2012-04-06 08:52:56

Imzot Prennushi: Shtatë fjalët e Krishtit!


Kjani! A s’shifni si i Madhi, Bujari,
Zoti-njeri, i Biri i t’amshuemit,
Madhnue n’ vepra, qi kreu per t’libruemit
E gjithsave qi fshâjshin n’mjerim,
Rrahet, shahet, perbuzet prej t’mrapshtve,
Qi n’drû t’Krygjës kúr kan mârrë me e merthye,
Me mallkime m’tê deshten me shfrye,
Deri at her kúr e pane n’marim.
Vetë natyra, e kputun prej dhimet,
Lshon nji vigem e vajshem ankohet,
E ç’do zêmer prej mnderet pakohet
Per ket kob, qi dorë njerit vetë kreu.
Çka ká shpirti, qi mekshem â prekun?
Po pse ftyra e setcillit nesh teret?
Dridhet toka, lshon deti gjâmë mnderet,
Thue se dita mâ e mramja shpertheu.
Heu! qe çeta e disá t’patenzonve
Buk’rìs së qiellve vrugue i a ká ftyren,
Njat ftyrë shêjte kû s’paten si kqyren
Vetë t’pafajshemt, vetë Êjtë e Tenzot.
Porsi kîji kuer çohet me u premun,
Aj, hyjnori, nuk din me u ankue;
S’flet, por pson pse ká ardhë me librue
Kê gjimote n’ket shekull me lot,
Mosni mâ, ju o mizorë, ju t’pazêmer,
E m’kallxoni si u bâ per dhuní
Njaj qi kupen e qiellve pat shtrî,
Njaj qi hire mí né t’gjith dikoi?
Njaj qi paket, n’Krygjë shêjte merthye,
Lidhi rrfét e pêngoi edhe detin,
Tu’ i vû megje e kufij me gisht t’vetin:
I urdhnoi dritës, edhè drita flakoi.

I. “Fali, o Atë, pse nuk dín shka jânë tuj bâ.”

Fali, fali pse t’mjerët s’jânë tuj dijtun
Se ç’ po kryeht mî mue. Atë, deh! fali;
T’drejtsís s’Ate ti rrfét edhè nali,
Qi mos t’shkrepin mî t’mprapshtin gjytet,
Dhimë, o i mshirshem, per kê âsht tuj shfrye
Mî trup t’emin, mnís s’ate s’i tutet;
Por per ta vetë yt Bír âsht kah t’lutet,
Pezmit t’and âsht Dashtnija ka’ i flet.

II. “Sot ké me kênë me mue n’Parrìz!”

Ndritë prej Fejet, mî drû ku rrin pezull
I flet Krishtit me zêmer t’pendueme
Hajni i mirë, edhè thotë: Si? t’bashkueme
Pafajní edhè faj n’nji ndeshkim?
Ti, i pafaji, dhunisht kjé tradhtue,
Ti, i pafaji, n’krygjë mete merthye!
Po shka u bâne? Pse deshten me shfrye ?
Kje dashtnija; qe i vetmi gabim!
Kur t’jesh kapun nder rrethet e epra,
Kúr ti t’kapesh, o Zot, n’lumnín t’ande,
Me e kqyrë dhimshem ket zêmer deh! t’kande,
Bân qi t’gzojë njaq sa sot â’ kah t’don.
Pshtove, pshtove, i pergjegjet ktij Krishti,
Dit shelbimi per t’gjith kan ague;
Shi n’ditë t’sodit do t’vish ti me gzue
Bashkë me mue njat lumní qi s’maron!

