U kremtuan në Shën Pjetër, salikimet e kardinalit Daoud, “protagonist i bashkimit
të të krishterëve”
“Dëshmitar i bashkimit ndërmjet të krishterëve: kështu e quajti dje kardinalin Ignace
Moussa I Daoud, Patrik nderi i Antiokisë së Asirëve e ish- prefekt i Kongregatës për
Kishat Lindore, dekani i kolegjit kardinalor, Angelo Sodano, i cili kremtoi Meshën
e Dritës për të në Bazilikën e Shën Pjetrit. Prelati i shquar u nda nga kjo botë të
shtunën e kaluar, në moshën 89 vjeçare. “E kaloi jetën në shërbim të Kishës”, vuri
në dukje kardinali Sodano, duke theksuar se edhe Papa, megjithëse ndodhet në Castel
Gandolfo, merr pjesë në përkujtimin e kësaj figure, që bëri shumë për bashkimin e
të krishterëve. Si Patrik i Antiokisë, mori emrin Injac, emrin e ipeshkëvit të parë
të vendit pas Shën Pjetrit. “Atëherë, Antiokia ishte një qytet i madh i Sirisë – shpjegoi
kardinali Sodano. Aty, dishepujt e Krishtit filluan ta quanin veten të krishterë”.
E pikërisht nga ai vend filloi edhe misioni i Kishës së bashkuar, “me një shpirt e
me një zemër të vetme”, për ta përhapur fjalën e Ungjillit, kudo në botë. Dashuria
për Antiokinë e shtyu kardinalin Daoud të zgjedhë Beirutin si vend për pushimin e
pasosur, në një varr pranë paraardhësve të tij. “Ne në Romë – përfundoi dekani i kolegjit
kardinalor – do ta kujtojmë gjithnjë si protagonist të bashkimit, duke u impenjuar
në punë për të mirën e së Shenjtes Kishë, të mbledhur rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit,
ashtu si e deshi Krishti”.