Miqësia me Krishtin, shenjë dalluese e papnisë së Benediktit XVI
Benedikti XVI shënon sot 7 vjetorin e papnisë, ngjarje që gëzon mbarë Kishën katolike.
Të shumta mesazhet dhe urimet nga e gjithë bota, për njeriun e dashuruar me Zotin
e me Kishën, bariun shpirtëror në shërbim të së Vërtetës e të paqes ndërnjerëzore.
Që nga fëmijëria, miqësia me Jezu Krishtin karakterizon jetën e Jozef Racinger. Vetë
Papa Benedikti XVI e kujtoi këtë fakt me mirënjohje, me rastin e ditëlindjes së 80-të
më 15 prill 2007: “Miqësia e Jezu Krishtit është miqësia e Atij, i cili na bën
njerëz që falim, e Atij që na fal, na largon vazhdimisht nga dobësia jonë e kështu,
na edukon, na ndikon vetëdijen e detyrës së brendshme të dashurisë, e detyrës për
t’iu përgjigjur besimit të tij në besnikërinë tonë” (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi
i Shën Pjetrit)”. Jozefi i vogël lindi më 16 prill 1927, e Shtuna e Madhe. Papa
i ardhshëm pagëzohet në të njëjtën ditë e kështu, nënvizon ai vetë, lindja qe “shenja
e fillimit të Pashkëve”. Në të njëjtën ditë u bë anëtar i familjes së vet dhe i familjes
së madhe të Zotit: “Falenderoj Hyjin, sepse kam mundur të provoj se ç’do të thotë
“familje”; kam mundur të provoj se ç’do të thotë atësi, kështu që emri i Zotit si
Atë m’u bë i kuptueshëm nga brenda; mbi bazën e përvojës njerëzore m’u hap rruga drejt
Atit të madh e të mirë, që është në qiell. (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën
Pjetrit)”. Gjithnjë me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Benedikti XVI kujtoi se
si ai u thirr nga Zoti për t’u bërë meshtar. Një dhuratë e re dhe shumë kërkuese,
siç thotë Papa: “Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, në vitin 1951,
kur ne – mëse dyzet shokë – ndodheshim në katedralen e Frizingës të shtrirë mbi dysheme
e kur mbi ne kërkohej ndërhyrja e të gjithë shenjtorëve, vetëdija se isha krejt i
mangët para kësaj detyre më rëndonte. Po, më ngushëllonte fakti se mbrojtja e shenjtorëve
të Zotit, e të gjallëve dhe e të vdekurve, kërkohej për ne. E dija se nuk do të mbetesha
vetëm”. E për thirrjen e tij meshtarake, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger foli gjerësisht
në takimin me të rinjtë e dioqezës së Romës, më 6 prill 2006. Benedikti XVI kujtoi
situatën e vështirë në të cilën u rrit në Gjermaninë naziste, që dëshironte t’i hiqte
qafe meshtarët. Por, kujton Papa, pikërisht për të kundërshtuar brutalitetin e regjimit,
kishte nevojë për meshtarë, për zëra të fortë që të shpallnin Ungjillin: “Në këtë
situatë, thirrja për meshtar u rrit gati natyrshëm sëbashku me mua e pa ngjarje të
mëdha kthimi në rrugën e Zotit. Gjithashtu, dy gjëra më kanë ndihmuar në këtë rrugë:
që fëmijë, i ndihmuar nga prindërit e famullitari, zbulova bukurinë e Liturgjisë dhe
e kam dashur gjithnjë e më shumë, sepse ndjeja se në të duket bukuria hyjnore e hapet
zemra para qiellit”. Dashuri për liturgjinë, pra, por edhe për teologjinë, “aventurën
e madhe të dialogut me Zotin”. Megjithatë, u thotë Papa të rinjve, gjatë viteve të
para të meshtarisë nuk mungojnë vështirësitë, por ato kapërcehen duke ia besuar veten
krejtësisht Krishtit: “Duke qenë njeri me formim teorik e jo praktik, e dija se
nuk mjafton ta duash Teologjinë për të qenë meshtar i mirë, por është e nevojshme
edhe të jesh gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar të rinjtë, meshtarët, të sëmurët,
të varfërit; është e nevojshme të jesh i thjeshtë me të thjeshtët. Teologjia është
e bukur, por edhe thjeshtësia e fjalës dhe e jetës së krishterë është e nevojshme.
E kështu, pyesja veten: a do të jem në gjendje ta jetoj gjithë këtë e të mos jem i
njëanshëm, vetëm teolog apo tjetër? Zoti më ndihmoi e sidomos, më ka ndihmuar shoqëria
e miqve, e meshtarëve dhe e mësuesve të mirë”. E sot, në 7-vjetorin e kësaj papnie
të begatë, urimi i shprehur nga zërat tonë shqiptarë, duan të jetë aromat e krishterimit
të lashtë të një vendi e populli të vogël, që e ka për zemër Benediktin XVI, sepse
edhe ai na ka për zemër! Ad multos annos. Gëzuar Atë i Shenjtë!