2012-04-12 09:22:40

SHBA: raport i ipeshkvijve lidhur me “Kartën për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve”.


68% e shpërdorimeve mbi të miturit, denoncuar gjatë vitit 2011 në gjirin e Kishës Katolike të SHBA-ve, lidhen me fakte të ndodhura ndërmjet viteve 1960 e 1984, në veçanti, ndërmjet 1975-ës e 1979-ës. Është fjala për 683 të rritur, të cilëve Kisha u ka ofruar ndihmë për t’u shëruar: 453, (të cilët u shtohen 1750 vetëve të tjerë, që e marrin prej kohe ndihmën) e pranuan ftesën.
3% e denoncimeve të vitit 2011 (21 raste) ka të bëjë me të mitur: 7 u deklaruan të besueshme nga forcat e rendit, 3, dëshmi të rreme, të tjerat, të vështira për t’u pranuar. Këto janë rezultatet e raportit vjetor 2011 mbi vënien në jetë të “Kartës për mbrojtjen e fëmijëve e të rinjve”, të cilën dioqezat amerikane ftohen ta respektojnë. Njoftimin e jep Konferenca episkopale e SHBA-ve, duke vënë në dukje se pothuajse të gjitha dioqezat e vendit i kanë respektuar plotësisht të 17 pikat e Kartës.
Nga raporti, njofton Agjencia Sir, vërejmë se shpenzimet për frenimin e krizës, janë pakësuar, në krahasim me një vit më parë, por ndërkaq janë shtuar shpenzimet ligjore. Shpenzimet e përgjithshme për mjekime, ndihmë viktimave etj. kanë arritur në shifrën 124 milionë dollarë në vitin 2010. Në 2011 janë ulur në 129 milionë. Në vijim jepen me hollësi shpenzimet e dioqezave e të kongregatave rregulltare, duke sqaruar se 253 nga priftërinjtë e akuzuar për shpërdorime mbi të miturit, kanë vdekur; 58 janë kthyer në jetën shekullare, 281, janë lëvizur nga shërbimi kishtar, mbi bazën e akuzave të mëparshme.Ndonëse raporti vërteton se shumica e shpërdorimeve tashmë i takojnë së kaluarës - pohoi kardinali Timothy Dolan, kryeipeshkëv i New York-ut e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të SHBA – Kisha duhet ta vijojë vigjilencën e të punojë për shërimin dhe pajtimin e plotë të viktimave. Prandaj, sipas notës, në famullitë e shkollat katolike janë përgatitur 1.8 milionë vullnetarë, për të parandaluar përsëritjen e shpërdorimeve. Rreth 4.8 milionë fëmijë katolikë kanë marrë mësime të posaçme për t’i dalluar shpërdorimet, për t’iu kundërvënë e për të biseduar me prindërit e të rriturit, duke kërkuar edhe ndihmën e tyre, në rast rreziku.







All the contents on this site are copyrighted ©.