2012-04-16 14:48:30

Urime nga e mbarë bota për 85 vjetorin e Papës.
Atë Lombardi: mirënjohje për fenë, forcën e
mirësinë e tij


E mbarë Kisha Katolike kremton sot 85 vjetorin e ditëlindjes së Benediktit XVI. Mesazhe urimi vijojnë t'i vijnë Papës këto orë nga e gjithë bota. Ngjarje e gëzueshme, që festohet vetëm tri ditë para 7-vjetorit të zgjedhjes së Jozef Racinger në Katedrën e Shën Pjetrit, më 19 prill 2005. Në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi shpreh ndjenjat e tij për këto dy ditë të veçanta:RealAudioMP3
Do të thosha se kryesisht përjetoj dy ndjenja. Njëra është mirënjohja ndaj Zotit për këtë Papë, që na udhëheq me forcë të madhe, me mirësi e me fe, pra, është dhuratë e Hyjit. Tjetra është admirimi: megjithëse Ati i Shenjtë e ka nisur shërbimin në Kishën universale në moshë të shtyrë, kemi të bëjmë me një papni shumë të pasur e intensive, me shumë udhëtime e ngjarje të rëndësishme, me një magjister të shumëfishtë. Prandaj, duhet të themi se ç’ka arritur të bëjë Papa gjatë këtyre shtatë vjetëve, është për t’u admiruar.
Personalisht, çfarë ju bën përshtypje në karakterin e Papës Racinger?
Më tepër përshtypje më bëjnë mirësia dhe kujdesi i tij. Marrëdhëniet e ngushta me dikë, ai i jeton shumë intensivisht: dëgjon vërtet atë, që i thotë bashkëbiseduesi dhe e bën këtë me kujdes e respekt të jashtëzakonshëm. Përveç kësaj, është tejet i qartë në mendime e shprehje, komunikon një densitet përmbajtjeje, që të lë gojëhapur.
Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të bëhet një bilanc i shtatë vjetëve të papnisë në një përgjigje të vetme. Por, nëse do t’ju duhej të veçonit ndonjë përmasë dalluese, cilën do të nënvizonit?
Do të thosha se gjatë kësaj papnie, Kisha u përqendrua në thelbin e misionit të saj, pra, në përparësinë e vëmendjes për Zotin, të marrëdhënieve të njeriut me Zotin, të përmasës transhendentale të jetës, të personalitetit të Jezu Krishtit si Ai, që na zbulon Fytyrën e vërtetë të Hyjit. Ja pra, kjo përmasë fetare e shërbimit të Kishës, në një kohë kur aspektet e karakterit e të “pushtetit” të saj bëhen gjithnjë e më dytësore, më duket se është tipar dallues i kësaj papnie. Papa Benedikti XVI e udhëheq Kishën drejt zemrës së misionit të vet.
Kohët e fundit, Papa ka shprehur trishtim për ngjarjet jo të pëlqyeshme në Kishë, duke filluar nga abuzimet tek dalja e lajmeve private, nga Vatikani nëpër gazeta. E megjithatë, Papa dëshmon gëzim e qetësi shpirtërore…
Problemet që ndjen Papa, janë ato të shekullarizimit, të errësimit të Zotit, të relativizmit, të humbjes së pikave të referimit e të orientimit për shumë njerëz të epokës moderne. Përsa i përket Kishës, natyrisht, ai ka vuajtur për aspektet e inkoherencës ndaj misionit e dinjitetit të tij. Gjatë këtyre viteve, kemi përjetuar, me vuajtje të madhe, debatin për abuzimet. Këto janë gjërat për të cilat Papa vuan më shumë e më pak për thashethemet e brendshme.
Pikërisht fakti, që Papa paraqitet gjithnjë i qetë e i gëzuar, pavarësisht nga shqetësimet, është inkurajim i madh për besimtarët…
Sigurisht. Papa është njeri i fesë, besimtar i vërtetë. Ai mund ta ndihmojë Kishën e t’i shërbejë asaj si shkëmb i fesë, pikërisht sepse është i pari që beson në Zot. Në këtë kuptim, feja është burim qetësie e gëzimi të thellë, që askush nuk mund ta errësojë. Rrënjët e qetësisë shpirtërore të Papës janë në vetë fenë e në shpresën, që rrjedh prej saj.
Normalisht, kush ka ditëlindjen, merr edhe një dhuratë, por Benedikti XVI, zakonisht, bën dhurata. Sipas jush, cila është dhurata më e madhe, që i ka bërë njerëzimit gjatë këtyre viteve?
Personalisht, vlerësoj jashtëzakonisht librin për Jezusin: më duket një përpjekje personale e Papës - përtej aspekteve të ndryshme të ministerit, që priteshin prej tij - për t’i bërë të dukshme marrëdhëniet e tij personale me Krishtin. E bën këtë me gjithë përgatitjen teologjike, por edhe me përshpirtërinë, që e karakterizon. Për secilin prej nesh e për çdo besimtar të krishterë, kjo është diçka themelore. Më duket se Papa na ka dhuruar kërkimin e tij personal të Fytyrës së Krishtit. Kjo është dhurata më e madhe, që kemi marrë prej tij.
Cili është urimi juaj për Atin e Shenjtë?
E ndjej fort inkurajimin e ndërsjelltë, që përjeton Papa. Ati i Shenjtë thotë shpesh: unë kam ardhur për t’ju përforcuar në fe e për t’ju dhënë guxim, por jam mirënjohës për inkurajimin që më jepni, kur më përgjigjeni me dashuri, kur më prisni krahëhapur, me ngrohtësi. Prandaj, urimi im është të vazhdojë ta ndjejë këtë shkëmbim, pra, ta ndjejë se Kisha e shumë njerëz e inkurajojnë ta vijojë shërbimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.