2012-04-08 18:02:39

Imzot Gjergji: Kisha i kumton shoqërisë Krishtin e Gjallë.


Porosia e Pashkëve drejtuar besimtarëve katolikët e qytetarëve të Kosovës nga ipeshkvi imzot Dodë Gjergji..........RealAudioMP3
“Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit ...Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë”. (Vep. 3, 13b-14a)
Fort të dashur vëllezër e motra, në Krishtin e Ringjallur!
Sikurse natyra për çdo vit përtërihet në pranverë, duke i rimarrë gjitha bukuritë e veta, që Krijuesi ja ka dhuruar nëpërmjet krijim, dhe, nëpërmjet lulëzimit përgatitet për t’ na i dhuruar frytet e veta, gjithashtu edhe Kisha, nëpërmjet festimit të përvjetëshm të Pashkëve, me fuqinë e Shpirtit Shenjt që iu është dhuruar, thellohet në Misterin e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur. Ndërsa, me anë të fesë, arrin t'ia kthejë vetës gëzimin, ta përtërijë shpresën dhe bëhet gati që t’ia ridhurojë botës frytet e veta, që i kryqëzuari dhe i ringjalluri, nëpërmjet saj donë t'ia dhuroj botës dhe gjithë njerëzimit.
Festa e Pashkëve, është ngjarja qendrore e fesë së Krishterë dhe përveç festimit solemn, brenda Kishës për shenjtërimin tonë, në këtë kohë të shenjtë, ne dëshirojmë kremtorishtë të dëshmojmë, para të gjithëve, se:" Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit... para lakmisë dhe mëkatit, është me ne, sepse Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, dhe nëpërmjet ngjalljes së tij të gjithë ne kemi fitua faljen e mëkateve, bijësinë Hyjnore, t' jetuarit e ri plotë gëzim e dashuri dhe jetën e pasosur, për çka ne jemi dëshmitarë. (Krah, Vep. 3, 13-14).
Zoti, Krijues i botës, dhuruesi i jetës, gjyqtar i drejtë dhe i mëshirshëm, asnjëherë dhe në asnjë mënyrë, nuk e ka përdorë fuqinë Hyjnore, për të na nënshtruar nën dëgjesën e Tij me frikë, por, me dashuri të pamasë, është përpjekur të na bind në dëgjesë dhe besnikëri, ndërsa nëpërmjet fesë, të na rikthej dinjitetin e bijve dhe pafajësinë e të drejtëve. Ai, së fundmi, nëpërmjet Krishtit, Birit të Hyjit të gjallë, të sakrifikuar në kryq, pervujtërisht dhe plotë dashuri e ftojë njeriun ta mohojë të keqën dhe mëkatin, ta përqafojë të mirën, të drejtën dhe dashurinë e përkryer, me qëllim që ne, ta rifitojmë natyrën e vërtetë të bijve të Zotit.
Krishti, me forcën e misterit “të Tij të Pashkëve, na liron prej dashurisë së çrregullt për vetveten, që është burim i përbuzjes për të afërmin dhe i sundimit mbi tjetrin”, duke na zbuluar dashurinë e vërtetë, atë dashuri që arrihet me sakrificë dhe me vetëmohim. Në këtë mënyrë, na fton të vihemi në shërbim të tjetrit, deri në vetëdhurim.
I Ringjalluri, jetën njerëzore mbi tokë, Ungjillin Hyjnor të cilin e shpalli, dëshminë e dashurisë nga kryqi, asnjëherë nuk i ka përdorur si denoncim, ankim apo edhe dënim për njeriun, por si një kumt dashurie, si një thirrje për paqe dhe pajtim, si klithmë për kthim, ose, si nxitje për shërim. Këndej, edhe Kisha, në emër të misionit që ka: të jetë në shërbim dhe dobi të njeriut, kur e ngritë zërin kundër padrejtësive dhe vihet në mbrojtjen e të mjerëve, në mbështetjen e skamnorëve e kur thërret për barazi ose qorton me dashuri, nuk e ka për qëllim të denoncoj individ apo grupe, as për t'i vu para ligjit, të padrejtit e shfrytëzuesit e të mirave të tjerëve, por lëshon kumtin ungjillor dhe e thërret shoqërinë, të lirohet nga e keqja dhe të shërohet nga të këqijat, dukuri këto që burojnë nga egoizmi, prej ushtrimit të papërgjegjshëm të detyrave shoqërore, po edhe nga papjekuria politike e ushtruesve të pushteteve dhe e atyre që përgatitën për të marrë këtë privilegj.
Kisha, me gjithë zemër dëshiron t' ia dhuroj shoqërisë vlerat ungjillore, të cilat i ka trashëguar nga Krishti, i Kryqëzuar dhe i Ringjallur, jo vetë si kumt për ta bërë shoqërinë të dëgjoj mbi dashurinë, shpresën dhe lirinë e vërtetë, por, angazhohet të mbjellë këtë farë në zemër të shoqërisë, që si tharmi ta mbrumë të tërën, në mënyrë që këto të mira të lulëzojnë gjithnjë brenda saj dhe njëmend të jenë të pranishme.
