2012-04-20 15:41:30

Fjala e Zotit nuk është depozitim i vdekur, por fuqi jete: kështu Papa Komisionit Papnor Biblik.


Fjala e Zotit nuk mbetet e mbyllur në shkrim, nuk është lënie në dopozitim por është fuqi jete, e kuptimi i saj vijon të rritet me ndikimin e Shpirtit Shenjt: këtë pohoi sot Papa në një mesazh, drejtuar kardinalit William Levada, kryetar i Komisionit Papnor Biblik, me rastin e mbledhjes plenare vjetore të organizmit, mbajtur në Vatikan, me temë: “Frymëzimi dhe e vërteta e Biblës”.
Papa tregon elementet e domosdoshme për shpjegimin korrekt të mesazhit biblik. Frymëzimi, si veprim i Zotit, shkruan, bën që në fjalët njerëzore, të shprehet Fjala e Zotit. Si pasojë, tema e frymëzimit është me rëndësi të dorës së parë për kuptimin e Shkrimit Shenjt. Interpretimi i teksteve shenjte, që e errëson ose e harron këtë frymëzim, nuk ka parasysh karakteristikën më të rëndësishme e më të çmuar të tyre, faktin se ato vijnë nga vetë Zoti, janë Fjala e Zotit, e vënë në gojën e njeriut.
Tema e frymëzimit, pastaj, lidhet edhe me temën e së vërtetës së Shkrimeve Shenjte. Prandaj thellimi në kuptimin e frymëzimit, do të ndikojë, pa dyshim, edhe në kuptimin më të thellë të të vërtetave, që përmbajnë librat e shenjtë.
Papa nënvizon se për virtyt të karizmës së frymëzimit, librat e Shkrimit Shenjt kanë forcën e një thirrjeje të drejtpërdrejt, konkrete. Por Fjala e Zotit nuk rri e kufizuar në të shkruar. Në se akti i Zbulesës përfundon me Apostullin e fundit, Fjala e zbuluar vijoi të kumtohet e të shpjegohet në Traditën e gjallë të Kishës. Për këtë arsye, shpjegon Benedikti XVI, Fjala e Zotit, e fiksuar në tekstet shenjte, nuk është depozitë e vdekur brenda Kishës, por bëhet rregulli më i lartë i fesë së saj, bëhet fuqi jete. Tradita, që e merr forcën e vet nga Apostujt, përparon me ndihmën e Shpirtit Shenjt e shtohet me reflektimin dhe studimin e besimtarëve, me përvojën personale të jetës shpirtërore e me predikimin e ipeshkvijve.
Benedikti XVI pohon, më pas, se është themelore për jetën dhe misionin e Kishës, që tekstet e shenjta të interpretohen sipas natyrës së tyre. Prandaj, përfundon mesazhi papnor drejtuar Komisionit Biblik, impenjimi juaj do të ketë një vlerë të vërtetë për jetën dhe misionin e Kishës, si dhe për promovimin e njohjes, të studimit e të mirëpritjes së Fjalës së Zotit në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.