Atë Federiko Lombardi: “Përvjetoret “ e Papës Benediktit XVI
Më 16 prill, Papa Benedikti XVI ka ditëlindjen. Mbush 85 vjeç. Bashkë me urimet e
të gjithë botës, i japim edhe ne urimet tona, në emër të gjithë shqiptarëve kudo që
janë: “Gëzuar festën Atë i Shenjtë”! Në këtë përvjetor e përqendron komentin e tij
javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili bën edhe një bilanc të
shkurtër të papnisë së Jozef Racinger: “85 vjet jetë e 7 vjet papni. Kur kardinali
Jozef Racinger u zgjodh Papë, në një moshë të shtyrë, shumë pyetën nëse, pas viteve
të karakterizuara nga sëmundja e Paraadhësit të tij të madh, papnia që po fillonte
do të ishte aq intensive dhe e gjatë sa dëshirohej, e nëse një teolog, që kishte udhëhequr
për një kohë të gjatë një dikaster specifik doktrinal, do të dinte të merrte mbi vete
një detyrë kaq të ndryshme, siç është qeverisja baritore e Kishës universale. Në
këto shtatë vjet, janë kryer 23 udhëtime ndërkombëtare në 23 vende të ndryshme e 26
vizita në Itali, janë zhvilluar katër Sinode Ipeshkvijsh dhe tri Ditë Botërore të
Rinisë, kemi mundur të lexojmë tri enciklika, si edhe fjalime e vepra të tjera të
magjisterit papnor, kemi marrë pjesë në një Vit Paolin dhe në një Vit Meshtarak, e
kemi parë Papën të përballojë me guxim, përvujtëri e vendosmëri – pra, me frymë të
pastër ungjillore – gjendje të vështira, si kriza, rrjedhojë e abuzimeve seksuale.
Kemi lexuar e publikuar në audio – fakt i ri dhe origjinal, ky – veprën e tij për
Jezusin e Nazaretit dhe librin-intervistë “Drita e botës”. Por mbi të
gjitha, kemi kuptuar, nga koherenca dhe qëndrueshmëria e mësimeve të tij, se përparësia
e shërbimit të Papës për Kishën dhe njerëzimin është orientimi i jetës drejt Zotit,
atij Zoti, që na u bë i njohur nga Jezu Krishti. Kemi kuptuar se feja e arsyeja e
ndihmojnë njëra-tjetrën në kërkimin e së vërtetës dhe në gjetjen e përgjigjes për
pyetjet e secilit prej nesh e të krejt njerëzimit. Kemi mësuar se mënjanimi e harrimi
i Zotit dhe relativizmi janë rreziqe të mëdha për kohën tonë. Për të gjitha këto,
i jemi shumë mirënjohës Atit të Shenjtë. E, edhe tani, vazhdojmë rrugën së bashku
me të: drejt Takimit Botëror të Familjeve e drejt Lindjes së Mesme, drejt Sinodit
për ungjillëzimin e ri e drejt Vitit të Fesë. Në dorë të Zotit, në shërbim të Hyjit
e të Kishës së Tij”.