2012-04-08 14:55:16

Në Sheshin e Shën Pjetrit shkel pranvera e Ngjalljes së Krishtit


Sot, në Mesazhin drejtuar Romës e Botës, kur përshëndeti në gjuhën holandeze, Papa shprehu mirënjohjen e tij të thellë për lulet e mrekullueshme, ardhur nga Vendet e Ulëta, që zbukurojnë Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e solemnitetit të Pashkëve. Kanë kaluar 27 vjet nga Pashkët e para, kur Sheshi i Shën Pjetrit u stolis me lule shumëngjyrëshe, ardhur nga Holanda. Zbukurimi me lulet e para të pranverës e me drunj dekorativë kopshti, tashmë tradicional, nisi në vititn 1985. Ndërmjet ngjyrave të shumta, spikasin ngjyrat e Vatikanit, e bardha dhe e verdha. E harmonia e pranverës, duket sikur merr pjesë në shpalljen me forcë të re të lajmin e ringjalljes, të dritës e të gëzimi, që buron nga Pashkët e Krishtit.
25 mjeshtër në kompozimin e luleve dhe kopshtarë punuan me ritëm të plotë, për t’i mbuluar shkallët e gurta të tremes së Bazilikës, me bar të njomë, mbi të cilin mbollën 42.000 lule e 1.500 bimë e drunj, në lulëzim të harlisur. Dhjetra kompozicione renditen rreth elterit, mbi shkallët e mbi ballkonin, prej nga Papa i drejton mbarë botës mesazhin e Ngjalljes së Krishtit. Harmonizohen me hijeshi të jashtëzakonshme e me bimët zbukuruese, që nga zymbylat ngjyrë trëndafili, të bardhë, vjollcë, blu, tek tulipanet me të njëjtat ngjyra, që lulëzojnë pranë e pranë me narcizet, azaletë, pastaj me kumbullat e drunjtë e tjerë, përplot me lule, me lartësi deri në 4 metra.
Shkëlqim e forcë i jep kjo pranverë në miniaturë, Sheshit madhështor, shumëshekullor, që ka parë aq shumë papë, kardinaj, ipeshkvij, kremtime, lule, njerëz… E edhe shumë shenjtorë.
Miliona teleshikues nga mbarë bota ndjekin çdo vit kremtimin e Meshës Shenjte të Pashkëve. Me këtë rast, mund të admirojnë edhe shkëlqimin e forcën e madhe emocionuese, që kanë lulet e pemët zbukuruese. Me dy fjalë, Mesha e Pashkëve kremtohet në një skenografi, e cila i nderon kultivuesit holandezë të luleve, që kënaqin këto ditë mbarë botën, drejpërdrejt e në televizion. 25 kopshtarë holandezë u nisën të martën e kaluar nga Holanda, për të arritur në Romë, të Premten e Madhe, së bashku me lulet, transportuar në ajër të kushëzuar. Nisi menjëherë shkarkimi i bimëve, për të përfunduar në orën 6.00 të së Shtundes së Madhe, kur, nën, rrezet e para të diellit, krijuan kompozimet vërtet mahnitëse. Mjeshtri i parë, realizues i një skenografie të tillë, është kompozitori i luleve Nic van der Voort, ftuar në Romë me rastin e lumnimit të meshtarit holandez, Titus Brandsma. Që atëherë lindi tradita e zbukurimit të Sheshit të Shën Pjetrit, që sot përkoi aq mrekullisht me mesazhin, plot me shpresën e një pranvere të re, sidomos shpirtërore, të solemnitetit të Pashkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.