2012-04-13 18:19:12

“E lumja përvujtëri”: një libër kushtuar thjeshtësisë, një nga virtytet kryesore të Papës Jozef Racinger.


“E lumja përvujtëri”: një libër kushtuar thjeshtësisë, një nga virtytet kryesore të Papës Benediktit XVI. Këto ditë, Papa kremton dy përvjetorë: të hënën më 16 prill, Jozef Ratcinger mbushi 85 vjeç; tri ditë më pas, të enjten më 19 prill, do të kremtojë shtatëvjetorin e zgjedhjes papnore në Katedrën e Shën Pjetrit. Në këtë atmosferë, tashmë festive, këtyre ditëve, pranë Qendrës Kulturore Shën Robert Belarmini, në Romë, u paraqit libri “E lumja përvujtëri” kushtuar virtytit të thjeshtësisë, që spikat në karakterin e Papës Benediktit XVI, shkruar nga Andrea Monda, botuar nga Lindau.
Në këtë ngjarje kulturoro-fetare, ndërmjet tjerësh, ishin të pranishëm drejtori i gazetës vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, Giovanni Maria Vian dhe juristi Francesco D’Agostini. E pyetëm autorin Andrea Monda, pikërisht për virtytin e përvujtërisë, që bie në sy në të gjitha veprimtaritë e Papës Jozef Ratcinger, në qendër të vëmendjes, në këtë libër:

Përgjigje: - Libri im flet për dy gjëra. Njëra është përvujtëria, ky virtyt që, ndoshta, është më misteriozi nga gjithë të tjerët; e është aq i brishtë e aq delikat sa, në një farë mënyre, mbetet gati-gati i pakapshëm. Argumenti tjetër, për të cilin flas, është misteri i një njeriu, domethënë i burrit Jozef Ratcinger, i cili që prej shtatë vitesh është papë, me emrin Benedikt. Kujtojmë 19 prillin e vitit 2005. Në këtë çast të stërngarkuar me emocione, Papa iu paraqit botës, duke cituar sa Biblën, aq edhe atë, që i kishte thënë Pali VI, kur e pati emëruar ipeshkëv. U paraqit, pra, si punëtor kokulur e i thjeshtë në vreshtin e Zotit. Gjatë kërkimeve të mia gjithçka më çoi tek virtyti misterioz i përvujtërisë, e shpresoj të kem realizuar një profil e një portret, mbi të gjitha shpirtëror, jo politik a shoqëroro-politik, e as teologjik. Portret pikërisht shpirtëror, të një njeriu, që ka thellësi të jashtëzakonshme shpirtërore të cilën, për fat të keq, shpesh herë mjetet e komunikimit nuk arrijnë ta kapin, ose nuk e kuptojnë.

Pyetje: - Ju keni kapur përvujtërinë e Benediktit XVI, pa harruar se ky virtyt gërshetohet me butësinë e, njëkohësisht, me forcën shpirtërore…

Përgjigje: - Përvujtëria është virtyt paradoksal, sepse do të thotë butësi, ëmbëlsi, fisnikëri, por edhe qëndresë, ngulm, aftësi për të marrë vendime të pjekura, guxim, në çaste të vështira. Sipas meje, vetëm një njeri i përvuajtur, mund të jetë edhe guximtar. Përvujtëria, thotë Pali VI, është në thelb vërtetësi: guximtar nuk quhet njeriu, që s’ka frikë, por njeriu i cili, duke njohur druajtjet e veta e kufizimet e veta, i beson Atij, që është më i madh, duke bërë një hop cilësor, atë të fesë. Vetëm njeriu i përvuajtur, mund të pranojë se është Dikush tjetër, më i madh, e ta mundë, kështu, çdo lloj frike. Benedikti XVI është, pa dyshim, njeri i butë, i ëmbël, në një farë mënyre gati-gati i përulur. Nuk është shpërthyes, as i bujshëm: është njeri që i pëshpërit njeriut. I pëshpërit fjalë të vërteta, duke i prirë gjithnjë kah e vërteta e tij e parë. E kjo e vërtetë është se njeriu duhet t’ia besojë vetveten një Krijuesi, që është më i madh se krijesa. Prej këndej, zhduken të gjithë ato, që duken si paradokse të kësaj papnie; Benedikti XVI është vërtet njeri i ëmbël, por edhe jashtëzakonisht i vendosur, kur është fjala për mbrojtjen e fesë dhe për kumtimin e gëzueshëm të Ungjillit të Krishtit.

Pyetje: - “Përvujtëria shoqëron çdo gëzim të madh të jetës me saktësinë e orës” thoshte Chesterton, një nga autorët e preferuar të Jozef Ratcinger. Është vërtet njeri gazmor Papa?

Përgjigje: - Shpesh Papa citon Chestertonin, këtë humorist të shquar anglez, që është edhe këngëtar i madh i gëzimit. Në se e kërkojmë vetë fjalën ‘gëzim’ në gjuhën e fjalimeve të Papës, mund të zbulojmë se, ndoshta është një nga fjalët më të përdorura. Jozef Ratcinger është papa i gëzimit, madje unë do të thosha, edhe papa i madh humorizmit, i asaj përvujtërie e atij humorizmi, që shkojnë krah për krah, sepse burojnë të dyja nga ‘humus’, nga toka. Këtë thjeshtësi të Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger e shikojmë edhe kur flet. Benedikti XVI është fjalëpaktë: si kur flet, ashtu edhe kur shkruan. Enciklikat e tij janë të shkurtra, ashtu si dhe fjalimet e tij. Të shkurtra, por tejet të qarta, sepse kanë në qendër të vëmendjes një pikë themelore: do të thosha se Papa Benedikti XVI është Papa i thelbit të gjërave; në të gjitha fjalimet shkon në thelb të problemit. E thotë mirë në librin-intervistë: “Drita e botës”, kur pohon: “Filli i artë, që përshkon gjithë jetën time, është ky: ‘Krishterimi të fal gëzim e t’i zgjeron horizontet”. Në këtë frazë të shkurtër, përmblidhet e gjithë papnia: nga njëra anë, kumtimi i gëzimit të krishterë, që buron nga Krishti i Ngjallur, ngadhënjimtar mbi vdekjen, e nga ana tjetër, fakti se ky gëzim nuk i mohon asgjë njeriut, përkundrazi, e ndihmon t’i zgjerojë horizontet.







All the contents on this site are copyrighted ©.