2012-04-20 18:29:38

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të kohës së Pashkëve “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, e kësaj radhe do të degjojmë e demitojmë leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të të kohës së Pashkëve.
Jezusi personalisht zuri vend në mesin e tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”. Dishepujt janë duke i dëgjuar faktet e ngjarjes së Emausit, kur Jezusi i Gjallë u duket atyre përsëri, mirëpo ata nuk e njohin akoma (Ungjilli). I Ngjalluri nuk e imponon praninë e vet; propozon misterin e vet, në mënyrë që feja e dashuria ta pranojnë. Ngjallja e Krishti është një ngjarje kaq e re, të cilën vetëm kush është i gatshëm ta kthej e ndryshoj jetën personale mund ta përjetojë. E janë pikërisht këta dishepujt kaq të ngadaltë në besim ata që zgjidhen për të qenë dëshmitarë të Pashkës. Jeta e re në të cilën Jezusi depërton përmes vdekjes së vet, bëhet jetë e re.
Pjetri në Vepra ( Leximi I) shpall se Hyji e ka ngjallur prej së vdekuri atë të cilin njerëzit e patën vra. Zoti nuk ndalet para mëkatit: duke ngjall Jezusin, refuzimin tonë e shndërron në një vend në të cilin e shfaq përdëllimin e tij të madh Hyjnor. Gjoni kujton se ( Leximi II) ta ‘njohësh’ Jezusin do të thotë të ‘njohësh’ në Të viktimën e shfajësimit të mëkateve tona njerëzore. Përmes Pashkës së vet, ai na dhuron mundësinë për ta ruajtur me besnikëri Fjalën e tij dhe për të lejuar që dashuria e Atit Qiellor të rritet e pjekët deri në fund në mënyrë të përkryer.
Kështu, nëse, të dielën e kaluar, tema qendrore ishte feja si takim me të Krishtin e Gjallë, që e përmbush jetën njerëzore me të vërtetën, takim nga i cili buron dëshmia e misioni, këtë të diele të tretë të Pashkëve, leximet biblike flasin për fytet e Ngjalljes së Jezu Krishtit, e nënvizojnë faktin se si kthimi në rrugën e Zotit dhe tek Zoti, është sjellje e përcaktim që i kërkohet njeriut për t’ia mbërrijë të vërtetës së jetës së vet, të vërtetës që është Krishti Zot. Pra, tema qendrore që trajtojnë leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele të tretë, janë gjithnjë frytet e Ngjalljes së Jezu Krishtit: “paqja me ju” ; “pse po trembeni?..unë jam!Vetë! Më prekni e vërtetojeni!”; “predikojeni Lajmin e Mirë të popujve dhe faljen e mëkateve”…thotë Jezusi në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele.
Pjetri ( leximi i parë) e merr fjalën për shpallur se si Hyji e ka lavdëruar të Birin e vet, Jezusin duke e ngjallur prej së vdekuri. Shërimi i të paralizuarit, i pohon fjalët e tij ndërsa ai atyre që e dëgjonin, u bënë thirrje të kthehen e të besojnë në Zotin e kryqëzuar e të Ngjallur
Zoti, i Ngjallur prej së vdekuri, është dritë që ndriçon çdo errësirë ( psalmi), çdo hije të njerëzimit e të çdo besimtari. Me psalmisti, t’i kërkojmë Hyjit që ekzistenca jonë të jetë e shndritur nga agimi i Ngjalljes së Krishtit.
Dëftimet e vazhdueshme si dëshmi dhe pohim i pranisë të të Ngjallurit në mesin e të vetëve, janë argument që na paraqet pjesa e ungjillit të kësaj së diele. Apostujve, të shndërruar në dëshmitarë të Tij, Jezusi ua beson detyrën e kumtimit të ngjalljes së tij të gjithëve popujve.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 3, 13-15.17-19

Pjetri pasi ka shëruar të paralizuarin që kërkonte lëmoshë në hyrjen e tempullit shpall ringjalljen e Krishtit. Kjo mrekulli është prova që Jezusi nuk ka vdekur përfundimisht, por vazhdon veprën e tij në një mënyrë të re mes njerëzve. Ai është ringjallur, dhe apostujt janë dëshmitarët. Është akoma e mundur të njohim të Gjallin dhe ta ndjekim.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pjetri i tha popullit: “Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori kurse jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Psalmi 4
Le të shndrisë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate

Kur të thërras në ndihmë,
më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!
Ti që më shpëtove në vështirësi:
ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.
Flijoni fli drejtësie, e shpresoni në Zotin!

Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?”
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
Posa bie në shtrojë, gjumi menjëherë më merr në qetësi,
sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

Leximi i dytë 1 Gjn 2, 1-5
Të duash një person do të thotë të pranosh në vetvete dobësinë e tij: Jezusi është vendosur nga ana e të akuzuarve. Të duash do të thotë të shndërrosh jetën tënde në funksion të nevojave të të tjerëve. Dashuria që unë provoj për Jezusin do të jetë e vërtetë vetëm nëse zbatoj urdhërimet e tij. Vetëm kështu do të mund të shfaq besnikërinë time konkrete.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, po ju shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati: Jezu Krishtin, të Drejtin. Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tija. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetësisht dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Aleluja Aleluja
O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt, dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.
Aleluja. Aleluja

Ungjilli Lk 24, 35-48
Nga dita e ringjalljes çdo meshë është një Pashkë. Të krishterët mblidhen në meshë për të kujtuar vdekjen e Jezusit; dhe Ai vjen në mes tyre i ringjallur dhe lejon që ata të prekin trupin e tij. Bashkimi me Krishtin dhe familjariteti mes tyre i mbush me siguri, gëzim dhe forcë. Fjala e Hyjit që dëgjojnë së bashku i jep kuptim jetës së tyre dhe historisë së botës. Liturgjia e tyre përfundon me misionin: pas meshës dërgohen në botë për të dëshmuar Krishtin e ringjallur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, pasi që u kthyen nga Emausi, dy nxënësit u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë. Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.
Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme’.” Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet dhe u tha: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.”
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 3-të të Pashkëve, mund të dëgjoni këtu...............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.