2012-04-21 13:11:04

Atë Federiko Lombardi për Octava Dies: “Viti i tetë”


Akoma në atmosferën e kremtimit të 85-vjetorit të ditëlindjes së Benediktit XVI dhe shtatëvjetorit të Papnisë, drejtori ynë, atë Federiko Lombardi, e titullon“Viti i tetë”, editorialin për Octava Dies, e Përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit. Sepse tashmë flitet edhe për vitin e tetë, me urimin, që Papën Benedikti XVI ta kemi sa më gjatë mes nesh. Të dëgjojmë urimet e atë Lombardit, që janë edhe të mbarë katolikëve të botës:RealAudioMP3
“Sapo përfunduan festimet e bukura për 85-vjetorin e Papës Benedikti dhe për shtatë vjetorin e Papnisë së tij. Natyrisht bavarezët do t’i vijojnë festimet. Është e drejtë, pasi nuk mund të vinin të gjithë në Romë për këto ditë. Por tashmë filloi viti i tetë e na duket se e kemi për detyrë ta urojmë Papën në këtë perspektivë.
I urojmë ta çojë në port dialogun me Vëllazërinë e Shën Piut X, siç dëshiron edhe ai vetë, në mënyrë që të kapërcehet çarja e dhimbshme, pa u hapur çarje të reja. Urojmë të japë një mesazh dashurie e shprese për familjet e botës, me rastin e shtegtimit në Milano. I urojmë që thirrjet e ftesat për bashkim në Kishë, drejtuar grupeve, që nuk janë të njëmendjeje, të dëgjohen me respekt e vëmendje e të kuptohet rëndësia e tyre. I urojmë që udha e risimit të Kishës në Irlandë, pas vizitës apostolike, të vijojë e të forcohet edhe falë Kongresit Eukaristik të Dublinit. Që shërimi i plagëve, pastrimi e parandalimi, pas krizës së shpërdorimeve seksuale, të thellohet në mbarë Kishën, me impenjimin e konferencave të ndryshme ipeshkvnore, për t’u bërë kështu, shërbim për mbarë shoqërinë, në mbrojtjen e të miturve. Që shtegtimi në Liban t’i krijojë mundësinë e përçimit të mesazhit të paqes për konfliktet dramatike në zonë dhe të inkurajimit, për bashkësitë e vuajtura kishtare. Që përvjetori i Koncilit II të Vatikanit të jetë rast për mirëkuptimin e plotë e paqësor të mesazhit të tij epokal, “busull për Kishën e kohës sonë”. Që Sinodi për ungjillëzimin e ri ta pasurojë Kishën me frymë krijuese e zell të ri misionar. Që viti i Fesë të mos jetë vetëm një vazhdimësi nismash të lavdërueshme e kremtimesh të bukura, por përvojë e përtëritjes të lidhjes së fuqishme të besimtarëve me Zotin e me Birin e Tij, Jezu Krishtin, në rrethanat e zbehjes gjithnjë më të përhapur të përmasës fetare të jetës e të udhës njerëzore në histori. I urojmë edhe të na dhurojë pjesën e fundit të veprës së tij kushtuar Jezusit.
Së fundi, brazilianët tanimë janë të gjithë në këmbë, për t’i përgatitur sa më mirë kremtimet e Ditës Botëore të Rinisë të Rio-de-Zhanéjros. Të gjithë urojmë që Papa Benedikti të jetë mes nesh. Por kjo ka të bëjë me vitin e nëntë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.