2012-04-07 09:20:35

Atë Federiko Lombardi:
Udha e Kryqit e familjes


Të Premten e Madhe, besimtarët katolikë morën pjesë në Udhën e Kryqit, kremtuar në Koloseum nga Papa Benedikti XVI. Meditimet e këtij viti u shkruan nga një çift bashkëshortësh të Lëvizjes së Fokolarëve. Komenti i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, përqendrohet pikërisht në kuptimin e këtij gjesti e në impenjimin e Kishës për mbrojtjen e familjes:
“Të falenderojmë o Zot për Udhën e Kryqit. Ndër çastet e kremtimet e ndryshme të Javës Shenjte, ndoshta ai që prek më shumë zemrën e popullit është Udha e Kryqit. Nuk duhet të habitemi. Jezusi bëhet i afërt me të gjithë, me gratë e burrat e çdo kohe, në vuajtjen e tyre, qoftë ajo e pafajshme, apo rrjedhojë e mëkatit. E vuajtja është pjesë themelore, nganjëherë mbizotëruese, e përvojës së jetës. Mundësia për ta afruar e për ta bashkuar me atë të Krishtit, është një dhuratë e jashtëzakonshme për të gjithë, mundësia për ta ndërthurur me misterin e shpresës e të ringjalljes, është një dhuratë hyjnore për besimtarët.
Këtë vit, ideja për t’ua besuar meditimet e Udhës së Kryqit me Papën në Koloseum, një çifti bashkëshortësh të moshuar ishte e bukur, gjeniale, e ktheu këtë Udhë në një etapë domethënëse në përgatitjen e takimit të ardhshëm botëror të familjeve në Milano, në fillim të qershorit.
Kisha impenjohet vazhdimisht për mbrojtjen e familjes, në një kohë kur mendësia aktuale priret t’ia ulë vlerën e, madje, ta përqeshë besnikërinë e qëndrueshmërinë e saj. Por duhet ta ndihmojmë, duke i propozuar përshpirtërinë e thellë, që e shoqëron në vështirësitë, jo vetëm materiale e në sëmundje, por edhe në ato – nganjëherë më të thella e më të dhimbshme – që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet bashkëshortëve, me moskuptimet e me ndarjet ndërmjet prindërve e fëmijëve, deri me vetminë e vejnisë. Ta ndihmojmë kë ka pasur guximin të formojë familje të vazhdojë të besojë gjithmonë në forcën e Dashurisë. Prandaj, Udha e Kryqit e familjes, së bashku me Krishtin, drejt Pashkëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.