2012-04-08 13:51:12

Exultet


Exultet është këngë liturgjike, tipike për Kishën katolike. Këndohet Natën e pagjumë të Pashkëve nga një diakon ose këngëtar. Me të shpallet fitorja e dritës mbi errësirën, simbol i së cilës është qiriu i Pashkës, që ndizet e kumton Ngjalljen e Krishtit, ndërsa këngëtari, duke përkujtuar të gjitha mrekullitë e historisë së shëlbimit, e fton mbarë bashkësinë të ngazëllehet, sepse profecia e misterit të Pashkëve u përmbush: Krishti u ngjall!
Në këndvështrimin stilistik kemi të bëjmë me një preconio, apo, sipas etimologjisë latine të fjalës Praeconium (praeco-onis - kasnec, kumtar, tellall) me një tekst poetik, që sjell një lajm solemn; ose, sipas etimologjisë së encomio, me një lavd solemn.
Njihen një mori variantesh, si tekstuale ashtu edhe muzikore. Sipas dëshmive, Exultet nisi të këndohej që në shekullin IV, ndërsa formën e sotme ia dha, në gjysmën e dytë të shekullit XII, Papa Inoçenci III.
Teksti ka dy pjesë: prologun, që është i njëjtë në të gjitha variantet;
dhe lutjen solemne, që ndryshon sipas traditës romake, ambroziane ose beneventane.
Vetë ‘Exultet’ s’është tjetër, veçse fjala nismëtare e tekstit liturgjik që, duke u lidhur pazgjidhshmërisht me kumtim e madh të Ngjalljes së Krishtit, i fton besimtarët të ngazëllehen për përmbushjen e misterit të Pashkëve,
Në zanafillë, Exultet shkruhej mbi një rrotull pergamene, që diakoni-këngëtar e shrrotullonte nga amvona e, ndërsa tregonte përmbajtjen, besimtarët shikonin miniaturat e pikturuara në pergamenë, me qëllim që edhe ata, të cilët nuk e dinin latinishten, të kuptonin ç’po thoshte diakoni. Exultet merrte, kështu, pamjen e një tregimi modern vizatimor.
Sot, në mbarë botën, gjinden rreth 30 rrotulla, por vetëm 28 prej tyre mund të quhen vërtet Exultet, sepse nisin me këtë fjalë dhe përshkruajnë liturgjinë e hyrjes në Natën e pagjumë të Pashkëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.