2012-04-16 17:52:22

Lutja Mbretëreshës Qiellore. Papa, në përvjetorin e shtatë të papnisë, besimtarëve: lutuni që Zoti të më japë forcë!


Në festën e Mëshirës Hyjnore, Papa uroi që të gjithë besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, të jenë dëshmitarë të dashurisë përdëllyese të Krishtit. Benedikti XVI kërkoi lutje të posaçme, në prag të shtatëvjetorit të zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit.
Duke kremtuar Pashkët, kujtoi Papa, rijetojmë takimin e dishepujve me Krishtin në Çenakull, mbrëmjen e Ngjalljes, ‘ditën e parë të javës’, që më pas u quajt ‘e diel’, ditë e asamblesë së besimtarëve, e bashkësisë së krishterë, mbledhur për Eukaristinë, ditë e kultit të ri, të ndryshëm nga tradita judaike:
“… kremtimi i Ditës së Zotit është një provë shumë e fortë e Ngjalljes së Krishtit, sepse vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme e tronditëse mund t’i shtynte të krishterët e parë të nisnin një kult, të ndryshëm nga ai hebraik”.
Por kulti i krishterë nuk është vetëm kujtim i ngjarjeve të kaluara, apo përvojë mistike, shpirtërore; është takim me Zotin e Ngjallur, që jeton në përmasën e Hyjit, përtej kufijve të kohës e të hapësirës, i pranishëm me të vërtetë në mes të bashkësisë: na flet nga Shkrimet e Shenjta, thyen, për ne, Bukën e jetës së pasosur, shpjegoi Benedikti XVI:
Përmes këtyre shenjave, ne e jetojmë atë, që provuan dishepujt, domethënë, e shohim Jezusin, pa e dalluar; e prekim Korpin e tij, korp i vërtetë, e megjithatë, i lirë nga lidhjet tokësore”.
“Paqja qoftë me ju!”, u përsërit pambarimisht Jezusi i Ngjallur apostujve. Përshëndetja tradicionale, Shalom, bëhet dhuratë e asaj paqeje, që vetëm Jezusi mund të na e japë, sepse, fryt i fitores së tij të plotë mbi të keqen, falë dashurisë së Zotit, që e solli duke vdekur mbi kryq, duke e derdhur gjakun e vet deri në pikën e fundit:
“Ja, pra, pse Gjon Pali II deshi t’ia kushtojë këtë të Diel pas Pashkëve, Mëshirës Hyjnore, me një ikonë të mirëmenduar: atë të kraharorit të shporuar të Krishtit”.
Në përfundim të lutjes mariane, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme shtegtarëve, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit nga Kisha e afërme e Shpirtit Shenjt në Sasia, ku dje paradite u kremtua Mesha, kryesuar nga kardinali-mëkëmbës, Augustino Valini, pikërisht në vendin kryesor të kultit të Mëshirës Hyjnore, ku nderohen në mënyrë të veçantë, Shën Faustina Kovalska dhe i Lumi Gjon Pali II:
“Të gjithëve ju uroj të jeni dëshmitarë të dashurisë përdëllyese të Krishtit. Faleminderit për praninë tuaj!”.
Pastaj, një ftesë e veçantë për ditëlindjen e 85-të, në gjuhën frënge, drejtuar besimtarëve francezë, me theksin kryesor mbi shtatëvjetorin e zgjedhjes në Fronin e Shën Pjetrit:“Të enjten e ardhshme, me rastin e shtatëvjetorit të zgjedhjes sime në Fronin e Shën Pjetrit, ju kërkoj të luteni për mua, që Zoti të më japë forcë për ta kryer me fund misionin, që më ka besuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.