2012-04-14 15:27:42

Mbërrin në Romë, musical mbi “brezin e ri të kohës së Vojtilës”


Një “musical”, pra një shfaqje muzikore e ngjashme me operetën, për të treguar se ç’fytyrë e ç’personalitet kanë të rinjtë, që marrin pjesë në Ditët Botërore të Rinisë. Ky është synimi i “Wojtyla generation Love-Rock Musical”, i cili u paraqit të enjten në selinë e Radios sonë. Do të vihet në skenë në teatrin e orioninëve në Romë, më 4, 5 e 6 maj.
“Musical” vjen në kryeqytetin italian pas një koncerti në Poloni, në vitin 2009 dhe pas debutimit të verës së kaluar në Ditët Botërore të Rinisë së Madridit. Protagonist, një grup prej 12 të rinjsh, të ardhur nga të gjitha kontinentet, që ndjekin rrugën e dëshmuar nga Papa Gjon Pali II. Të dëgjojmë autorin e regjizorin e shfaqjes muzikore, Rafaele Avalone:
“Me termin “Papa boys” (djemtë e Papës) u referohemi të gjithë të rinjve që ndjekin të Lumin: të rinjtë e DBR-ve. Musical flet për një brez, që u formua nën papninë e Gjon Palit II”.
Të rinjve të DBR-ve u kundërvihet një grup tjetër moshatarësh, “Farisenjtë”, siç quhen në spektakël. Këta kanë pika të tjera referimi, na shpjegon gjithnjë Avalone:
“Farisenjtë janë të rinj, që duan vetëm të duken, ushtrojnë dhunën, janë intolerantë me emigrantët, por edhe me më të brishtët, janë cinikë e duan t’i arrijnë qëllimet e tyre me çdo kusht… Ne i kemi theksuar disa nga këto aspekte, si për shembull, intolerancën, problemin e abortit…”
Në fund, rruga e shpëtimit dhe e shëlbimit hapet në një mënyrë, që askush nuk e pret. Një shfaqje, që këndohet në 8 gjuhë të ndryshme, për të treguar realitetin e rinisë së sotme, por edhe ekzistencën dhe dëshminë e të rinjve, si ata të DBR-ve.







All the contents on this site are copyrighted ©.