2012-04-12 15:09:36

Simpozium i Kishave të Trivenetos. Papa: dëshmoni dashurinë e Zotit për njeriun.


Në Grado, në provincë të Gorizies, në veri të Italisë, nesër hapet Simpoziumi i Kishave të Trivenetos, mbi temë “Në dëgjim të asaj që Shpirti u thotë Kishave të Verilindjes”. Ngjarja, që do të mbledhë 15 dioqeze të Venetos, Trentino Alto Adige dhe Friuli-Venecia Xhulia, do të përfundon të dielën e ardhshme me një Meshë në Bazilikën e Akuilesë Në maj të vitit të kaluar, Benedikti XVI, pikërisht në këtë Bazilikë, inkurajonte bashkësinë e krishterë të Verilindjes të kumtonte me entuziazëm Ungjillin në shoqëri.
Ishte data 7 maj e vitit të kaluar. Në Bazilikën madhështore të Akuilesë Papa Benedikti XVI nënvizoi rolin e pamohueshëm të Ungjillit të Krishtit, frymëzim i përhershëm për jetën shoqërore e politike, gjurmët e të cilit nuk mund t’i shlyejë dot shoqëria e sotme e shekullarizuar dhe ia besoi Kishave dioqezane të Trivenetos një “mision parësor”, atë të dëshmisë së dashurisë së Zotit për njeriun:
Jeni të thirrur para së gjithash ta bëni këtë përmes veprave të dashurisë së krishterë, në ndihmë të njerëzve më të pambrojtur: të varfërve, të moshuarve, të sëmurëve, njerëzve me kufizime fizike e mendore, atyre që Shën Pali i quan pjesa më e ligshtë e bashkësisë kishtare” (krh 1 Kor 12,15-27).
Në një botë që dominohet nga subjektivizmi, Benedikti XVI fton të “kumtohet publikisht e qartë Ungjilli, duke e sjell me respekt, krenari e gëzim të thellë” në mjedise të ndryshme të jetës së përditshme:
“Ndryshimet kulturore, kërkojnë nga ju të jeni të krishterë të bindur, të gatshëm për t’i dhënë përgjigje kujtdo që t’ju pyesë për arsyen e shpresës, të cilën e keni në shpirt, të aftë për të përballuar sfidat e reja kulturore, duke respektuar të gjitha subjektet, që jetojnë në shoqëri”.
Papa pastaj tregoi edhe stilin e krishterë të bashkëjetesës në shoqërinë bashkëkohore pluraliste:
Mos mohoni asgjë nga Ungjilli në të cilin besoni, por qëndroni në mesin e njerëzve tjerë me simpati, duke komunikuar nga stili i jetës tuaj pikërisht atë humanizëm që rrënjoset mbi themelet e Krishterimit, që synon ndërtimin, së bashku me të gjithë njerëzit vullnet mirë, të një ‘qyteti’ më njerëzor, më të drejtë e solidar”.
Së fundi, Papa i porositi – edhe Kishat e Trivenetos – të “impenjohen në nxitjen dhe formimin e një breznie të re burrash e grash, të aftë për të marrë mbi vete përgjegjësi të rëndësishme në fushat e ndryshme të jetës shoqërore, në mënyrë të veçantë, në politikë. Pikërisht kjo fushë ka më shumë nevojë se kurrë, sidomos për të rinj, të aftë për të ndërtuar një jetë më të mirë, në shërbim të të gjithëve”:
“Në këtë fushë, më shumë se kurrë, duhet të shohim e të kemi njerëz, posaçërisht të rinj, që janë të aftë të ndërtojnë ‘jetën e mirë’ në favor e në shërbim të të gjithëve. Në këtë fushë angazhimi, të krishterët, nuk mund të mungojnë, sepse ata janë shtegtarë që ecin drejt Qiellit, por që tani, këtu poshtë, jetojnë paraprakisht një avancim të përjetësisë”.
Mes tjerash Papa Benedikti XVI kujtoi edhe kujdesin për familjen, si qelizë themelore e shoqërisë dhe e bashkësisë kishtare, duke vënë theksin mbi krizën e jetës bashkëshortore e djepat e zbrazur; të rinjtë, pastaj, që sot e shikojnë ardhmërinë me mosbesim, sepse shpesh herë jetojnë në kushte të rënda, ndonëse vijojnë të kenë uri e etje për Zotin e që prandaj, kërkojnë përgjigje.
Papa Ratcinger kujtoi sfidat kryesore, që duhet të përballojë Kisha, në një kohë kur njeriu shpesh herë kërkon vetëm mirëqenien materiale e bota, e sunduar nga materializmi e subjektivizmi, kalon fazën e një krize të rëndë ekonomike e financiare. Në këto situata të ndërlikuara, porositi me forcë Benedikti XVI, Kisha duhet t’i edukojë njerëzit me vetëdijen e krishterë për jetën, përmes kumtimit të Ungjillit:
Fjala e Zotit, vijoi Ati i Shenjtë, duhet të hyjë në të gjitha mjediset, me bindjen se nga feja e jetuar me guxim, lind, si dje, ashtu edhe sot, kultura e dashurisë për jetën, nga zënia deri në perëndimin e natyrshëm; lind promovimi i dinjitetit të njeriut, vlerësimi i familjes, të bazuar mbi martesën besnike, që i hap rrugën jetës së re, lind impenjimi për drejtësi e solidaritet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.