2012-04-18 15:42:39

Atë Lombardi: nuk ka asnjë vendim për udhëtim të Papës në Serbi


Për momentin nuk është në studim ndonjë udhëtim i Papës në Serbi, më 2013, për kremtimet e Patrinakës serbe. Kështu tha zëdhënësi i Selisë së Shenjtë atë Federiko Lombardi i pyetur gjatë një konference shtypi me rastin e paraqitjes së simpoziumit “Konstantini i madh, në rrënjët e Evropës”.
“Nuk kemi asgjë të re – tha Atë Lombardi – për sa i përket udhëtimit të Papës për vitin e ardhshëm, përveç pritjeve të brazilianëve për rastin e Ditës botërore të rinisë që do të mbahet në Rio-de-Zhaneiro. Është e vërtetë – shtoi ai – se në të kaluarën është folur rreth kremtimeve që patrikana e serbëve po organizon më 2013, është fol si një mundësi eventuale, mirëpo nuk kemi shtuar më tej se kaq, pra nuk ka asgjë konkrete”.

Po kujtojmë se dje më 17 prill, në Sallën Gjon Pali II pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, u mbajt një konferencë shtypi për paraqitjen e Simpoziumit ndërkombëtar të Studimit “Konstanini i Madh. Në rrënjët e Evropës”, organizuar nga Komitetit Papnor i Shkencave Historike me rastin e 1700 vjetorit të Betejës së Ponte Milvio dhe kthimit të Konstantinit në fenë e krishterë. Punimet e Simpoziumit u hapen dje pasdite në Sallën e Sinodit në Vatikan, vijojnë nesër më 19 prill pranë Kolegjit Teutonik në Vatikan, të premten më 20 prill do të mbahen pranë Universitetit Papnor të Lateranit, për të përfunduar të shtunën më 21 prill në Vatikan. Marrin pjesë personalitete akademike dhe studiues ndërkombëtar të historisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.