2012-04-11 17:26:36

Papa në audiencën e përgjithshme: Krishti i Ngjallur hap varret e zemrave e dhuron entuziazmin e fesë.


Sot Benedikti XVI ia kushtoi gjithë audiencën e përgjithshme Solemnitetit të Pashkëve, në sa atmosfera e gëzueshme e Ngjalljes së Krishtit, vijon. Ati i Shenjtë Ractinger, që erdhi në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan nga Kastel Gandolfo, për t’u rikthyer përsëri atje, pas auidencës së përgjithshme, e përqendroi katekizmin tek frytet dhe shndërrimi i thellë, që solli Ngjallja e Krishtit në bashkësinë e Apostujve, të tronditur për vdekje nga ngjarjet e trishta të së Premtes së Madhe. Duke dalë nga varri, Krishti solli përsëri ndërmjet të vetëve, gëzimin e pamort të fesë.
Ndryshimet, kujtoi Benedikti XVI, nisin që nga mbrëmja e Ngjalljes. Çenakulli, ku janë strukur apostujt, është një dhomë përplot me droje, drithma, tmerr. Jezusi e di mirë këtë, prandaj, pasi hyn brenda, duke kapërcyer pragun e portës së mbyllur, shqipton së pari një frazë:
“Paqja qoftë me ju! Është përshëndetja e Pashkëve. Duke u përhapur në hapësirën e Çenakullit, zhduk çdo frikë nga zemrat e dishepujve. Paqja, që sjell Jezusi, është dhurata e shëlbimit të premtuar në fjalët e lamtumirës: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time!”. Në këtë ditë të Ngjalljes, Ai ua jep me begati e paqja e Zotit bëhet, për bashkësinë, burim i gëzimit, i kthjelltësisë, i fitores, i sigurisë se tani kishin ku të mbështeteshin. Zoti ishte me ta”.
Më pas Jezusi u tregon plagët e kryqëzimit. Edhe ky gjest, vijoi Benedikti XVI, ka një qëllim të mirëpërcaktuar: Zoti tregon, kështu, se natyra e tij njerëzore mbetet e plagosur. Ngjallja nuk e ndryshon faktin, se ai është njeri i vërtetë. I vërtetë bëhet, që atë çast, edhe gëzimi i Apostujve; e vërtetë, edhe paqja, e dhuruar nga Jezusi:
Është dhuratë e të Ngjallurit për miqtë e Tij, e njëkohësisht, edhe mision: kjo paqe, që Krishti e fitoi me gjakun e vet, nuk u përket vetëm atyre, por të gjithë njerëzve, prandaj dishepujt duhet ta çojnë deri në skajet më të humbura të botës. Kjo risi e jetës, që nuk vdes, dhuratë Pashkësh, duhet përhapur kudo, që ferrat e mëkatit, të cilat plagosin zemrën e njeriut, t’i lënë vendin filizit të ri të Hirit”.
Një hap e ndan Çenakullin e mbyllur me shula hekuri, prej frike, nga shtëpitë e mbyllura të kohës sonë, një kohe, për Papën, ngjyrë hiri, si qielli i sotëm, ngarkuar me re e erë të akullt, mbi Sheshin e Shën Pjetrit. Por, ashtu si porta e mbyllur me lloz të hekurt nuk mundi ta ndalonte hyrjen e Krishtit, as porta e sotme e zemrave, sado e hekurt të jetë, nuk do të mund ta ndalojë kurrë Krishtin t’i dhurojë njerëzimit gëzimin, paqen, jetën, shpresën. Jezusin nuk mund ta pengojnë portat e mbyllura, as zemrat e mbyllura. Sepse Ai u ngjall. Krishti jeton! E sa ka jetë, ka edhe shpresë:
“Vetëm Ai mund t’i flakë tutje gurët e varrit, të cilët njeriu shpesh i hedh mbi gropën e ndjenjave, të marrëdhënieve, të sjelljeve: gurët e përçarjeve, armiqësive, mllefeve, mërive, mosbesimit, indiferencës, që sjellin vdekjen. Vetëm Ai, i Gjalli, mund t’i japë kuptim jetës e ta ndihmojë njeriun e trishtuar, të kapitur, të neveritur nga e sotmja, pa asnjë shpresë, të rifillojë plot besim udhën e jetës”.
Përmbysjen e bindjeve të ndjekësve të Jezusit në orët e para pas Ngjalljes, e dëshmojnë më së miri dishepujt e Emmausit. Benedikti XVI e kujtoi sot edhe historinë e tyre: nga zhgënjmi, tek besimi; nga shpresat e humbura; tek zemrat që rrahin rishtas, plot me fe e shpresë, në hapësirën e pak kilometrave, sepse kanë takuar Krishtin, kanë dëgjuar fjalën e Tij, kanë thyer me Të bukën, që shndërron jetën. Ky episod na tregon “dy vendet”, ku mund ta takojmë të Ngjallurin, që e shndërron edhe jetën tonë. Janë: dëgjimi i Fjalës, në bashkim me Krishtin, e thyerja e bukës; vende që shkrihen njëri në tjetrin, sepse “Fjala dhe Eukaristia nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën”. Fjala e Zotit bëhet korp sakramentor në Eukaristi:
Të dashur miq, uroj që Koha e Pashkëve të jetë rast i zgjedhur për të rizbuluar me gëzim e entuziazëm burimet e fesë. Besimi në Krishtin e shndërron jetën tonë: na çliron nga frika, na jep shpresë të sigurtë, na dhuron atë, që e mbush jetën plot kuptim: dashurinë e Zotit”.
Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme të botës, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë diakonëve të Shoqërisë së jezuitëve dhe një grupi fëmijësh nga Milano, duke i ftuar të përgatiten shpirtërisht për Takimin e ardhshëm botëror të familjeve, që do të mbahet në kryeqendrën lombarde pas një muaji e gjysëm. Në këtë përgatitje, ju ndihmoftë Konaku Shenjt, u tha Papa, i cili pak para se të fillonte audienca e përgjithshme, kishte bekuar një ikonë të madhe të Familjes Shenjte, që do të shtegtojë këtë ditë përgatitore, në shtëpitë e Milanos.







All the contents on this site are copyrighted ©.