Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve kushtuar Mëshirës Hyjnore.
Ja në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe, do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të
dielës së dytë të Pashkëve, e cila, të dashur dëgjues të Radio Vatikanit e vëllezër
e motra, sipas një tradite të vjetër, e diela e sotme njihet me emrin e Diela in ‘Albis’.
Në këtë të diel të pagëzuarit e Natës së Pashkëve mbanin akoma veshjen e bardhë, simbol
i dritës, që Zoti u kishte dhuruar në Sakramentin e Pagëzimit. Më pas e hiqnin veshjen
e bardhë, por ndriçimin që u qe komunikuar, duhet ta pasqyronin në jetën e tyre të
përditshme; dritën e së vërtetës e të së mirës që Zoti ua kishte ndezur ndër zemra,
duhet ta ruanin e ushqenin me kujdes, për t’i dhënë botës tonë pakëz dritë nga drita
e mirësia e Zotit. Papa i Lumi Gjon Pali II deshi që kjo e diel të kremtohej si
Festë e Mëshirës Hyjnore: në fjalën ‘mëshirë’, gjente të përmbledhur e të shpjeguar
përsëri gjithë misterin e Shpërblimit. Ai jetoi nën dy regjime diktatoriale dhe, në
kontakt me varfërinë, mungesat e dhunën, provoi thellësisht pushtetin e errësirës,
që sundon edhe mbi kohët tona. Por provoi edhe, e më fuqimisht, praninë e Zotit që
u kundërvihet gjithë këtyre forcave të errëta me pushtetin e tij krejtësisht të ndryshëm
e hyjnor: me pushtetin e mëshirës. Është pikërisht kjo mëshirë që i vë kufi së keqes.
Në të gjen shprehjen e vet natyra krejt e posaçme e Hyjit – shenjtëria e Tij, fuqia
e së vërtetës dhe e dashurisë. Katër vjet më parë, pas Lutjeve të para të Mbrëmjes
të kësaj Feste, Gjon Pali II përfundonte jetën e vet tokësore. Duke vdekur, ai hyri
në dritën e Mëshirës Hyjnore nga e cila, përtej kufijve të vdekjes e duke u nisur
nga Zoti, sot na flet në një mënyrë krejt të re. Kini besim – na thotë – në Mëshirën
Hyjnore! Bëhuni ditë për ditë burra e gra të mëshirës së Hyjit! Mëshira është petku
i dritës që na dhuroi Zoti në Pagëzim. Nuk duhet ta lemë këtë dritë të shuhet; përkundrazi,
ajo duhet të rritet në ne ditë për ditë për t’i çuar kështu botës lajmin e gëzuar
të Zotit. Në leximin e parë të kësaj së diele na tregohet se, në zanafillën e Kishës
në fasha, njerëzit i mbartnin të sëmurët ndër sheshe në mënyrë që, kur të kalonte
Pjetri, t’i mbulonte hija e tij: mendonin se kjo hije kishte forcë shëruese. E kjo
hije, në të vërtetë, vinte nga drita e Krishtit e prandaj kishte në vetvete diçka
nga forca e mirësisë së Tij hyjnore. Hija e Pjetrit, përmes bashkësisë së Kishës katolike,
u shtri mbi jetën e meshtarëve si hije e mirë , hije shëruese, sepse vjen nga vetë
Krishti. Pjetri ishte njeri e, prej këndej, me të gjitha ligështitë njerëzore, por
mbi të gjitha, ishte njeri përplot me besim të pasionuar në Jezusin e Ngjallur, ishte
përplot me dashuri për Të. E pikërisht përmes fesë e dashurisë së tij, forca shëruese
e Krishtit, forca unjësuese, arrinte tek njerëzit, ndonëse e përzierë me gjithë ligështinë
e Pjetrit. Ta kërkojmë edhe sot hijen e Pjetrit, në se duam të jemi në dritën e Krishtit.
Kështu mund të themi se lindja e rilindja; familja tokësore e familja e madhe e Hyjit
– kjo është dhurata e madhe e mëshirës së pambaruar të Zotit, themeli mbi të cilin
mbështetemi. Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin
e Tomës Apostull me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu
ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin
e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët
e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët
e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për
ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Jezusit vijojnë
t’i hapen plagë për ne. Çfarë siguri për mëshirën e tij e çfarë ngushëllimi na japin!
