2012-04-08 18:05:56

Atë Donat Kurti “Edhe pse vetem... s’jam vetem”.


Po mbrendë n’kësollë fryn fllad prej Qiellet,
Tuj pertrî ndiesi fisnike;
Aty mendja xén e kthillet,
Feja s’bjen n’prita anmike,
Shi n’gurrë t’gjallë, shuen shpirti eten,
S’njef vetmi, t’lum e mban vehten

Ku âsht feja, âsht vetë Zoti,
Qi çdo vrejtje t’kandshme e bân;
N’paqë e n’gëzim kalohet moti
Ligshtí s’ndiehen, hiri t’ mban,
Kû âsht Zoti s’t’lodhë vetmija,
Çdo nevojë e mbush dashtnija.

Sa herë “Át” thrras, duerët tu’i çue
Nalt kah Qiella, ai m’thotë perherë;
“Shka t’bâjn tŷ, m’a kanë bâ mue;
T’ jésh i qetë! Kjo jetë s’ka vlerë.
Prandej n’mue uzdajë ti t’kesh,
Nuk jé vetem, sido t’jesh!”.

Ti, qi ndrydhesh nder idhnime,
E pëson smundje e ké ligshtí,
Kah s’t’ shef syni veç mjerime,
Pa kund shpresë e pa dobí,
N’kjoftë se ti qindron prap në Fé,
Mos t’lëshojë zêmra, vetem s’jé!

Oh, s’jam vetem as n’ket kësollë,
Ndiej se shpirti m’âsht mbushë n’gëzim.
S’kam merzí, e kuptoj hollë,
Pse çdo vuejtje më siellë fitim.
Me durim, nenshtrim e i qetë,
Po i kaloj ditët qi m’kanë mbetë.


Prá kjoftë bâ vullnesa e Tij,
N’smundje e n’flije e n’shka m’mundon!
Bekue kjoftë, por dora e Tij.
Ai, sa të biejë, shpejt e shpejt më çon!
Nuk jam vetem, jo, s’ankoj;
Jam me at’ Zot, qi kurr s’më harroj.

Marrë nga “Zakone e doke shqiptare”, Át Donat Kurti, Botime Françeskane Shqiptare, 2010, fq. 264-265







All the contents on this site are copyrighted ©.