2012-04-06 08:57:17

Imzot Fan Noli: Krishti me kamçikun


Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
Janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
Tregtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrytojnë,
Thon’ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.

5 Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
Vegjëlia për ta batërdisen e vriten
Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.

Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
10 Na u ngrit gjer në kulm’ dhe u bë kryetar;
Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë
Se mëkat e mallkim kryengritjen kujtojnë.

Çdo i shenjt’ideal, çdo shtëpí Perëndie,
Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
15 Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
Dhe kush nuk plaçkitëte ish krejt budalla.

Kur e pa këtë zi dhe këtë errësirë,
Krisht i ëmbël u ndes dhe u bë i vështirë:
Me kamçik e me fshikull sarafët i dboi
20 Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoi.

Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:
“Ja, tani e ke nisur tamam, o usta!
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto”.

25 “Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin,
Se shpirtrobi s’ çlirohet askurrë pa drurin.”

Jesu Krishti s’dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun,
30 Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin’ e sjell drita e mendjes, jo druri”.

“Merre prap kamçikun, Shën Pjetrit u përgjeq,
Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
35 Përkdhelu kurrizin dhe do të t’besojnë
Vraji, shtypi, dhe shtryldhi, dhe do t’adhurojnë”.

Jesu Krishti s’dëgjoi, dhe s’e mori vesh mikun,
Dhe s’u unj përsëri që ta merrte kamçikun:
Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë
40 Dhe e shempnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.
Fan S. Noli, Vepra 1, Tiranë, 1987, fq. 75







All the contents on this site are copyrighted ©.