2012-04-18 15:42:02

Një Kishë që lutet. Në audiencën e përgjithshme Papa foli për “Rrëshajët e vogla” që na e rrëfen shën Luka në Veprat e Apostujve.


Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme tha se Kisha ia beson veten Zotit e nuk ka frikë nga persekutimet. “Faleminderit për urimet, lutuni për mua!”. Kështu në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e mase 20 mijë shtegtarëve e besimtarëve, Papa rifilloi reflektimet, kushtuar vlerës së lutjes. U nis nga një episod, i shkëputur nga Veprat e Apostujve, që njihet me emrin “Rrëshajët e vogla”.
Në përfundim, Benedikti XVI i falënderoi të gjithë ata, të cilët e uruan me rastin e shtatëvjetorit të papnisë, që përkujtohet nesër, dhe u kërkoi të luten për të, që ta vijojë me ngulm e durim misionin në shërbim të Krishtit e të Kishës.

“Kisha nuk duhet të jetë në mbrojtje. Nuk duhet të jetë e ndrojtur, por guximtare”. Kjo është dëshmia, që Kisha e të krishterëve të parë i lë trashëgim Kishës së shekujve që pasojnë, domethënë, Kishës të të gjithë shekujve. Me vetëdijen se guximi lind nga besimi i patundur në Zotin, i ushqyer nga lutja. Kështu anëtarët e Kishës së lashtë nisin ta shpallin Ungjillin pa frikë e pa zori, pa marrë parasysh asnjë pengesë e asnjë rrezik. E në sa përhapin Lajmin e Mirë, në gjirin e tyre ndodh mrekullia e harmonisë, që, shtoi Papa, është element themelor i Kishës. Ku nuk ka harmoni, nuk mund të bëhet fjalë për Kishë. Ndërsa ku ka harmoni….
“Bashkimi fuqizohet, në vend që të rrezikohet, sepse mbështetet mbi një lutje të patundur. Prej këndej, Kisha nuk duhet të ketë frikë nga persekutimet, që detyrohet t’i pësojë vazhdimisht në rrjedhën e historisë së saj, por, ashtu si Jezusi në Gjetseman, duhet të besojë gjithnjë në praninë, në ndihmën, në forcën e Zotit, të cilit i drejtohet në lutje”.
Episodi, që e frymëzoi sot reflektimin e Papës, është ai, që tregon Luka, në Veprat e Apostujve: arrestimi dhe gjykimi i Pjetrit e i Gjonit, sepse ishin zënë duke kumtuar Ngjalljen e Krishtit. Pasi u liruan dhe ua treguan ngjarjen vëllezërve në fe, reagimi këtyre të fundit, shpjegoi Papa, ishte shembullor:
Përballë rreziqeve, vështirësive, kërcënimeve, bashkësia e parë e krishterë nuk thellohet në analiza për mënyrën si duhet të sillet, nuk kërkon strategji, nuk pyet si mund të mbrohet, ç’masa duhet të marrë, por, përpara provës, gjunjëzohet në lutje, lidhet drejtpërdrejt me Zotin. E si është kjo lutje? Është e njëzëshme, e harmonishme, e dalë nga një bashkësi, që ka një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, përballë një situate persekutimi, për shkak të Jezusit”.
Kjo lutje e të krishterëve të parë të Jeruzalemit, e lindur në rrethana rreziku, vijoi Papa, është lutja më e thellë, më e fuqishme e Kishës në Besëlidhjen e Re. Lutje që bën të vetat fjalët e Psalmit 2: “Mbretërit e tokës po ngrihen kundër Zotit e Mesisë së tij/… T’i këputim vargonjtë e tyre/ ta flakim prej nesh zgjedhën!”. Kështu lutet bashkësia e parë, me vetëdijen se, gjithnjë sipas Psalmit: “Ai, që selinë e ka në qiell, qeshet…/ sepse e ka shuguruar mbretin e Tij,/ të cilin e fton të sundojë mbi popujt, me skeptër hekuri/ e t’i thyejë posi vegshat vorbëtari”(Ps.2, 4,9). Përpiqet, kështu, t’i lexojë ngjarjet historike nën dritën e fesë. Prej këndej:
Ajo, që ka ndodhur, lexohet nën dritën e Krishtit, i cili është kyçi për të kuptuar edhe persekutimin, që jeton bashkësia e parë e krishterë; e kjo masë njerëzish nuk është shoqatë, por bashkësi, që jeton në Krishtin. Prej këndej, gjithçka ndodh, bën pjesë në planin e Zotit”.
Ja pra, pse, shpjegoi Papa:
“Pikërisht për këtë arsye bashkësia e parë e krishterë e Jeruzalemit kur lutet, nuk i kërkon Zotit ta mbrojë, ta shpëtojë nga prova, nga vuajtja; nuk i kërkon të ketë sukses. I kërkon vetëm ta ndihmojë që ta shpallë me çiltërsi, liri e guxim, Fjalën e Zotit”.
Çiltërsia e guximi, theksoi Benedikti XVI, janë fryt i ndikimit të Shpirtit Shenjt, të cilit Papa iu lut për gjithë besimtarët, që, uroi, të dinë t’i shpjegojnë ngjarjet e jetës së tyre nën dritën e Fjalës së Zotit.
Pastaj, pas katekizmit në gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë falënderoi për të gjitha urimet, marrë me rastin e ditëlindjes së 85-të dhe të shtatëvjetorit të Papnisë, që do ta përkujtojë nesër:
“Ju kërkoj të më mbështesni gjithnjë me lutjet tuaja që, i ndihmuar nga Shpirti Shenjt, ta vijoj me ngulm shërbimin ndaj Krishtit e Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.