2012-04-12 16:47:24

Papa Benedikti XVI
mbush 85 vjet.


Sot më 16 prill Papa Jozef Ratcinger-Benedikti XVI mbush 85 vjet. I 265-ti Papë i Romës, i nënti pasardhës gjerman i shën Pjetrit, lindi në Markt am Inn, në Bavari, në vitin 1925, u zgjodh Papë më 19 prill 2005.
Në qendër të programit të tij, përvijuar qysh në ditën e parë, Krishti që është dashuri e që kërkon ta duash, ashtu sikur Papa na mëson në enciklikën “Zoti është dashuri”. Krishti “miku” i çdo njeriu që di e do ta kërkoi, deri sa të bëhet zbulim i mahnitshëm sikur ka qenë për Jozef Racingerin si person, sikur na ka dëshmuar me thjeshtësi të jashtëzakonshme në librin e posa botuar.
Pika tjetër qendrore e Papës Benediktit është njeriu me etjen e vet për të vërtetën që mund shuhet vetëm nga Zoti. Dialogu mes fesë dhe arsye, familja dhe mbrojtja e jetës, zbatimi i Koncilit të II-të të Vatikanit, impenjimi ekumenik e dialogu ndërfetar me fe tjera, në mënyrë të veçantë me Islamin. Këto pra janë pikat themelore që Ati i Shenjtë Ratcinger- Benedikti XVI i ka shpallur në ditën e parë të papnisë së vet e të cilat është duke i çuar përpara që nga dita e 19 prillit 2005, kur Konklava e kardinajve e thirr i të zëvendësonte Gjon Palin II-të.
Teolog i madh, njeri i thjesht e pajisur me aftësi të madhe dëgjimi, mjeshtër në predikime, i qartë, i thellë dhe i kuptueshëm në fjalim e edhe në trajtimin e argumenteve më të ndërlikuara, gjatë papnisë shtatë vjeçare ka bërë 23 udhëtime ndërkombëtare e 27 në Itali, ka shkruar tri enciklika – (Deus caritas est, 25 dhjetor 2005; Spe salvi, 30 nëntor 2007; Caritas in Veritate, 29 qershor 2009, për të thënë se dashuria dhe shpresa nuk janë diçka por dikush, do të thotë Krishti, e për të përtëri doktrinën shoqërore të Kishës. Papa Benedikti XVI ka shkruar veprën ‘Jezusi i Nazaretit”, për të treguar se feja nuk është listë ndalesash e pengesash për njeriun besimtar por një marrëdhënie miqësie me Zotin bërë njeri.
Ka vënë në qendër të misionit të tij papnor temën e varfërisë e të Afrikës, të të rinjve, të ekumenizmit e të kumtimit të fesë. Ka reformuar ligjet financiare të Kishës për t’i vënë në përkim e sipas standardeve ndërkombëtare të transparencës. Ka luftuar në mënyrë energjike kundër pedofilisë së klerit, duke imponuar ligje e rregullore të qarta e të rrepta që parandalojnë, ndëshkojnë fajtorët dhe përtëritin Kishën nga brenda, ndihmojnë formimin e ndërgjegjes e përcaktojnë qëndrimin e prerë e të fortë të Kishës ndaj priftërinjve pedofilë. Brenda këtij viti ipeshkvijtë e mbarë botës duhet të përcaktojnë dhe t’u përmbahet udhëzimeve e urdhrave për luftimin e këtij krimi. Ka ndërmarrë një fushatë për ungjillëzimin e ri të shoqërisë së shekullarizuar e po përgatitet për të kryesuar, në vjeshtë, kremtimet me rastin e 50 vjetorit të Koncilit të II Kishtar të Vatikanit, shoqëruar nga Viti i Fesë për të orientuar udhën e Kishës e për t’iu përgjigjur krizës së fesë e të besimit që e shqetëson që nga çasti i zgjedhjes në udhëheqje të Kishës universale.
Jozef Ratcinger, fëmijërinë e kaloi në Traunstein. I shuguruar meshtar më 29 qershor 1951, i laureuar në teologji me tezën mbi shën Agostinin, e më vonë u specializua me një tezë tjetër mbi shën Bonaventurën, ka qenë docent teologjie në Frising, Bon, Muenster, Tubingen e Regensburg.
Ka qenë ekspert i Koncilit II të Vatikanit. Në vitin 1977 Pali VI e emëroi kryeipeshkëv të Munihut e më 27 qershor e krijoi kardinal. Motoja e tij ka qenë “Bashkëpunëtor i së vërtetës”. Ka marr pjesë në konklavat që më 1978 zgjodhën Papën Luciani Gjon Palin I dhe Papën Wojtila Gjon Pali II. Më 1981 Gjon Pali II e emëroi Prefekt të Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë. Ka qenë president i komisionit përgatitor për Katekizmin e Kishës katolike, zëvendës dekan e pastaj dekan i Kolegjit Kardinalor. Tejet të shumta janë botimet e tij para zgjedhjes, por edhe si Papë ka kultivuar dhuratën e shkrimit në shumë fusha e aspekte teologjik e kishtare.
Ad multos annos Ati i Shenjtë!







All the contents on this site are copyrighted ©.