2012-04-14 15:23:22

Shenjtorët e Javës


E diel 15 prill, Kisha kremton të Dielën e dytë të Pashkëve dhe festën e Mëshirës Hyjnore. Gjithnjë më 15 prill kalendari kishtar përkujton edhe shën Abondin, Damianin De Vuester, Maronin. Këta na mësojnë se kulmi i dashurisë për Zotin është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.
Të hënën më 16 prill do të përkujtohen shën Maria Bernardeta Soubiroues, virgjër, e Benedikti Jozef Labre. Në liturgjinë e festës së tyre, Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.
Të martën më 17 prill , kalendari Kishtar përkujton shën Simeonin, ipeshkëv e martir, Robertin, abat. Këta shenjtorë na ftojnë të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.
Të mërkurën më 18 prill kalendari kishtar përkujton shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal. Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.
Të enjten më 19 prill, kalendari kishtar përkujton shën Leonin IX, papë. Liturgjia e ditës na thotë se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri që Ati e do: ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e gjithçka është lënë në duart e Tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin, do të thotë të meritosh zemërimin e Hyjit.

Po më 19 prill, përkujtohet edhe shtatëvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.
Të premten më 20 prill, bie festa liturgjike e shën Aniçetit, papë dhe e shën Anjezes nga Montepulçiano, virgjër dominikane. Këta na kujtojnë se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, ndërsa largohet nga skena e mrekullisë.
Të shtunën që vjen, më 21 prill, do të përkujtohen shën Anselmi, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës dhe shën Apolloni filozof e martir romak. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.
Të dielën e ardhshme më 22 prill, Kisha do të kremtojë të dielën e 3-të të kohës së Pashkëve e po më 22 prill, kalendari kishtar përkujton edhe shën Sotirin papë, shën Kajon papë, shën Agapiton papë e shën Leonidën. Liturgjia e ditës na mëson se dhurata e fesë në Krishtin e Gjallë, na sjell si fryt dhuratën e Shpirtit Shenjt që na bën ta njohim Atin Qiellor, i cili na bën dëshmitarë të tij e na bindë të kthehemi në udhën e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.