2012-04-08 17:55:25

Imzot Massafra: Zoti i jetës ngadhënjen me paqe!


“Ju mos u trembni!
E di se kërkoni
Jezusin e kryqëzuar!
Ai nuk është këtu!
U ngjall sikurse tha!
(Mt 28, 5-6).

ALLELUJA, KRISHTI U NGJALL!
Shumë të dashur bij e bija në Zotin,
të kremtojmë çdo vit Pashkët e Zotit, të kujtojmë dhe të rijetojmë gjestet e fjalët e tij, do të thotë të dëshmojmë fenë tonë në ngjalljen e Krishtit, do të thotë të pohojmë se besojmë se ngjarja e Jezusit të Nazaretit, si ka jetuar, si ka vdekur dhe është kthyer në jetë, ka ende edhe sot një vlerë e një domethënie të madhe për jetën e njerëzve dhe për krejt shoqërinë e njerëzimit. Prandaj, kremtimi i përkujtimit të Pashkëve të Zotit i bën të krishterët bashkëkohës të Pashkëve të Krishtit, një bashkëkohësi që përbëhet në vazhdimësinë e kuptimit sot për çdo besimtar të ngjarjes që ai kremton në liturgjitë pashkore.
Në të vërtetë, Pashkët e Krishtit janë edhe sot shëlbim nëse me to bashkohet çdo nxënës i Zotit me krejt ekzistencën e vet. Arsyeja për të cilën Kisha kremton çdo vit liturgjitë e Treditëshes së shenjtë është që t'i bëjë të krishterët ta njohin dhe të depërtojnë në të gjithë historinë e shëlbimit të ndriçuar prej vuajtjes, prej vdekjes dhe prej ngjalljes së Jezusit. Të dëshmojmë çdo vit në liturgjinë e Pashkëve të Zotit se «Krishti është ngjallur prej të vdekurve» do të thotë t'i shpallim çdo njeriu, çdo qenieje të gjallë dhe gjithë krijimit se «dashuria është më e fortë se vdekja». “E vranë duke e varur në shtyllë. Hyji e ngjalli të tretën ditë” (Vap 10,40).
Vëllezër, motra: dëgjojeni mirë këtë lajm, hapni mirë veshët tuaj dhe zemrat tuaja. Hyji e ka ngjallur Jezusin e Nazaretit: i gjithë krishterimi përmblidhet krejtësisht në këto fjalë. Çfarë duan të thonë ato në realitet?
Ato, në radhë të parë, përshkruajnë një fakt absolutisht unikal, pra të jashtëzakonshëm. Jezu Krishti i kryqëzuar, i vdekur me një vdekje të dhunshme, është varrosur, është si i vulosur në varrin e vet. Çfarë ka ndodhur brenda atij varri? “Dhe ja, ra një tërmet i madh ...”. Dhe rezultati i kësaj ndërhyrjeje: “Ai nuk është këtu. U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë”. Ati, nëpërmjet fuqisë së Shpirtit Shenjt gjallërues, e pushton atë kufomë dhe e mbush me jetën e vet hyjnore: e lind në njerëzimin e tij të lavdëruar dhe tashmë të pashkatërrueshëm. “Ai nuk është këtu”: thotë Engjëlli. Vendi i tij, banesa e tij përfundimtare nuk mund të jetë më varri. Jezusi tani është i gjallë: i gjallë me mishin e eshtrat e veta, por me një trup të shndërruar që i tejkalon kohën dhe hapësirën.
Dhe në të vërtetë gratë e jetuan të parat atë përvojë që ndryshoi gjithë historinë e njerëzimit, gjithë gjendjen e krejt gjithësisë, ato takuan Jezusin. Dëgjoni se çfarë mallëngjimi e çfarë çudie përçon tregimi i këtij takimi: “Dhe ja, u doli Jezusi përpara...”. Pse ky fakt i ndodhur në atë varr e ka ndryshuar krejtësisht gjendjen tonë? Pse të ngrënët dhe të pirët me Të pas ngjalljes së tij prej të vdekurve, e bën të shpërthejë prej gëzimit zemrën njerëzore?
Biri i Njëlindur nuk e kishte konsideruar gjendjen e vet hyjnore si një thesar që duhej ta ruante me xhelozi, por kishte pranuar të bëhej njeri, të ishte krejt i ngjashëm me ne, përveçse në mëkat (Heb 4,15), Vetëm duke e marrë tërësisht dhe me të vërtetë gjendjen tonë njerëzore Jezusi mund ta ndryshonte atë. Dhe ashtu sikurse Adami i parë i kishte përfshirë me veten të gjithë njerëzit (Rom 5,12-21), ashtu edhe Adami i Dytë dhe i Vërtetë, Jezu Krishti, do t'i vishte me gjendjen e vet fitimtare të gjithë njerëzit. Sa gjë e madhe ka ndodhur në atë varr!: “Vdekja dhe jeta u ndeshën në një duel të jashtëzakonshëm. Zoti i jetës vdiq, por tani, i gjallë, ngadhënjen”.
Dhe ne, duke marrë pjesë në vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, do të triumfojmë mbi të keqen e mbi vdekjen dhe do të ngjallemi bashkë me Të. Paçi gëzim dhe paqe!

Arqipeshkvi juaj
Imzot Angelo Massafra............RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.