2012-04-16 18:32:47

Kujtimet e Papës në takimin me delegacionin bavarez


Kujtime nga Bavaria e Tij, nga jeta e tij, nga miqësia me dy hebrenj, që e afruan me popullin hebraik. Këto kujtoi sot paradite Papa, në takimin me delegacionin e Bavarisë, përfaqësuar nga 170 vetë, të cilët i priti në sallën e Klementine me rastin e 85 vjetorit te lindjes. Benedikti XVI i falënderoi të gjithë, posaçërisht kardinalin Reinhard Marks, kryeipeshkëv i Munih-Frizingës dhe ministrin president të Bavarisë, Horst Seehofer.

Plot me emocione, fjalimi që i drejtoi Papa delegacionit të Bavarisë, ardhur nga vendlindja e dashur, për t’i uruar ditëlindjen. Ati i Shenjtë i priti mysafirët me përzemërsi të veçantë dhe u kujtoi se e kishte lexuar dy herë listën e tyre, duke i përshëndetur, kështu, pa zë, një për një. Falënderoi kardinalin e Munih-Frizingës, dioqezë së cilës i përket si meshtar. Falënderoi posaçërisht edhe ministrin president të Bavarisë, që i foli për Vendlindjen, fjalë të dala nga zemra, një zemër e krishterë, katolike, duke e prekur thellësisht Papën.
Ju, iu përgjigj Ati i Shenjtë, me fjalët tuaja, pasqyruat gjeografinë e jetës sime, që nisi në Marktl am Inn, kaloi nëpër Tittmoning, për të arritur, pastaj, deri në Regensburg:
"In all diesen Stationen, die hier gegenwärtig sind…
Në të gjitha këto etapa, që janë të pranishme këtu, mbeti përherë një copëz e jetës sime, një pjesë, në të cilën jetova e luftova, që më ndihmoi të bëhem kështu si jam tani, para jush e ashtu, si do të jem një ditë, kur do të paraqitem para Zotit”.
Papa i falënderoi ipeshkvijtë e pranishëm, ipeshkvin e Kishës ungjillore të Munihut të Bavarisë, dëshmi e përmasës ekumenike, që, ndërmjet tjerash, i kujtoi edhe miqësinë e madhe, të përhershme, me ipeshkvin Hansemann. Kujtoi, më pas, edhe bashkësinë hebraike me doktor Lamm e doktor Snopkowskin, me të cilët e lidhi një miqësi e përzemërt që, nënvizoi, e afroi shpirtërisht me pjesën hebraike të popullit gjerman e, në përgjithësi, me mbarë popullin hebraik.
E për këtë kam shumë kujtime të çmuara, vijoi Papa. Pastaj janë mediat, që i tregojnë botës atë që bëjmë e atë që themi… e që nganjëherë edhe duhen ndrequr paksa, por në fund të fundit, duhet menduar edhe ç’mund të ishim pa shërbimin e tyre.
Kujtimi i Papës sot nuk mund të mos shkonte në Bavarinë e tij, tokë, që mbeti e re, pikërisht sepse gjithmonë një nëpër ndryshime, gjithnjë besnike ndaj vetvetes!
Takim thellësisht prekës, ky i sotmi, dhuratë e vërtetë për ditëlindje, që përfundoi me vallet e muzikën, të cilat tingëlluan gëzueshëm në Sallën Klementine, duke i kujtuar Papës meloditë e fëmijërisë, e sidomos, babain, që luante në çeste këngën “Gott gruße Dich”:
"Die Fülle des Herzens würde zu vielen Worten drängen …Zemra plot dëshiron të thotë shumë fjalë, e njëkohësisht të heshtë, sepse tepër e madhe është ajo, që do të dëshironte të thoshte. Në fund të fundit, veç, gjithçka përmblidhet në një fjalë të vetme, me të cilën dua ta mbyll fjalën time. “Vergelt’s Gott!” – Zoti jua shpërbleftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.