III. “Grue, qe yt bìr…. Qe nâna e jote.”

Derdhun ftyre, mete Zoja brî Krygje,
Veshë me t’zeza, sa thekshem pó kjate:
Nji heshtë zêmren asajë dysh i a date:
Po, ‘i heshtë zêmren vetë Zojës ia pershkoi.
Magdalena edhè Gjoni, pervajshem,
Ishin ndalë e po rrishin brî soje.
A ká nieri si gjên kund fjalë goje
Me diftue shka ato zêmra i zhgjetoi?
Ngrî prej dhimet, ah! Nâna po rrite
Tuj kqyrë t’Vetmin n’Krygjë shêjte tu’ u mekun;
Syt s’i a date, ka’ e shifte tuj dekun
Per njat faj qi mî tê kurr s’randoi.
E kqyrë t’Birin… por paket e fiket;
E kqyrë t’Birin, por zêmra s’i a bán...
Me tê toka, me tê qiella kján:
Marë natyra me Zojen ankoi.
Teri lod’, i thotë Krishti, me t’amel,
Lêne vajin, mos kjáj mâ per mue,
Pse n’duer t’ua, o grue, jam tuj lshue
Nji pêng t’kandshem, qi zêmren fort m’gzoi.
N’ket dishepull, qi aq pata per zêmer,
Mêrr gjith nierzt qi rrugës s’ême do t’ngasin;
Sa herë kta Nânë mî tokë ty do t’thrrasin,
Njitjau doren, prej mkatit ti pshtoi.

IV. “Hy i em, Hy i em, pse m’ lshove doret?”

I madhnueshem, ti, o Atë, Hy i emi,
Birin t’and te hyjnueshmin si e lshove?
Barta njaq sa ti vetë deshte e m’çove,
Por kurr s’hoqa sa hjek n’ket largim.
Pse s’ m’ i ule Ti çetat e qiellve?
Pse m’rrin larg, gati t’ m’ ishesh idhnue?
Pse m’lae vetun, n’duer t’mrapshtve tuj m’lshue,
Qi s’kan t’ngîm e n’mue shfrejn me terbim?

V. “Kam et!”

Njaj qi token hijeshoi me blerime,
Vetë Krijuesi i gjithmarë rrozullimit,
Shkrumue gojet, tu’ u sjellë prej nierzimit,
Flet perdhimshem e thotë: Un kam et!
Fjala e amel mrrîn dér n’vesh t’mizorve;
Ujë e tamth atij i napin me pí,
Por aj etshem ish’ veç per dashtní;
Dote nierzt e ata shfrejshin m’tê prep.
Ká et Krishti per zêmra t’pendueme,
Ká et Krishti per zêmra t’pafaje :
E don t’gjitha n’gjak t’vetin t’i laje:
Per to etshem, sot jeten po e nep.

VI. “U Krye gjithshka…”

Qe, se u shlyene gjith fajet e bâme,
Pûna u krye e sot nieri u shperblye;
I mallkuemi ikë mnishem, pse thye,
E i kercnohet kuejt doret po i del.
Per t’lém mnijet sot nisi prap jeta;
Flîja e ré, Meshtarija e Zotit,
Feja shêjte n’ngallnim n’gjire t’motit;
Ligja e ré, qi dashtnín ka themel.

VII. “Atë, nder duer t’ua po e porosis Shpirtin T’Em”

U krye Flija e mî druen e bekueme,
Tuj ulë kryet i Fuqishmi po shifet,
Edhè gjâma mâ e mramja po i ndihet,
Gjâmë, qi qiellët edhè token pershkon.
Mrekull mshrire! Desht deken me e bartun
Per faj t’ t’bijve, per faj t’gjith nierzimit,
Aj, Hyjnori, Krijuesi i rruz’llimit,
Dekë e jetë qi n’dorë t’veten peshon:
O ju zêmra, qi Krishtin e doni,
Zhgrehnju n’váj, marë natyra t’ankoje:
Nji drû t’vrashtë Aj tuj pasun per shtroje,
N’ Mal t’ Kalvarit des Krishti, des n’Kryq.
T’ veshet bota me t’zí n’shêj trishtimi,
Perse Shêjti, t’na nepte né jeten,
Nuk pritoi me bâ flì gjith vetveten,
Merthye m’kryq Aj per vllazen t’vet diq.
Zot, qi u shkpute prej qiellve edhé erdhe
Me psue njaq sa kurrkushi s’do t’psote,
Na e njit doren n’ket tokë mjerimplote,
Bân qi kurr na mos t’bah’na per dnim.
E kùr dita t’két ardhë me lânë boten,
Fíll kah qiella Ti tuj na drejtue,
Bân qi s’bashkut na t’gjith t’vîmë me gzue
Lumnít t’ua, qi s’njofin marim.

Imzot Vinçenc Prennushi, ("Gjeth e Lule" – fq. 147-151)







All the contents on this site are copyrighted ©.