2012-04-10 15:37:47

Vikari i maronitëve, imzot Sajah: Libani pret me padurim vizitën e Benediktit XVI


Për Pashkë, u njoftua se Papa Benedikti XVI do të shkojë në Liban nga 14 deri më 16 shtator. Ky lajm u prit me entuziazëm, sidomos nga bashkësitë katolike të vendit, siç pohon në mikrofonin tonë, vikari apostolik i Patriarkatit maronit, kryeipeshkvi i Haifës dhe i Tokës Shenjte, imzot Paul Nabil Sajah:
Është lajm shumë i bukur, para së gjithash, sepse Ati i Shenjtë vjen në Liban; vetë vizita e Papës do të ketë efekt pozitiv mbi Kishat e mbi vendin në përgjithësi. Vizita do të sjellë entuziazëm në Kishë e do t’i inkurajojë të gjitha bashkësitë libaneze të gjallërohen e të përtërihen: jo vetëm për pritjen e Atit të Shenjtë, por edhe për reflektimin mbi gjendjen e mbi rinovimin e paktit ekzistues ndërmjet tyre, sidomos mbi bashkëjetesën, e cila – siç thoshte i Lumi Gjon Pali II – e bën Libanin mesazh, më tepër se vend, mesazh dialogu ndërmjet feve. Ky është një mesazh, për të cilin kemi shumë nevojë, në këtë çast, jo vetëm në rajonin tonë, por në botën mbarë. Vizita e Atit të Shenjtë ka edhe një aspekt të veçantë: Benedikti XVI vjen për të na dorëzuar Këshillimin pas-sinodal, pra rezultatin e reflektimeve të tij mbi Sinodin e Lindjes së Mesme. Kjo do të sjellë edhe më gjallëri jo vetëm për Kishën në Liban, por për të gjithë rajonin, pikërisht sepse është fjala për Sinodin e Lindjes së Mesme. Presim shumë nga ky Këshillim Apostolik, duke pasur parasysh edhe gjendjen e të krishterëve në rajon e situatën politike.
Gjatë vizitës, Benedikti XVI do të kryesojë një takim kushtuar të rinjve të Libanit. Sipas jush, çfarë presin të rinjtë libanezë nga një vizitë e rëndësishme, si ajo e Papës?
Presin nga Papa t’u japë guxim, hov të ri, t’u kujtojë se për vetë faktin se janë të rinj, kanë një përgjegjësi të veçantë përsa i përket Këshillimit Apostolik: pikë së pari, ata do të përfitojnë më shumë nga përmbajtja e Këshillimit e ata do ta ndihmojnë më shumë Kishën të përtërihet, të dëshmojë Ungjillin e të bashkojë njerëzit. Të rinjtë kanë sjellje më pak të fosilizuara e ide më të reja…. Ja, nga ky këndvështrim, mendoj se Ati i Shenjtë do të jetë vërtet për ta arsye entuziazmi, siç ndodhi edhe në vitin 1997, kur erdhi Gjon Pali II për të dorëzuar Këshillimin Apostolik pas Sinodit për Libanin.







All the contents on this site are copyrighted ©.