2012-04-12 12:15:30

Seanca plenare e Komisionit Biblik Papnor në prill do të trajtojë frymëzimin dhe të vërtetën në Bibël.


Komisioni Biblik Papnor do të mbajë Sesionin e përvitshëm plenar nga data 16 deri më 20 prill 2012 në Vatikan pranë Shtëpisë së Shën Martës (Domus Sanctae Marthae), nën udhëheqjen e hirësisë së tij kardinalit William Levada, e më koordinimin e punimeve nga atë Klemens Stock, jezuit, Sekretar i përgjithshëm.
Gjatë mbledhjes Anëtarët e Komisionit Biblik Papnor do të vijojnë reflektimin e tyre mbi temën Frymëzimi dhe e Vërteta e Biblës. Në fazën e parë të studimit, Komisioni Biblik Papnor ka vendosur të shqyrtojë e të analizojë se në çfarë mënyre frymëzimi dhe e vërteta shfaqen në tekste të ndryshme të Shkrimeve të Shenjta Biblike. Duke u nisura nga kompetencat e çdo Anëtari, do të paraqiten ligjëratat individuale të cilat pastaj do të diskutohen në mënyrë kolegjiale nga Asambleja.
Tema që trajtohet nga asambleja plenare e Komisionit Biblik Papnor i përgjigjet një shqetësimi të cilin Kisha e ka posaçërisht për zemër, pasi që interpretimi i Shkrimit Shenjtë është i një rëndësie themelore për fenë e krishterë e për jetën e Kishës.
Interpretimi i Shkrimeve të Shenjta Biblike, duke harruar ose duke lënë mënjanë se nga janë frymëzuar, nuk merr parasysh karakteristikën e tyre më të rëndësishme e më të çmuar, që është “prejardhja nga Zoti”. Pavarësisht se fjalët e njeriut mund të jenë me bukuri e thellësi të jashtëzakonshme, në Bibël, ato pasqyrojnë Fjalën e Zotit.

Hyji, shpjegon Papa Ratcinger, na e drejton fjalën për të zbuluar vetveten e për të na e bërë të njohur misterin e vullnetit të Tij, si edhe planin e shëlbimit për mbarë njerëzimin. Prandaj, impenjimi për të zbuluar gjithnjë e më shumë të vërtetën e Librave të Shenjtë duhet të na çojë natyrshëm në njohjen gjithnjë e më të madhe të Zotit e të vullnetit të Tij.
Dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit ‘Dei Verbum’ (Fjala e Hyjit), “na kujton se në Shkrimin Shenjt, Zoti i flet njeriut në mënyrë njerëzore”: “Për një interpretim të drejtë të Shkrimit Shenjt, duhet pra të kërkohet me vëmendje ajo që agjiografët patën dashur më të vërtetë të pohonin e atë çka Zotit i pëlqeu të shfaq përmes fjalës së tyre. “ Vërtetë, fjalët e Zotit, të shprehura me gjuhën njerëzore, janë bërë të ngjashme me fjalorin e njerëzve, si Fjala e Atit të amshuar, që duke marr dobësinë e natyrës njerëzore, u bë i ngjashëm me njerëzit” ( Dei Verbum, 13)”.
Tri janë kriteret që Koncili II i Vatikanit i propozon për një interpretim në kontekstin e traditës së gjallë të tërë Kishës. Së pari, thotë Papa Racinger, duhet “ t’i kushtojmë vëmendje të madhe përmbajtjes dhe unitetit të tërë Shkrimit Shenjt”. Në rend të dytë, “ekzegjetët katolikë duhet të jenë të kujdesshëm ta perceptojnë Fjalën e Zotit në këto tekste, brenda vet fesë së Kishës”. Së treti lypet të kujtohet se tekstet biblike “nuk i janë dhënë hulumtuesve e studiuesve individualisht, për të shuar kureshtjen e tyre apo për t’i furnizuar ata me argumente studimi apo kërkimi në mënyrë personale e individuale”, por “ i janë besuar bashkësisë së besimtarëve, Kishës së Krishtit, për të ushqyer fenë e udhëhequr jetën e dashurisë.
Në mënyrë të veçantë “respektimi i këtij qëllimi kushtëzon vlerëshmërinë dhe efikasitetin e hermeneutikës biblike”. Pra studiuesit duhet gjithmonë të konfrontohen e të jenë në përkim me Traditën e gjallë të Kishës. Sipas Papës Benediktit XVI ”kuptimi i drejtë i Shkrimit Shenjt, kalon përmes unitetit të historisë së Zotit”, në të cilën elementet e veçanta sqarojnë e hedhin dritë mbi njëri-tjetrin, duke ia hapur kështu rrugën kuptimit të krejt tekstit.
Kujtojmë ky organizëm papnor, themeluar nga Leoni XIII në vitin 1902, ka tri detyra kryesore: të nxisë studimin e Biblës nga katolikët, t’u kundërvihet me mjete shkencore opinioneve të gabuara në lëndën e Shkrimit Shenjt të Biblës dhe të studiojë e të ndriçojë çështjet e diskutuara si dhe problemet urgjente në fushën biblike.







All the contents on this site are copyrighted ©.