2012-04-16 14:56:14

Pashkët ortodokse: mesazh urimi i Papës Benediktit XVI


Me rastin e Pashkëve ortodokse, që sipas kalendarit julian, u kremtuan dje, Papa u dërgoi urimet kryebarinjve të Kishave përkatëse. Në mesazhin e tij, Benedikti XVI citon fjalët, që Engjëlli u tha grave në mëngjesin e ditës së Pashkëve, kur ndodheshin pranë varrit të Jezusit dhe nuk e gjetën trupin e Tij: “Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar! Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë” (Mt 28, 5-6).
Duke u nisur nga kjo, Papa pohon se Ngjallja e Krishtit është arsye shprese për gjithë njerëzimin, pasi tregon se fjalën e fundit në ekzistencën e njeriut nuk e ka vdekja, por jeta. Ati i Shenjtë u kujton të krishterëve se janë të thirrur ta përhapin së bashku, në unitet të plotë, këtë Lajm të Mirë, i cili do të tingëllojë më me forcë vetëm kur të realizohet lutja, që Jezusi i drejtoi Atit: “Të gjithë të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë” (Gjn 17,21). Në fund, Papa uron që mesazhi i Pashkëve t’u japë shpresë sidomos të krishterëve, viktima të dhunës, t’u japë paqe e ngushëllim atyre, të cilët vuajnë nga sëmundjet, nga padrejtësitë, nga uria e nga varfëria, në çdo anë të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.