Më 11 prill kalendari kujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir.
Kalendari Kishtar më 11 prill përkujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir i Krakovisë.
Shën Stanislaon, qe mbështetës i patrembur i lirisë së Kishës dhe i dinjitetit të
njeriut, mbrojtës i të vegjëlve dhe i të varfërve, pësoi martirizimin në periudhën
e mbretit Boleslao II. U kakonizua nga Papa Incoçenci IV në Asizi në vitin 1253, është
pajtor qiellor i Polonisë. Mbreti Boleslau II i Polonisë (1058-1079) kujtohet nga
historia për fitoret e bujshme ushtarake që e fuqizuan shtetin e tij të ri, duke ia
zgjeruar kufijtë, në dëm të Rusisë, për vlerësimin e tokave, të cilat i riorganizoi
në mënyrë të re, për reformat juridike dhe ekonomike. Por njëkohësisht historiani
i parë polak, Vinçenc Kadlubek, e kujton po këtë mbret si njeri të padrejtë, me një
jetë tepër të shthurur private. E ndërsa Boleslau vijonte të ecte në rrugë imorale,
u ndesh me një kundërshtar të pamposhtur. Ashtu si shën Gjon Pagëzuesi përballë Herodit,
ipeshkvi guximtar i Krakovisë, Stanislau, e ngriti fuqimisht zërin kundër sovranit,
duke e qortuar rëndë e duke i kujtuar se duhet të respektonte jo vetëm të drejtat
e vetvetes, por edhe ato të tjerëve. Stanislau lindi rreth vitit 1030 në Shzepanovo,
në dioqezën e Krakovisë, nga prindër të varfër. Pasi kreu mësimet e para ndër etërit
benediktinë të Krakovisë, iu krijuan kushtet për t’i plotësuar studimet në Belgjikë,
në studentatin e famshëm të Liezhit, ku edhe u diplomua. U kthye menjëherë në atdhe,
ku nisi të dallohej për zellin baritor e për veprat e mira, që i realizonte me dashuri
e urti. Si vdiq ipeshkvi i Krakovisë, Papa Aleksandri II e emëroi Stanislaon në
detyrën e lartë. Përveç popullit e klerit, emërimi i tij u prit me gëzim të madh edhe
nga vetë Boleslau II, i cili në vitet e para e përkrahu fuqimisht në veprën e ungjillëzimit
të të gjithë zonës si dhe në përpjekjen për formimin e klerit shekullar vendas, që
duhet të zinte pak nga pak vendin e murgjërve benediktinë në mbarështimin e Kishës
polake. Harmonia ndërmjet ipeshkvit e sovranit nuk zgjati shumë, sepse mbreti i
ri dredhoi rrugë e nisi të ecte në gjurmët e t’et. E Stanislau guximtar nuk ngurroi
t’i kundërvihej mikut. Kronikat e kohës tregojnë se mbreti, i dashuruar me Kristinën,
aristokrate me bukuri të rallë e bashkëshorte e Mieçislaut, e rrëmbeu atë, duke shkandulluar
gjithë vendin. Ipeshkvi sypatrembur e qortoi rëndë e pastaj edhe e mallkoi mbretin,
duke ndezur flakë zemërimin e tij. Boleslau II iu përgjigj mallkimit që iu bë para
gjithë popullit duke e mbytur imzot Stanislaun ndërsa po kremtonte Meshën e Shenjtë
në Kishën e Shën Mikelit. E mbrapshtia e tij kishte arritur deri në atë pikë, saqë
e vrau me dorë të vet ipeshkvin trim. I nderuar nga polakët që nga dita e martirizimit
të tij, Stanislau u shpall shenjt më 17 gusht 1253 në bazilikën e Shën Françeskut
në Asizi e, që asokohe, kulti i tij u përhap me shpejtësi në Evropë e në Amerikë.