2012-04-05 10:44:02

E Enjte e Madhe, dita e parë e Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve.


Fillon sot Treditëshi i Pashkëve i Mundimeve dhe Ngjalljes së Zotit e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit. Emisionin e sotëm ia kushtojmë pikërisht ditës së parë të këtij treditëshi, pra të Enjtes së Madhe të Pashkëve.
Misteret që kremtojmë në ritet liturgjike këtyre tri Ditëve të Shenjta të Pashkëve janë përmbajtja thelbësore, burimi e rrënja e të vërtetave dhe vlerave më të larta të krishtera. Me pak fjalë, kremtimet e Treditëshit të Pashkëve janë thelbi e zemra e tërë fesë sonë të krishterë dhe pika themelore e tërë Vitit të Liturgjisë kishtare, e cila na dëshmon veprën e Shëlbimit dhe të Lavdërimit të përsosur të Hyjit Atë të realizuar plotësisht nga Jezu Krishti, përmes flijimit të jetës vet mbi Kryq dhe Ngjalljes nga vdekja.
Me Misterin e Pashkëve, do të thotë me Mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e tij, Jezu Krishti e ka zhbi e asgjësuar vdekjen duka na çliruar nga robëria e të keqit e mëkatit dhe duke ne ripërtëri jetën.
Kështu pra, sot besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë kremtuan të Enjten e Madhe, ditën e parë të Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve, e saktësisht sot Liturgjia Hyjnore përmes riteve të shenjta të Enjtes së Madhe, në mënyrë të posaçme e në rend të parë përkujton e kremton zanafillën, themelimin e Eukaristisë së Shenjtë, dmth. themelimin e Meshës së Shenjtë, pra të Kungimit të Shenjtë. Eukaristia e Shenjtë është misteri qendror e thelbësor dhe njëherit më i çmueshëm i fesë së krishterë, Sakramenti që në vlerat dhe domethëniet e shumta, është kulmi dhe gurra e jetës së krishterë, e lutjes liturgjike dhe e misionit Kishtar, siç porosit edhe Koncili i II i Vatikanit në mësimet e pasura mbi Eukaristinë.
Po sot të Enjten e Pashkëve, liturgjia paraqitet edhe shembullin e Urdhrit Meshtarak, të themeluar nga Krishti në Darkën e Mbrame, apo Urdhrin e Dashurisë, të simbolizuar personalisht në Jezusin me larjen e këmbëve të Apostujve, të cilin gjest Ai e ripohoi, e shpjegoi dhe dëshmoi deri në fund menjëherë pas Darke në Kopshtin e Ullinjve në Gjetsemani.
Gjithnjë në Meshën e quajtur të Bagmit, kremtuar sot para dite në çdo Kishë-Katedrale, nga Papa në Romë e nga ipeshkvijtë nëpër dioqeza të mbarë botës, së bashku me meshtarë, janë bekuar Vajrat e Shenjtë, që shërbejnë për kremtimin e Sakramenteve të Shenjta gjatë tërë Viti Kishtar.
Kështu, të Enjten e Madhe të Pashkëve, Kisha përkujton Darkën e Mbrame të Jezusit me Apostujt e vet, kremton dhe shpjegon Misteret kryesore të fesë së krishterë.
Kujtojmë edhe një herë se Treditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Krishtit Zot, “kulmi i tërë vitit liturgjik”, që fillon sot me Meshën e Darkës së Krishtit me Apostujt, e gjen thelbin dhe gurrën e vet në Natën e Shenjtë të Pashkëve dhe mbaron me lutjet e Mbrëmësores të Dielën e Ngjalljes.







All the contents on this site are copyrighted ©.