Meshë e kardinalit Komastri për të rinjtë milanezë: ndiqeni misionin, që Zoti ka zgjedhur
për ju
Kardinali Anxhelo Komastri, Mëkëmbësi i Papës për Shtetin e Vatikanit, kremtoi sot
paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, një meshë për të rinjtë 14-vjeçarë të kryedioqezës
së Milanos, të cilët marrin pjesë në një shtegtim, që i përgatit për “Besojmën e fesë”,
të cilën e thonë të gjithë ata, që me anë të këtij akti solemn, impenjohen veçanërisht
në Kishë. Në formulën përkatëse, përveç Besojmës niçeno-kostandinopojane, deklarohet
edhe ndjekja e mësimeve të Kishës e të Papës, siç parashikohet nga direktivat e Kongregatës
për Doktrinën e Fesë. Të rinjtë, rretj 6 mijë vetë, do të marrin pjesë nesër edhe
në audiencën e përgjithshme të Benediktit XVI në Vatikan, ku do të rinovojnë ftesën
drejtuar Atit të Shenjtë për të shkuar në Takimin VII Botëror të Familjeve, në qershor. Drita
e Krishtit fiton mbi errësirën. Në Meshën për të rinjtë milanezë, kardinali Komastri
theksoi se kremtimi i Natës së Pashkëve fillon në errësirë për të kujtuar të keqen,
që ekziston në botë. E kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit numëroi një sërë vendesh
ku e keqja ka marrë formën e luftës, nga Siria në Sudan, nga Mali në Tokën e Shenjtë: “Mendoni
sa gjak derdhet akoma, në këtë çast… Çfarë është kjo? Është errësira! Mendoni sa dhunë
ka akoma nëpër rrugë, nëpër sheshe, në shtëpitë tona… Kjo është errësira! Mendoni
sa të rinj shpërdorojnë jetën, rininë, kohën më të bukur të ekzistencës… Në mesin
e kësaj errësire shfaqet drita e Krishtit, që na propozon një jetë tjetër e na jep
forcë për një jetë tjetër!” Është drita, që pa Maria Madalenë. Thirrja e saj
“Jezusi u gjall”, për të cilën flet Ungjilli, tingëllon akoma si para dymijë vjetësh.
Ky është lajmi që çoi nëpër botë Gjon Pali II, të cilit, kardinali Komastri i kushtoi
një pjesë të madhe të homelisë: “Vizitoi 129 kombe për të shpallur Jezu Krishtin,
për t’u thënë të gjithëve me zë të lartë: “Jezusi u ngjall! Është gjallë. E kam parë,
e kam takuar. Nuk ka dritë tjetër, që mund të ndriçojë jetën e njerëzve!” Prelati
kujtoi fazat e ndryshme të jetës së jashtëzakonshme të të Lumit Karol Vojtila, që
dallohen – të gjitha – për lëshimin e plotë në dorën e Zotit. Këtë besim, tha kardinali
Komastri, duhet të kenë edhe të rinjtë e sotëm: “Nëse doni ta keni zemrën plot
me gëzim, përkushtojuni thirrjes, misionit që Zoti ka menduar për ju: kërkojeni, kuptojeni
e, kur ta keni kuptuar, thoni “po”, siç pati thënë Maria, siç pati thënë Gjon Pali
II, siç patën thënë të gjithë shenjtorët, të gjithë të krishterët e vërtetë e koherentë,
që përhapën në botë dritën e Jezusit të Ringjallur”.