Benedikti XVI në Meshën e Bagmit në Vatikan: duke iu bindur Zotit, mund ta përtërijmë
vërtet Kishën.
Duke iu bindur Krishtit mund të përtërijmë më të vërtetë Kishën: këtë nënvizoi Papa
Benedikti XVI gjatë Meshës të bekimit të Vajrave të Shenjta, kremtuar sot paradite
në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan në ditën e parë të treditëshit të Pashkëve,
të Enjten e Madhe. Papa ripohoi që meshtarët janë të thirrur t’i përmbahen e të përkojnë
me figurën e Zotërisë Jezus, duke hequr dorë nga udha vetjake e realizimit. Në vijim Papa i
inkurajoi besimtarët ta kundërshtojnë analfabetizmin fetare në shoqërinë tonë, e këtë
duke përfituar posaçërisht nga Viti i Fesë. A jemi më të vërtetë njerëz “që veprojnë
duke u nisur nga Zoti dhe në bashkim me Jezu Krishti”?. Këtë pyetje Papa Benedikti
XVI ia drejtoi vetes e priftërinjve gjatë homelisë së Meshës së Bagmit. Në kremtimin
ku, së bashku me bekimin e Vajrave të shenjta, përtërihen premtimet meshtarake, Papa
Ractinger u kërkoi atyre që janë të shuguruar e të përkushtuar Zotit, të heqin dorë
nga ambiciet personale për t’i përngjarë sa më tepër e sa më mirë Krishtit, që “nuk
sundon, por shërben, nuk merr por jep”: “Kërkohet një lidhje e brendshme, madje,
një konformizim me Krishtin, e në këtë përpjekje përkimi lypet të tejkalojmë vetveten,
lypet mohimi i asaj që është vetëm e jona, të heqim dorë nga vetrealizimi aq i lëvduar
e i mbrojtur. Ne na kërkohet, që unë të mos e kërkojë jetën time për vete, por atë
ta vë në dispozicion të një tjetri – në dispozicion të Krishtit”. Është e vërtetë,
pranoi Papa, që sot shtrohet pyetja se si ky përkim e përngjasim “duhet të realizohen
në situata shpesh dramatike të Kishës së sotme”. Ka edhe prej atyre, siç është një
grup i meshtarëve të një Vendi evropian – kujtoi Papa – që ka publikuar një thirrje
kundër dëgjesës, për të “injoruar madje edhe vendimet përfundimtare të Magjisterit”
si për shembull mësimin mbi shugurimin e grave për meshtar: “Po a vërtetë mosbindja
thua është rrugëdalje? Në këtë a mund të perceptohet e të gjendet diçka nga vullneti
e përkimi me Krishtin, që është parakusht për një përtëritje të vërtetë, apo mos ndoshta
është vetëm nxitje e dëshpëruar për të bërë diçka, për ta shndërruar Kishën sipas
dëshirave tona e ideve tona?” Kush propozon këtë kundërshtim të dëgjesës, vëren
Papa, thotë se është i bindur se “duhet ballafaquar ngadalësinë e Institucioneve me
mjete drastike për të hapur rrugë të reja e për ta sjell Kishën në nivelin e duhur
që kërkon e sotmja”. Është e qartë, shtoi Papa, se Krishti ka “korrigjuar traditat
njerëzore që kërcënonin shuarjen e fjalës e nëpërkëmbjen e vullnetit të Zotit”. Mirëpo,
në realitet, tërhoqi vëmendjen, Jezusi e bëri për të “zgjuar sërish bindjen ndaj vullnetit
të vërtetë të Zotit”. Ai “e pat përzemër pikërisht dëgjesën e vërtet ndaj Hyjit, kundër
vullnetit të njeriut”: “Ai e konkretizoi mandatin e vet me bindjen e tij dhe
përvujtërinë deri në Kryq, duke e bërë të besueshëm misionin e vet. Jo i imi, por
vullneti i yt: kjo është fjala që na zbulon të Birim Hyjnor, përvujtërinë e tij së
bashku me hyjninë e tij dhe na tregon udhën që duhet ndjekur”. Atëherë, meshtarët
janë të thirrur të kumtojmë jo “teori e opinione private, por fenë e Kishës” shërbëtorë
të së cilës edhe janë. E atyre që mendojnë se “me konsiderata të tilla, realisht,
mbrohet imobilizmi, ngurtësimi i traditës”, Papa përgjigjet duke treguar përvojën
e lëvizjeve të lindura në epokën pas-konciliare. Një përtëritje që “shpesh ka marr
forma të papritura” e që “gati gati e bënë të prekshëm gjallërinë e pashtershme të
Kishës së Shenjtë, praninë dhe veprën efikase të Shpirtit Shenjt”: “E nëse shikojmë
njerëzit, prej të cilëve kanë buruar e burojnë këta lumenj të freskët të jetës, shohim
faktin se edhe për një fekonditet të ri lypet të jemi të mbushur me gëzimin e fesë,
të jemi të rrënjosur në dëgjesë, lypet dinamika e shpresës dhe forca e dashurisë”. Ndoshta,
shtoi Papa, “figura e Krishtit na duket nga njëherë tepër e lartë e tepër e madhe”.
Mirëpo Zoti e di këtë e “prandaj ka menduar për ‘përshtatje’ më të kapshme e më afër
nesh” sipas rendit të madhësisë. E pastaj Papa kujtoi aradhen e meshtarëve të shenjtë
që “na paraprijnë në udhën e treguar”, nga Polikarpi tek Agostini, nga Gjoni Maria
Vianej tek Karol Wojtila: “Shenjtorët na tregojnë si funksionon përtëritja e
si mund të vihemi në shërbim të saj. E na bëjnë të kuptojmë se Zoti nuk i shikon shifrat
e mëdha e sukseset e jashtme, po fitoren e vet e vë në shenjën e përvujtë të kokrrës
së sinapit”. Në pjesën e fundit të homelisë, Papa u ndal mbi analfabetizmin
fetar që po “përhapen në shoqërinë tonë kaq inteligjente”. Gjërat themelore të fesë
që në të kaluarën qenë njohur dhe të cilat i dinte edhe një fëmijë, tani janë “gjithnjë
më pak të njohura”: “Për ta jetuar e dashur fenë tonë, për të dashur Zotin e
këndej për t’u bërë të aftë Ta dëgjojmë në mënyrë të drejtë, duhet të dimë se çka
na ka thënë Zoti; arsyeja jonë e zemra jonë duhet të preken nga fjala e tij”.