2012-04-14 15:22:46

E diela e festës së Mëshirës Hyjnore


Të dielën e Dytë të kohës së Pashkëve, Kisha kremton të Dielën e Mëshirës Hyjnore. Kujtojmë se solemniteti u kremtua për herë të parë nga i Lumi Papa Gjon Pali II. Në sa vizitonte Krakovinë, më 30 prill 2000, ai ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore, për të cilën njerëzimi ka aq shumë nevojë edhe sot. E nevojë të ngutshme për këtë dhuratë kanë posaçërisht vendet ku sundojnë dhuna, urrejtja e tragjedia e luftës. Kjo ditë i fton të gjithë të krishterët të jenë dëshmitarë të mëshirës së Zotit, të luten që Dashuria Hyjnore të fitojë mbi mëkatin e që e mira ta mundë të keqen.
Me këtë të dielë përfundoi një javë, e cila për Liturgjinë është si një ditë e vetme: “Dita që e bëri Zoti” (Ps. 117,24). Nuk është kohë kronologjike, por shpirtërore, që Hyji e shtriu në indin e ditëve, kur e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Shpirti Krijues, duke ndikuar jetën e re e të pasosur në korpin e varrosur të Jezusit të Nazaretit, përplotësoi veprën e krijimit dhe shënoi kështu fillesën e një fryti të parë: fryt i parë i njerëzimit të ri që, në të njëjtën kohë, është edhe fryt i parë i një bote të re e i një epoke të re. Ky risim i botës mund të përmblidhet me një fjalë vetme: me atë fjalë që përdori vetë Jezusi për t’i përshëndetur dishepujt e për t’u kumtuar fitoren e tij: “Paqja qoftë me ju!” (Lk. 24, 36; Gjn, 19. 21.26). Paqja është dhuratë. Krishti ua la miqve të vet (cfr Gjn 14, 27) si bekim që u përket gjithë njerëzve e mbarë popujve. Nuk është paqe sipas mendësisë së botës, e parë si drejtpeshim forcash, por realitet i ri, fryt i dashurisë së Hyjit, i mëshirës së tij. Është paqja që Jezu Krishti e fitoi me çmimin e gjakut të vet e që ua dhuron të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të. “Jezus, besoj në Ty!”: në këto fjalë përmblidhet gjithë feja e të krishterit, krejt besimi në gjithpushtetin e Dashurisë përdëllyese të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.