2012-04-09 16:06:30

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, flet për kuptimin e Ngjalljes së Krishtit, ngjarje që ia ndërroi faqen historisë


Kuptimi i misterit të Ngjalljes dhe roli i grave në rrëfimin e Ungjijve, ishin në qendër të reflektimeve të Papës në lutjen mariane të Kohës së Pashkëve drejtuar Mbretëreshës Qiellore, nga Kastel Gandolfo.

E hëna pas Pashkës, në shumë vende të botës është ditë pushimi, në të cilën mund të bëhen shëtitje të këndshme në gjirin e natyrës, ose të shkohet për vizitë tek familjarët e largët, për t’u mbledhur rreth sofrës gjithë së bashku. Kështu e kremtja fiton ngjyrime të reja e shkëmbimi i urimit: “Për shumë vjet-gjithë bashkë”, bëhet edhe më prekës.
Këtë kujtoi Papa në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore. E, më pas, uroi që të krishterët të mos harrojnë kurrë pse pushohet në këtë ditë, të mos harrojnë se është dita e dytë pas Ngjalljes së Krishtit, misteri vendimtar i fesë sonë, e të reflektojnë për tregimet e ungjilltarëve kushtuar Ngjalljes. Janë tregime që, në mënyra të ndryshme, përshkruajnë takimet e dishepujve me Krishtin e ngjallur, shpjegoi Benedikti XVI, e na nxisin të meditojmë për këtë ngjarje mahnitëse, që e shndërroi historinë, duke i dhënë kuptim jetës së çdo njeriu.
Papa nënvizoi se vetë ngjarja e Ngjalljes, si e tillë, nuk përshkruhet nga Ungjilltarët e, në vijim, shpjegoi se
“... mbetet misterioze, jo në kuptimin më pak reale, por e kryer në fshehtësi, përtej kufijve të mendjes sonë: si dritë lëbyrëse, së cilës nuk mund t’ia ngulësh sytë, përndryshe, do t’i verbonte”.
Ndërkaq rrëfimet nisin që nga çasti kur, në agimin e ditës pas së shtunës, gratë shkojnë tek varri për të vajuar trupin e Krishtit të vdekur, mbështjellë për ngut me çarçaf menjëherë pas zbritjes nga kryqi. Nuk e gjejnë. Varri është i hapur, i zbrazët, Shën Mateu, në rrëfimin e tij, flet për një tërmet e për një engjëll plot dritë flakëruese, që rrotullon gurin e rëndë nga gryka e varrit, për t’u ulur, pastaj mbi të. Është kasneci me flatra i Ngjalljes! Ai ua jep lajmin e madh grave. E ato, duke u dridhur sa nga frika, aq nga gëzimi, vrapojnë t’ua japin dishepujve. Pikërisht në këtë çast, takojnë vetë Jezusin. Gratë, kujtoi Benedikti XVI, janë shumë të pranishme në misterin e Pashkëve:
“Në të gjithë Ungjijtë, gratë kanë hapësirë të madhe në rrëfimet mbi dukjen e Jezusit, ashtu siç kanë edhe në rrëfimet mbi mundimet e vdekjen e Krishtit”.
E pas këtij shpjegimi, që i çoi besimtarët në epokën kur ndodhen ngjarjet e Pashkëve të Krishtit, Benedikti XVI u rikthye në të sotmen:
Asokohe në Izrael, dëshmia e grave nuk mund të kishte vlerë zyrtare, juridike, por ato përjetuan një çast krejt të veçantë të lidhjes me Zotin, themelor për jetën konkrete të bashkësisë së krishterë, e kjo ka vlerë përgjithmonë, në çdo epokë, jo vetëm në hapat e para të Kishës”.
Modeli më i përkryer e më i pashembullt i lidhjes me Jezusin, vijoi Papa, e në mënyrë të veçantë, i lidhjes me misterin e tij të Pashkëve, natyrisht është Maria:
“Pikërisht përmes përvojës shndërruese të Pashkës së Birit të saj, Virgjëra Mari bëhet edhe Nënë e Kishës, domethënë, e të gjithë besimtarëve dhe mbarë bashkësisë së tyre”.
Pas lutjes, drejtuar Mbretëreshës Qiellore, Papa uroi që Maria të na ndihmojë ta provojmë praninë e gjallë të Zotit, burim i shpresës e i paqes për secilin nga ne.
Në përfundim, përshndetjet në gjuhët e shtegtarëve, që e mbushën përplot oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, me larushi ngjyrash e brohori vërtet pranverore:
në frëngjisht, inkurajimi për ta pranuar ftesën që Krishti i Ngjallur u drejton apostujve: “Shkoni e kumtojeni Lajmin e Mirë në skajet më të largëta të botës!”;
në anglisht: një mendim për gëzimin e ri, pasojë e çlirimit prej mëkateve e prej vdekjes;
në gjermanisht, fjalë kushtuar shpresës, që buron nga vetëdija se Krishti u ngjall, duke ngadhënjyer përgjithmonë mbi mëkatin e mbi vdekjen;
në polonisht, ftesa për ta bërë dëshminë e fesë sonë sa më tërheqëse, që edhe të tjerët ta ndjekin Zotin e gjallë;në italisht, një urim i përzemërt për Festën e madhe;
të gjithëve, urimi për të kaluar një ditë të gëzuar, në dritën e paqen e Zotit të ngjallur!







All the contents on this site are copyrighted ©.