2012-04-19 12:24:30

Benedikti XVI
e Shën Benedikti


Në audiencën e parë të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit më 27. 04. 2005 Papa Benedikti XVI pati ripohuar impenjimin e tij si lajmëtar i paqes e i dialogut, duke u frymëzuar nga urtia e dy paraardhësve të mëdhenj me të njëjtin emër.
Një minister i jetuar në shërbim të paqes e të pajtimit: objektiva të cilat, në emrin e Benediktit - Pajtorit të Evropës që duhej ungjillëzuar – e të Papës të një Evrope në buzë të greminës së Luftës së Madhe, gjejnë një sintezë me rrënjët sa në kthesat e historisë, aq edhe në vlerat e krishterimit. Ati i Shenjtë u shpjegoi besimtarëve arsyen e zgjedhjes së emrit, që do të shoqëronte misionin e tij si zëvendës i Krishtit, ashtu edhe emocionet e forta, që nga dita kur Konklavi e zgjodhi Bari universal:
“Desha të quhesha Benedikti XVI për t’u lidhur përsëri shpirtërisht me të nderuarin Papën Benedikti XV, i cili e udhëhoqi Kishën në një periudhë të trazuar për shkak të konfliktit të parë botëror. Guximtar e profet i vërtetë i paqes, ai veproi me trimëri të jashtëzakonshme, së pari për të shmangur dramën e luftës e pastaj për t’i kufizuar pasojat e saj të kobshme. Dëshiroj të ec në gjurmët e tij, në shërbim të pajtimit e të harmonisë ndërmjet njerëzve e popujve, me bindje të thellë se e mira e madhe e paqes është sidomos dhuratë e Zotit, dhuratë e brishtë dhe e çmuar, që i duhet kërkuar Zotit e duhet mbrojtur e ndërtuar ditë për ditë me impenjimin e të gjithëve”.
Por gati njëmijë vjet më parë, një tjetër Benedikt ndikoi fuqimisht mbi fatet e Kontinentit të Vjetër: Benedikti nga Norçia, qytezë në Umbria të Italisë. Me urdhërin e tij murgar – kujtoi Papa, “Patriarku i monakizmit përendimor”, më pas bashkëpajtor i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj–vijoi Ati i Shenjtë- Shën Benedikti është tepër i nderuar në Gjermani e posaçërisht në Bavari, në tokën ku kam lindur:
“Përbën një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit të saj”.
Në njërën nga Rregullat e famshme të tij, Shën Benedikti i këshillon murgjërit sivëllezër “Të mos i kundërvënë asgjë Krishtit”, një imperativ, ky, që edhe Benedikti XVI e ka bërë të vetin:
“Në fillim të shërbimit tim si pasardhës i Shën Pjetrit, i lutem Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qendërsinë e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë tona”.
E Shën Benedikti nuk i përket vetëm Evropës, por mbarë botës. Shenjti i Norçies – shpjegoi Benedikti XVI – ashtu si Abrahami, u bë atë i të gjithë popujve, sepse hapi një shkollë jete e feje, duke u treguar të gjithëve ku gjinden forcat që mund ta rinojnë botën”. Këto forca gjinden në Ungjillin e Krishtit.
Papa e zgjodhi emrin Benedikt, sepse i do Evropën dhe Shën Benediktin, Pajtorin e Evropës. Ka mësuar nga Papa i mëparshëm se Evropa duhet të marrë frymë me të dy mushkëritë, e për këtë Papa Gjon Pali II zgjodhi si bashkëpajtorë të Evropës edhe Çirilin e Metodin. Evropa duhet ta njohë në tërësi përshpirtërinë e vet, duhet të bëjë një sintezë, gjë që nuk e ka bërë akoma. Të rizbulojë rrënjët e krishtera.
Prej shtatë vjetësh, Benedikti XVI, në timon të barkës së Kishës Katolike, e drejton me siguri, në një det plot dallgë, me sytë e ngulur gjithnjë tek Kryqi i Krishtit







All the contents on this site are copyrighted ©.