na kujton dhurata e fesë në Krishtin e Gjallë, na sjell fryt dhuratën e Shpirtit Shenjt që na bënë të njohim Atin Qiellor, i cili na bënë dëshmitarë të tij e na bindë të kthehemi në udhën e jetës.

Të hënën, më 23 prill do të përkujtohet festa e shën Gjergjit martir; e shën Adalbertit, ipeshkëv i Pragës e martir dhe e shën Maria Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur.

Të martën më 24 prill do të përkujtohen shën Fedeli i Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe shën Maria Heselblad, themeluese e brigjidineve. Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Mosiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar.

Të mërkurën 25 prill Kisha do të përkujtojë shën Markun ungjilltar, i cili me jetën e me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Të enjten më 26 prill, bie festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, rrenimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan të Italisë, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.

Të premten më 27 prill, kalendari kishtar përkujton shën Simeonin, ipeshkëv i Jeruzalemit e martir. Liturgjia e kësaj dite e nxit besimtarin t’i bëjë vetes një pyetje që përshkon shekujt: “Si është e mundur që Jezusi të na ftojë të hamë korpin e Tij?”- e njëkohësiht të marrë përgjigjen: “Buka e tij nuk është si ajo hëngrën etërit e vdiqën. Korpi dhe gjaku i Tij janë bukë e vërtetë e pije e vërtetë!

Të shtunën që vjen më 28 prill, sipas kalendari kishtar do të përkujtohen shën Pjetri Shanel, meshtar e martir i Oqeanisë dhe shën Luigji Grinjon de Montfort, meshtar, themelues i Shoqërisë së Marisë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se, për fat të keq, shumë nga nxënësit, nuk i pranuan fjalët e Jezusit e u larguan nga Ai. Juda e tradhtoi. Ndërsa feja e Kishës u shpreh në besojmën e Pjetrit Apostull, që na kujton se e vetmja rrugë e drejtë është ajo që na çon te Krishti, sepse vetëm Ai i “ka fjalët e jetës së pasosur!”.

Të dielën e ardhsme më 29 prill, Kisha do të kremtojë të dielën e 4-të të Pashkëve, e gjithnjë më 29 prill nga kalendari kishtar përkujtohet edhe shën Katerina e Sienës, virgjër, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Italisë dhe bashkëpajtore e Evropës, e cila me jetën e saj tregoi se vetëm dashuria e pasionuar për Krishtin e Kryqëzuar i sjell dritën e Zotit të ngjallur Kishës e shoqërisë civile. Liturgjia e ditës na kujton se gjithë jeta e Krishtit dëshmon se në zemrën e Zotit ka gjithnjë vend për çdo njeri, këndej edhe për ne. Gjithçka bëri Jezusi, e sidomos vdekja e ngjallja e Tij, janë vepër e Atit. E edhe gjithçka na ndodh në jetë, në se besojmë në Krishtin, na çon te Ati, që është gati t’i shpëtojë gjithë njerëzit e mbarë popujt.







All the contents on this site are copyrighted ©.