2012-04-06 16:01:11

Faqe nga tradita: Pashkët nder Bajrakë të Pukës.


Të Shtunden e Madhe a ndo’i ditë perpara, çojn te Kisha, per me bekue, vetem krypë e ndo’i karabush per farë, si dhe marrin ujë të bekuem. – Diten e Pashkvet të gjith çohen heret, lahen shtetsh, e veshen me teshat mâ të mirat. – I zoti i shpís mandej i bashkon të gjith pjestarët e familjes e falet me setcillin, tuj bâ ket urim: “Me shëndet Pashka e per shum mot!”. Kështû bâjn edhe të tjerët, tuj u falë me shoqisho’in. – Mandej i zoti i shpís tuj vû kambët mbí nji hekur (mashë, um, lopatë etj) bân kryq e han nji kokerr krypë të bekueme, tuj thanë: “Na ndimoftë Pashka e Krishtit!” – Kështû bâjn edhe të gjith tjerët. – Mandej i zoti i shpís merr ujë të bekuem, e bekon me tê robët e ushqimet, qi janë pregatitë qýsh diten para e gjinden të rendueme mbi trevezë: bukë të shtrueme, mish, djathë, voe të zieme e kos. – Mandej del e bekon vathin, bletët, çarranikun e kotecin, tuj thanë: “Paçin baftin e bereqetin!” – Kúr kthen i zoti i shpís mbrendë, ulen të gjith në sofer e njêni bjen me nji lopatë nji copë bûcë dheut me bár në tê (nji copë fang). – I zoti i shpís e merr at bûcë e e siellë tri hersh rreth trevezës, tuj vû persypri pak farë kollomoqit e groshet, mandej e bekon, tuj thanë: “Zoti i dhashtë bereqet tokës e Pashka na ndihmoftë!” Bûca çohet prap n’at vend, prej kah kje marrë, e farët shtîhen nen bûcë. – Mbas këtij veprimi të gëjatë pijn kafe e hán cillë me djathë e me voe.
- Mandej dalin e shetisin nder shokë. – Nja dý orë para mjesditës hán bukë e fill mbrapa shkojn në Kishë per Meshë. Voe, në pergjithsí, nuk ngjýn kush. Në kjoftë se n’at vjetë i ka dekë kúj ndo’i njeri i dhimbshem, shkojn burrat paradite, per me i shëndoshë kryet, ndo’i dashamirë rrin edhe gjith diten per me u bâ shoqní robve t’asaj shpije e per me u hiekë merzín.
Me farë të bekueme të kollomoqit bâjn dorë, por sá të fillojn me e qitë faren n’arë.

Marrë nga “Zakone e doke shqiptare”, Át Donat Kurti, Botime Françeskane Shqiptare, 2010, fq. 204-205







All the contents on this site are copyrighted ©.