Simbolet fetare e shekullare të Pashkëve: vezët, qengji, perpeqi
Vezët prej çokollate, që i tërheqin aq shumë fëmijët (por edhe të rriturit),
të cilët i thyejnë sapo t’i marrin në dorë, për të gjetur brenda dhuratën, ose për
t’i ngrënë, duke ndotur duar e fytyrë, janë dhuratë tipike, që shkëmbehet këto ditë
të Festës së madhe të Pashkëve. Tradita e vezëve ka zanafillë pagane. Natyrisht,
nuk bëhej fjalë për vezë prej çokollate, por për vezë pule, sa më të freskëta, të
mbledhura nga furriqet.Traditë, që vijon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Veza
simbolizonte, e simbolizon ende, rilindjen e natyrës në stinën e pranverës. Nisi të
përdorej që ndër persianët e lashtë, ndjekur nga egjiptianët, grekët e kinezët. Në
Mesjetë u bë traditë që, në fillim të pranverës, t’u dhuroheshin vezë shërbëtorëve
të dyerve të mëdha. Erdhi, pastaj, krishterimi, që i dha edhe vezës kuptim të ri;
veza e ngjyrosur, zakonisht me ngjyrë të kuqe, ngjyrë e gjakut, domethënë e jetës,
ose e vizatuar primitivisht, gjithnjë me ngjyra të gjalla, u bë simbol i një ringjalljeje
tjetër, shumë më të rëndësishme për jetën e botës: Ngjalljes së Krishtit. Përhapja
e traditës së shkëmbimit të vezëve, që ndër shqiptarë janë kryesisht të kuqe, por
edhe të gjelbra, simbol i gjethimit, të pikturuara me shumë ngjyra e madje edhe të
zeza, ku ka vdekje, nisi nga trojet gjermane. Por veza e pikturuar u bë mit i
vërtetë falë argjendarit rus, Peter Karl Fabergé i cili, në vitin 1883, u ngarkua
nga cari me detyrën të përgatiste një dhuratë të jashtëzakonshme për carinën Maria.
Argjendari realizoi, me këtë rast, vezën e parë “Fabergé”, prej platini të smaltuar
me të bardhë, që përmbante një vezë tjetër, ari, brenda së cilës ishin dy dhurata
të tjera: një riprodhim i kurorës perandorake dhe një zog i artë pule. Prej këndej,
dhurata e fshehur brenda vezës. Ndërsa për të kaluar nga veza e pulës, tek ajo
prej çokollate, u desh të zbulohej Amerika, prej nga erdhi në Evropë fara e kakaos,
pa të cilën nuk mund të bëhet fjalë për çokollatë. Atëherë nisi, një herë me ndrojtje,
duke filluar nga Holanda, për të kaluar, në vitet ‘800 edhe në Zvicerr, prodhimi i
vezëve prej çokollate, edhe me qumësht, vepër artizanati e mjeshtrave të mëdhenj.
Ndërsa sot vezët prej çokollate prodhohen nga ndërrmarrjet e mëdha të ëmbëlsirave
dhe eskpozohen në vitrina një muaj para Pashkëve. Në Shqipëri sot për sot vezë
të tilla janë traditë e mall importi. Prodhueset kryesore shqiptare të vezëve, vijojnë
të mbeten pulat. E artistët, që i shndërrojnë në objekte arti, prindërit e fëmijët
e tyre, që dëfrehen shumë duke përgatitur vezët e Pashkëve ngjyra-ngjyra, për t’i
shkëmbyer pastaj, si dhuratë, ose për të bërë ‘pik-vezë’, duke u mburrur për vezën
më të fortë e cila, sipas traditës, sjell edhe fat, deri në Pashkët e reja. Dhurimi
i vezëve shoqërohet me urime për miqësi, dashuri, mbarësi. Shumë shpesh të krishterët
shqiptarë u dhurojnë shporta me vezë dashamirëve të tyre myslimanë, në shenjë miqësie.
Qengji sipas
traditës, në të gjitha sofrat e familjeve të krishtera, në ditën e Pashkës shtrohet
mishi i pjekur i një qengji motak. Është simbol, nga i cili nuk hiqet dorë prej shekujsh.
Vjen nga Shkrimi Shenjt e ritet hebraike. Të kujton pikërisht Pashkët hebraike, daljen
e popullit izraelit nga Egjipti, kur Hyji i ndeshkoi egjiptianët për prapësitë e tyre
kundër Popullit të zgjedhur, duke dërguar një Engjëll, që t’i shfaroste gjithë bijtë
e tyre të parë. Ndërsa hebrenjtë vinin mbi portat e tyre, për t’u dalluar nga egjiptianët,
shenjën e gjakut të qengjit, flijuar sipas porosisë së vetë Hyjit, duke shpëtuar bijtë
e duke nisur udhën 40-vjeçare drejt Tokës së Premtuar. Qengji i Pashkëve flijohej
nga kryefamiljari e pastaj piqej e vendosej mbi dy copa druri në formë kryqi, pa
ia thyer kockat. Kështu, në Besëlidhjen e Vjetër. Ndërsa në të Renë, qengji bëhet
simbol i vetë Krishtit të pafajshëm, që fljijohet për shpëtimin e gjithë fajtorëve.
Simboli është i pranishëm vetëm në Ungjillin sipas Gjonit, në të cilin Gjon Pagëzuesi
e tregon me gisht Krishtin, duke e quajtur “Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”.
E gjejmë, më pas, edhe në Librin e Zbulesës, ku përmendet 28 herë. Por Kisha e
shikon pikërisht në fjalët e Gjon Pagëzuesit lidhjen e ngushtë ndërmjet qengjit të
pashkëve të Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së Re: qengji, në traditën hebraike,
flijohej natën e Pashkëve hebraike; e Jezu Krishti u kryqëzua pikërisht atë ditë! Traditë
tejet e lashtë, kjo, e shumë simbolike, për njerëz modernë, që shtegtojnë kah trupa
te tjerë qiellorë, pa e humbur kurrë rrugën, në sa gjithnjë më shpesh e humbasin udhën
e jetës së tyre. I nevojshëm, gjaku i qengjit mbi dyert e botës së sotme, për të shpëtuar
nga një mori skllavërish. Sepse qengji mbetet në shekuj simbol çlirimi e shprese,.
Perpeqi Ndërsa ëmbëlsira me emrin tingëllues ‘Pëllumbeshë’, që mbush
përplot këto ditë vitrinat e botës së krishterë, në Shqipëri nuk njihet, sepse për
Pashkë gatuhet perpeqi, një lloj qumështori. Duhet të ketë një zanafillë jo aq mitike,
e edhe të paqartë. Me sa duket, zanafillë thjesht tregtare.Ndërsa perpeqi, që bekohet
në Kishë, është tipik pranveror, sepse i gatuar me vezë e i shoqëruar me hudhra të
njoma.