2012-04-17 11:04:07

Restaurimi i “Ngjalljes”, vepër e Fazzini-t: vihet theksi mbi forcën e pakundërshtueshme të Krishtit, që rinon Krijimin.


U paraqit të enjten e kaluar, në Vatikan, restaurimi i “Ngjalljes”, vepër arti monumentale në bronz e Pericle Fazzini-t, vendosur në Sallën e Palit VI.
E krijuar sipas dëshirës së Papës Montini, për t’i kumtuar edhe artistikisht botës, lajmin më të rëndësishëm të të gjitha kohëve, “Krishti u ngjall!”, restaurimi nxjerr në dritë ngjyrat origjinale dhe dritë-hijet sugjestionuese të veprës. Skulptura, me gjërësi 20 metra, gjatësi 7 e thellësi 4, përpiqet të paraqesë çastin e Ngjalljes së Krishtit, që shfaqet ndërmjet një thurjeje kaotike degësh të thara, rrënjësh e shkëmbinjsh, simbol i angushtisë së vdekjes. Të kujton menjëherë, atë që e theksoi edhe Papa në Pashkët e sivjetme: “Shpresa, në këtë botë, nuk mund të mos e llogarisë forcën e së keqes. Nuk e pengon vetëm muri i vdekjes. Edhe më shumë se vdekja e pengojnë majat e mprehta të zilisë e të mendjemadhësisë, të mashtrimit e të dhunës. Jezusi kaloi nëpër leqet mortore, për të hapur shtegun kah Mbretëria e jetës”.
Në veprën e Fazzini-it sundon era, që duket sikur fryn mbi bronzin, duke e vënë të tërin në lëvizje, si të mos kishte fare peshë: është Shpirti që fryn dhe e liron Krishtin e me Të, edhe mbarë botën, nga leqet e vdekjes.
Për nivelin shkencor të restaurimit, u kujdes profesor Saverio Carillo, i fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e dytë të Napolit. E intervistuam:

Përgjigje: - Kjo veprën ikonografike e Ngjalljes është bërë tashmë një nga realizimet më të çmuara e më interesante, që kemi. Ndoshta edhe vepër-simbol, sepse e ndryshon ikonografinë e fytyrës së Krishtit, e cila në këtë vepër madhështore, është krejt e ndryshme, e re, shpërthimtare, në krahasim me ikonografinë tradicionale, përdorur për devocion. Të duket sikur Krishti po del vërtet në atë çast që ti e sodit, nga errësira e varrit, për të vënë në një lëvizje të re, të pandalshme, gjithë Krijimin e Krijesën. Mund të themi se është absolutisht antikanonike e, thënë me dy fjalë, me një forcë të jashtëzakonshme bindëse, që përbën një nga vlerat kryesore të këtij monumenti.

Pyetje: - Është vepër e rëndësishme, një nga më të transmetuarat në nivel televiziv botëror, që e shoqëron gjithnjë magjisterin e Papës në Sallën e Palit VI. Prandaj i rëndësishëm ishte edhe restaurimi, që u bë nën kujdesin Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit e nën përgjegjësinë e drejtorisë së Muzeve të Vatikanit. Bëhej fjalë për një restaurim të ndërlikuar, në të cilin protagonist ishte edhe Universiteti i dytë i Napolit. Në ç’mënyrë?
Përgjigje: - Në bashkëpunim me Fonderinë e Artit 2000, që pranoi të merrej me këtë restaurim, nën kujdesin e Governatoratit. Është një punë, që pati si synim të vinte në dukje vlerat e kësaj skulpture. Restaurimi i riktheu përmasën kromatike, ashtu si e deshi vetë artisti, Pericle Fazzini, e, për shumë arsye, e bën veprën më të kuptueshme e më të çmuar, tani që u pastrua, sepse vihen më me forcë në dukje dritë- hijet, përmes përdorimit të tunxhit, përzjerë me bronz; dritë-hije që, nga e majta, në të djathtë, ndryshojnë tonalitetet. Nga e majta në të djathtë është edhe drejtimi nga fryn era, që i lëviz me vrull flokët e Krishtit. E është kjo lëvizje, janë këta flokë, shpalosur në erë, pikërisht mesazhi i skulptorit, përvoja e tij mistike, përvojë mistike e secilit prej nesh. Ngjalljen e Krishtit e shikojmë edhe në këtë shpërthim të pakundërshtueshëm, në këtë grimcim të së vjetrës, që bëhet hi e pluhur, që e merr era, përballë forcës së Krishtit i cili, duke u ngjallur, ringjall gjithësinë. Po ta vëresh hollë kompozimin, do të dallosh edhe një turmë zogjsh, në këtë pejzazh të vërtetë, të bronztë, plot lëvizje, të Ngjalljes së Krishtit e të natyrës, ku njeriu bëhet protagonist, gjithnjë në pritje të shpresës së re, të jetës së re, plot vrull, që buron nga Krishti i Ngjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.