E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi
për detyrë të plagosemi për Të në dashuri e me dashuri. Mëshira e Zotit na shoqëron
ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. E pranuar. Shpesh,
jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar,
si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë ndaj Krishtit të Gjallë, ndonëse
është aq e ngushtë sa të zërë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë e
i mëshirshëm është Zoti me ne, se si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla
e të përditshme, për të na ndihmuar të arrijmë kështu tek vlerat e mëdha hyjnore.
Gjatë jetës sonë tokësore, Zoti na jep vazhdimisht edhe ndihmën e nevojshme për të
mbartur çdo ditë kryqin e për t’ia arritur cakut përfundimtar, bashkimit me Të në
jetën e amshuar! Dua ta përfundoj këtë homeli me lutjen e Papës Leoni i Madh:
“Luteni Zotin tonë të mirë, që në ditët tona të na e forcojë fenë, ta shumëfishojë
dashurinë e ta shtojë paqen. Amen. Liturgjia
e Fjalës së Zotit
Leximi i parëVap 4, 32-35
Të
krishterët e parë jetojnë thellësisht ligjin e bamirësisë që Jezusi u ka besuar atyre.
Kjo është karakteristika e krishterimit. Bota e sotme pret nga të krishterët shenja
të një solidariteti të tillë, që realizohet nëpërmjet një jete që bashkëndan të mirat
shpirtërore dhe materiale.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në
bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të veten
çka do që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët. Apostujt me fuqi të madhe
jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh. Gjithashtu
askush prej sish nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin
e shitjes e binin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa
kishte nevojë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi
118
Aleluja, aleluja, aleluja
Lavdërojini Zotin,
sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij! Le të thotë tashti
Izraeli: Zoti është i mirë, e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë
tani shtëpia e Aronit, e përjetshme është dashuria e tij! Le të thonë tani ata
që e druajnë Zotin, e përjetshme është dashuria e tij!
Më shtytën, më dhanë
shtytje për të më rrëzuar, por më përkrahi ndihma e Zotit. Fuqia ime e lavdia ime
është Zoti, Ai është shpëtimtari im. Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi në tendat
e të drejtëve.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë
guri këndit; Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë! Kjo është dita
që na e dhuroi Zoti: të galdojmë e të gëzojmë në të! Leximi i dytë
1 Gjn 5, 1-6 Krishti i vdekur dhe i ringjallur na komunikon jetën
e tij nëpërmjet Pagëzimit dhe Eukaristisë. Bashkimi i tij me Atin e ka shtyrë Jezusin
të dojë njerëzit, bijtë e Atit. Me këtë sjellje Ai ka fituar mbi të keqen dhe ka
bërë të rilindë shpresa. Edhe ne nëse jemi të bashkuar me Jezusin mund t’i pranojmë
të gjithë ata që Jezusi ka dashur. Besimi bëhet atëherë një angazhim i gëzuar dhe
një dashuri e efektshme që jep kuptim.
Lexim prej Letrës së parë
të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është
Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij.
Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet
e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet
e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe
kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën, në mos
qoftë ai që beson se Jezus është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër
gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje
është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Fjala e Zotit. Falënderojmë
Hyjin.
Aleluja! Aleluja! Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum
ata që nuk panë e besojnë! Aleluja.
Ungjilli Gjn 20,
19-31
Jezusi i ringjallur u shfaqet dishepujve dhe u jep atyre paqen
dhe gëzimin e Atit. Vetëm tani ata e njohin arsyen dhe vlerën e vdekjes
së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuar u dhurohet
atyre paqja e Shpirtit. Ringjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja,
dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.
Leximi i Ungjillit shenjt
sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës –
ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve,
erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi
duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë:
“Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu,
hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen,
e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetave,
ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë:
“E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdëve e
pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdëve; pa e shtirë dorën time në kraharorin e
tij, kurrë nuk besoj.” Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi
e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend
midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu
e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji
njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi
i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër
sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër.
Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar,
ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty,
o Krisht.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së dytë
të Pashkëve mund të dëgjoni............