2012-04-16 17:52:07

Benedikti XVI në 85 vjetorin e ditëlindjes: ia besoj
gjithë vetveten Zotit.


Një Meshë, kremtuar privatisht në Kapelën Paoline të Pallatit Apostolik, në praninë e ipeshkvijve gjermanë dhe të personaliteteve të Bavarisë. Nisi kështu, dita e sotme për Benediktin XVI, rrethuar nga miqtë e nga ata, që erdhën në Romë prej vendlindjes së Tij, për të kremtuar 85 vjetorin e lindjes së gjermanit të madh. Në Kremtimin eukaristik, me të cilin u hapën një sërë takimesh, Papa reflektoi për shenjat e 16 prillit, ditë e lindjes dhe e Pagëzimit të Jozefit Ratcinger, askohe ndër fasha, si çdo foshnje e posalindur, kur Kisha kremtonte Shën Bernardetën, Shën Benedikt Jozef Labré-në dhe të Shtunën e Madhe.

Shën Bernardeta, vegimtarja e Lurdës, dhe Shën Benedikt Jozef Labrè, shenjt i shtatëqindes, i njohur si shtegtari lypësar, janë dy figura, të cilat Jozef Ratcinger i konsideroi gjithë jetën si pajtorë-simbolikë, dërguar nga Provania Hyjnore, për t’i treguar rrugën e jetës. Ata, dhe e Shtuna e Madhe, sepse ishte pikërisht dita e heshtjes së Zotit , 16 prilli, 85 vjet më parë, kur doli në dritë një fëmijë, që Provania e kishte paracaktuar të bëhej papë. E lexoi kështu, udhën e jetës së tij, Benedikti XVI, përshkuar me të njëjtën besnikëri, nga Pagëzimi, te Katedra e Shën Pjetrit.
Ati i Shenjtë e kujtoi Shën Bernardetën Subiru, sepse, theksoi, mbeti gjithnjë i prekur nga zemra e saj, e aftë për të parë Nënën e Jezusit, e në Të, pasqyrimin e bukurisë e të mirësisë së vetë Zotit. Bareshës, me zemrën e pastër e të panjollë, Maria, kujtoi Papa, mundi t’i dukej e, përmes saj, t’i fliste shekullit e shekujve:
Ja, pra, kjo ditë e kjo shenjtore e vogël kanë qenë gjithnjë për mua shenjë, që më tregon se si duhet të jem. Më tregon se, pavarësisht nga ç’dimë e ç’bëjmë, gjëra që janë të nevojshme, nuk duhet ta humbasim kurrë shpirtin e thjeshtë, shikimin e kulluar të zemrës, që është e aftë të shikojë themeloren”.
Bernardeta, shtoi Papa, dinte të shihte atë, që i tregonte Zoja e Bekuar: burimin e ujit të gjallë, të kulluar. Ujë, shpjegoi, që është simbol i së vërtetës, e cila buron nga feja, së vërtetës, që nuk njeh tinëzi, as ndotje. E kjo, sepse për t’u bërë të pastër, për t’u bërë të kulluar, duhet që shpirti ynë të ketë mall për jetë të kulluar, për vërtetësinë e vërtetë, për paprekshmërinë nga prishja, për pacënimin nga mëkati:
“Në kohën tonë, në të cilën e shikojmë botën të pushtuar nga ankthi, të etur për ujë, për ujë të kulluar, ky simbol merr vlera edhe më të mëdha. Nga Maria, Nëna e Zotit, nga zemra e papërlyer, vjen edhe uji i pastër, i papërlyer, që jep jetë; uji, që në këtë shekull, e në shekujt që do të vijnë, na pastron e na shëron”.
Nga jeta e Shën Benedikt Maria Labre-së, Papa kujtoi posaçërisht shtegtimin e tij në mbarë Evropën dhe shenjtëroret, që iu kushtuan, në Kontinent. Shenjt ‘evropian’, e quajti, që e dallon një tipar i veçantë: nuk deshi të bënte tjetër, veçse të lutej e të dëshmonte atë, që ka rëndësi të dorës së parë në jetë: Zotin. Më shumë se shembull për t’u ndjekur, është gisht, që të tregon thelbësoren: njeriut i mjafton vetëm Zoti. E, t’ia hapësh zemrën Zotit, nuk do të thotë aspak të largohesh nga bota e nga njerëzit…:
.. sepse gjen kudo vëllezër, sepse në Zotin kufijtë zhduken, sepse vetëm Zoti mund t’i shembë kufijtë, sepse para syve të Zotit jemi të gjithë vëllezër, pjesë e njëri tjetrit; sepse njëjtësia e Zotit do të thotë njëkohësisht vëllazërim e pajtim ndërmjet njerëzve, zhdukje e kufijve, forcë, që na bashkon e na shëron”.
Duke u ndaluar, pastaj, tek e Shtuna e Madhe e lindjes, Benedikti XVI iu fal nderës prindërve të tij, që e bënë të rilindë në të njëjtën ditë, përmes ujit të Pagëzimit e, natyrisht, edhe që i dhuruan jetën. Në vijim, pyeti: në ç’mënyrë dhurata e jetës bëhet dhuratë e vërtetë? A është e drejtë të jepet jetë, kështu, thjesht? Është ngarkim me përgjegjësi, apo diçka e paparashikueshme? Jeta biologjike, në vetvete, është dhuratë e, megjithatë, vërejti Benedikti XVI, e mbushur me pikëpyetjen: të jesh, a të mos jesh?
Jeta bëhet dhuratë e vërtetë në se, së bashku me të, mund të dhurohet edhe një premtim, më i fortë se çdo gjëmë, që mund të na bjerë mbi kokë. Premtimi se jeta zhytet në një forcë, e cila na siguron se është gjë e mirë të jesh njeri… Kështu, pas lindjes duhet të vijë rilindja, me sigurinë se është mirë të jesh, sepse premtimi është më i fuqishëm sesa kërcënimet”.
Shpjegoi, kështu kuptimin e Pagëzimit, që e bën njeriun anëtar të familjes së madhe, të re, të Zotit i cili, pohoi Benedikti XVI, është i aftë të fitojë mbi të gjitha forcat negative, që na kërcënojnë.
E, pas këtij reflektimi të shkurtër mbi kuptimin e së Shtunës së Madhe, që të kujtonte edhe meditimet para Pashkëve, Papa, pasi u përshëndet nga Kardinali Dekan, Anxhelo Sodano, në fillim të Meshës, e pasi e falënderoi përzemërsisht atë, e përfundoi kremtimin, duke ia besuar plotësisht vetveten Zotit:“Po përshkoj pjesën e fundit të rrugës së jetës e nuk e di ç’më pret. Por e di mirë se drita e Zotit është, se Zoti u ngjall, se shkëlqimi i tij është më i fuqishëm se çdo terrinë e se mirësia e Zotit është më e fortë se çdo e keqe e kësaj bote. E kjo më ndihmon të ec me çap të sigurtë. Kjo na ndihmon të gjithëve të ecim përpara e, në këtë orë, i falënderoj nga zemra të gjithë ata, që më ndihmojnë vazhdimisht ta perceptoj praninë e Zotit, përmes fesë së tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.