2012-04-09 16:06:43

Më se 45 të vdekur gjatë sulmeve në qendër e në veri të Nigerisë.


Pashkë të përgjakura në Nigeri, ku nuk pushojnë sulmet e fanatikëve islamikë të grupit Boko Haram kundër të krishterëve. Sot paradite shtatë vetë, ndërmjet të cilëve edhe një politikan vendas e dy civilë, u vranë gjatë dy sulmeve të armatosura në Diwka e Potiskum, në Veri të vendit. Kjo dhunë i shtohet asaj së djeshmes, kur dy autombomba iu afruan një kishe të krishterë në Kaduna, në veri të vendit, duke vrarë 38 vetë e duke plagosur shumë të tjerë. Pak më vonë, një shpërthim tjetër u dëgjua në qytetin Zhos, Nigeri qendrore. Dhuna nuk e kurseu Nigerinë as ditën e Krishtlindjes së sivjetme, kur tri bomba shpërthyen në afërsi të po aq kishave: një në rrethinat e Abuzha; tjetra, në Zhos; ndërsa e treta, në Gadaka. Në të trija kishat po kremtoheshin Meshët e Krishtlindjes. Kështu besimtarëve të vendit afrikan iu desh të paguajnë haraç gjaku edhe në ditën e njërës nga festat më të bukura. E pikërisht kur kremtonin. Në kulmin e Meshës, në vend të tingujve të këmbanave, u dëgjuan zhurmat shurdhuese të shpërthimit të bombave.
E shpërthimet e bombave i mbytën përsëri tingujt paqësorë e festivë të këmbanave të Pashkëve në Kaudna e Zhos, pikërisht në atë çast kur Benedikti XVI, duke i dhënë Bekimin Romës e Botës nga Sheshi i Shën Pjetrit, uronte: “Nigerisë, kohët e fundit teatër ndeshjesh të përgjakshme terroriste, gëzimi i Pashkëve i ndikoftë energjitë e nevojshme për rindërtimin e një shoqërie paqësore, që respekton lirinë fetare të qytetarëve të saj”.
Hollësirat e kësaj ngjarjeje tragjike për të gjithë bashkësinë e krishterë, i mësojmë nga atë Patrik Alumuku, drejtor i komunikimeve shoqërore të kryedioqezës së Abuzhës:

Përgjigje: - Më treguan se në qendër të Kadunës ishte një bombë në mes të rrugës. Vdiqën shumë njerëz. Nuk di më shumë në këtë çast. Nuk kam lajme të reja... Por e di mirë se atentatet vijojnë të jenë në rend të ditës... S’është për t’u çuditur, prandaj, po të jetë duke shpërthyer ndonjë bombë tjetër, në çastin kur po flas...

Pyetje: - Kaduna, prej vitesh teatër ndeshjesh të përgjakshme, është qytet i ndarë përgjysëm: në veri banohet nga myslimanët; në jug, nga të krishterët, gjithnjë me frikë në zemër, në pritje të ndonjë atentati të ri...

Përgjigje: - Po, në fakt, dje pasdite morëm vesh se ose në Kadunë, ose në Kano terroristët kishin vënë një bombë. Donin të sulmonin Kishat, por me që ishin të rrethuara nga të katër anët prej policisë, nuk mund të hynin brenda. Atëherë e lanë bombën në mes të udhës... dhe ndodhi ajo që ndodhi.

Pyetje: - Si po e jetojnë besimtarët atmosferën e Pashkëve? Me frikë?

Përgjigje: - Po, është atmosferë pasigurie, s’po them frike, sepse nuk dihej ku donin t’i vinin bombat, kë donin të godisnin këtë herë... Në Abuzha si dhe në qytetet e tjera të vendit, policët ishin kudo, në mbrojtje të kishave, për t’u dhënë siguri kishave e besimtarëve.

Pyetje: - Dje Papa, në Bekimin ‘Urbi et Orbi’ kujtoi Nigerinë dhe uroi që vendi, më në fund, të gjejë paqen e respektin për lirinë fetare. Ju, ç’i uroni kësaj toke të martirizuar nga dhuna, këto ditë ngazëlluese të Ngjalljes së Krishtit?

Përgjigje: - Shpresa e gjithë të krishterëve në këtë vend, dhe e gjithë nigerianëve, që e duan paqen, është të marrë fund një herë e mirë dhuna. Një dhunë, që vjen nga një grup i vogël islamik, i cili tensionon mbarë vendin. Shpresojmë e urojmë që në frymën e kremtimit të Pashkëve, të rivendoset paqja e bashkëjetesa në atdheun tonë, të përbashkët për të gjithë nigerianët, të krishterë e myslimanë.







All the contents on this site are copyrighted ©.