2012-04-09 16:37:24

“Tregime nga personalitete të famshme, për Papën” në një vëllim të botuar në Gjermani, paraqitur sot paradite Benediktit XVI


“Benedikti XVI – tregime të personaliteteve të famshme për Papën” është titulli i vëllimit, shtypur nga Shtëpia Botuese gjermane ‘Maria Verlag’, që iu paraqit sot paradite Atit të Shenjtë nga ish-governatori i Bavarisë, Edmund Stoiber. Libri, realizuar me rastin e 85-vjetorit të ditëlindjes së Atit të Shenjtë, që bie më 16 prill, përmbledh tregime të personaliteteve të famshme gjermane, që përshkruajnë admirimin për Benediktin XVI. Ndërmjet atyre, që dhanë kontribut të shkruar, dallohen emra, si ai i ish-futbollistit Franz Beckenbauer, i ministrit të sotëm të financave gjermane, Wolfgang Schäuble, e emra të tjerë.
Libri i ri iu dorëzua Papës në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në Kastel Gandolfo. Sipas një kumunikate të Shtëpisë Botuese, Papa e përshëndeti mysafirin që vinte nga Bavaria e tij e dashur.
Në një intervistë, dhënë programit gjerman të Radio Vatikanit, ish governatori bavarez Stoiber, tregon si u takua për herë të parë me Benediktin XVI: “Në vitet ’60 unë ndiqja fakultetin e drejtësisë, por kisha shumë interes edhe për leksionet e atë Karl Rahner. Gjatë këtyre leksioneve, zbulova edhe një profesor tjetër. Ishte pikërisht Jozef Ratcinger. Më preku fakti se leksionet tij ndiqeshin nga një mori studentësh. Asokohe, në vitet ’68, kjo nuk ishte gjë normale”.Edmund Stoiber i bëri personalisht Papës urimet më të mira për ditëlindjen e afërt.







All the contents on this site are copyrighted ©.