Nga dashuria për t'u vu në shërbim dhe dobi të njeriut dhe e vetëdijshme se njeriu është qenie shoqërore, Kisha, doemos është e detyruar “të përfshijë në zellin e vetë misionar” tërë shoqërinë. Në anën tjetër, ajo as që mund të ndahet prej saj, sepse, si bashkësi njerëzore është pjesë e shoqërisë. Brenda një shoqërie, të krishterët duhet të prijnë në angazhim që në të: të mbizotëroj dashuria për njëri-tjetrin, kujdesi vëllazërorë për të mirën e përbashkët, shpërndarja e drejtë e të mirave që disponon toka, shteti e kombi, etj. Po ashtu, duhet të angazhohen, që: të ruhet paqja, pa i cenuar të drejtat e individit, të ecët drejtë zhvillimit, pa i shkelë vlerat morale dhe etike dhe pa e cenuar natyrën e vërtetë të tokës dhe të njeriut. Shoqëria në përgjithësi, dhe të gjitha institucionet e saja, duhet të jenë në shërbim të "përsosjes së personit njerëzorë". Kisha, nga zelli që ka në vetën e saj, për ta dëshmuar Krishtin, dëshiron të prijë në këtë përgjegjësi brenda shoqërisë njerëzore, duke ftuar bijtë e vetë, ata që nuk besojnë ose besojnë ndryshe, që në njeriun të shohin të afërmin dhe ta duan si vetën e tyre. Për ne, dashuria është detyrë, si për të njohurin ashtu edhe për të panjohurin, sepse, në çdo njeri, shohim një të afërt «për të cilin vdiq Krishti» (1 Kor 8, 11; Rom 14, 15).
Nga mësimi i fesë dhe dëshmia e Kishës, e dimë se njeriu "i tunduar prej të Keqit, qysh prej fillimit të historisë abuzoi me lirinë e vetë", po ashtu e dimë se edhe nëpërmjet dëgjesës, është shëruar. Ai, nëpërmjet fesë, gjithnjë ka arrit të dalloj të mirën dhe me liri të plotë, të heqë dorë nga disa të drejta për t'i vu me bujari, të mirat e veta, në dobi të tjerëve. (krh. DSK) .
Mbi gjitha, përgjegjësia për drejtësi, për shpërndarje të barabartë të mirave, në harmoni me nevojën dhe aftësinë e personit, bie mbi shtetin dhe mbi politikën, që me autoritetin e natyrës së vetë disponon me të drejtën, për t'i përdorë dhe për t'i vu në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së individit, dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Sot, ndihemi shumë keq dhe në të vërtetë është për tu shqetësuar, ngase në shtetin tonë të ri, mbizotëron një bindje (apo një fakt) se kemi ndryshua shtetin, por s' kem arritur të ndryshojmë mentalitetin e pushtetit, për të qenë në dobi dhe shërbim të njeriut. Kemi arrit institucionet tona t’i vejmë nën kontroll të njerëzve tanë, mirëpo s'kemi arrit t’i formojmë ata që të shërbejnë në to, me përgjegjshmëri dhe drejtësi, prandaj shumë prej tyre, mundësitë që ju jep pozita, i vejnë në shërbim të vetvetes, të grupit ose të klanit që i takojnë, ndërsa vetëm ajo çka mbetet, vihet në shërbim të gjithëve.
Prandaj, ne, sikur në të kaluarën, ashtu edhe tani, vazhdojmë të dëshmojmë se, një shoqëri e cila dëshiron të mbetët në shërbim të qenies njerëzore e në dobi të kombit, duhet që në të gjitha nivelet e veta, ta ketë synim të mirën e përbashkët, rritjen shpirtërore, kulturore e profesionale të personit, ruajtjen e pasurive të trashëguara dhe zhvillimin permanent të vendit.
Në fund, dëshiroj të shpreh dashurinë e gjithë Kishës në Kosovë, për njerëzit në nevojë dhe duke i përqafuar, me duart e shporruara të Krishtit të kryqëzuar, dëshiroj sadopak t’i ngushëlloj zemrat e pikëlluara nga vuajtja e përditshme, zemrat e dëshpëruara nga pamundësia për t’i marrë të drejtat e garantuara, zemrat e frikësuara nga hakmarrja, zemrat e trishtuara nga mungesa e sigurisë për pronën, familjen dhe jetën. Ju ngushëlloj me klithjen e të ringjallurit:”Mos kini frikë! Unë jam me ju gjithmonë - deri në të sosur të botës!” (Mt 28,10. 20) .
Për shumë mot e me zemër të bardhë Pashkët! Aleluja!
Ipeshkvi i Juaj,
+ Dodë Gjergji







All the contents on this site are copyrighted ©.