2012-04-21 13:11:53

Koncert i orkestrës së Lajpcigut për 85-vjetorin e Papës: arti si lavdërim i Zotit


Një him i madh lavdërimi, që e frymëzoi Papën ta falënderonte nga zemra Zotin për vitet e papnisë: ky ishte, për Benediktin XVI, ekzekutimi i Simfonisë n. 2 në Si bemol-maxhor op. 52 “Lobgesang” për solistë, kor e orkestër, vepër e Feliks Mendelssohn, që u luajt të premten e kaluar në Sallën e Palit VI, përplot me dashuronjës të muzikës, e dashamirë të Papës.RealAudioMP3

Programi i zgjedhur nga Drejtori i orkestrës, mjeshtri italian, Riccardo Chailly(Shei), për të kremtuar 85-vjetorin e Papës, pati si protagonistë orkestrën dhe korin e Gewandhaus të Lajpcigut, një nga formacionet më të lashta të botës. I pranishëm në koncert, përkrah Papës, i vëllai, imzot Georg Ratcinger si dhe autoritetet e Saksonisë e të qytetit të Lajpcigut.
“Do të desha t’i vë të gjitha artet, posaçërisht muzikën, në shërbim të Atij, që i krijoi e na i dhuroi”. Kjo ishte motua simbolike, që Mendelssohn-i shkroi mbi partiturën e Simfonisë së dytë “Lobgesang”, Këngë e lavdërimit, vepër e moshës së pjekur, të cilën ai e drejtoi për herë të parë më 1840, në Lajpcig, me rastin e 400-vjetorit të shpikjes së shtypshkronjës. Në përfundim të koncertit Papa, duke përshëndetur në gjermanisht e italisht, përmblodhi me pak fjalë historinë e kësaj vepre, për të nënvizuar natyrën e gjithë krijimtarisë së kompozitorit të madh gjerman:
Arti, si lavdërim drejtuar Zotit, Bukurisë më të lartë, është në bazë të kompozimeve të Mendelssohn e kjo, jo vetëm për muzikën liturgjike ose kishtare, por për mbarë krijimtarinë e tij. Julius Schubring na kujton se për të, muzika kishtare, si e tillë, nuk ishte një shkallë më lart se tjetra; secila në mënyrën e vet, duhet t’i shërbente Zotit”.
Në vijim Papa kujtoi se Mendelssohn ishte njeri i lidhur ngushtë me Zotin: si jeta, ashtu edhe arti i tij, u ushqyen nga një fe e gjallë, plot besim e bindje në Autorin e të gjitha bukurive:
“Bota etiko-fetare e autorit tonë nuk shkëputej nga konceptimi i artit, madje shkrihej me të: “«Kunst und Leben sind nicht zweierlei»: arti e jeta nuk janë dy gjëra të ndryshme, por një e gjë e vetme, shkruante. Unjësi jete, që e gjente elementin unifikues në atë fe, e cila përshkoi gjithë jetën e Mendelssohn-it dhe e mësoi të zgjidhte rrugën e drejtë”.
Mendelssohn nuk harroi kurrë të lutej e ta falënderonte Zotin për gjithë të mirat që pati prej Tij. Prej këndej, në Simfoni ndjehet fort mesazhi fetar, që lartohet kah qielli në koralen përfundimtare, si himn shprese. Të nxit për reflektim, kjo këngë. E nxiti të reflektojë edhe Papën:
“Shkroi Schumann: ‘Na lini që, siç tingëllon teksti i muzikuar mrekullisht bukur nga Mjeshtri, t’i flakim tutje veprat e errësirës e të rrokim armët e dritës!”.
T’i rrokim, pra armët e dritës, në çdo çast të jetës sonë – për këtë na ftojnë tingujt rrëmbenjës të Simfonisë, që frymëzoi qindra shpirtëra njerëzish të pranishëm në Sallën e Palit VI, bashkudhëtarë të Papës muzikant e pianist, përkrah Tij edhe në këtë kremtim muzikor për t’i uruar: “Për shumë vjet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.