2012-04-04 16:47:29

Në audiencën e përgjithshme, Papa kujton shtegtimin në Meksikë e në Kubë dhe e fton Kishën në misteret e Triditshes së Pashkëve.


Kujtimi i shtegtimit apostolik në Meksikë e Kubë dhe një mendim për Triditshen e Pashkëve, me të cilën, duke nisur që nesër, Kisha hyn në misterin e vdekjes e të ngjalljes së Jezusit. Këto ishin dy temat, që përshkuan katekizmin e Benediktit XVI, në audiencën e sotme të përgjithshme.

Përshkroi shkurtimisht, atë që pa, që jetoi, që ndjeu gjatë shtegtimit të tij në Meksikë e në Kubë Papa, pesë ditë pas kthimit në Romë, kur mbresat janë ende të freskëta, duke i lënë Triditshes së Pashkëve, së cilës zakonisht ia kushton gjithë audiencën e së Mërkurës së Madhe, vetëm minutat e fundit të takimit javor me besimtarët.

Dy vende, dy kontekste të ndryshme, por një mbresë e përbashkët, e thellë e paharrueshme: mbresa që i la Papës feja e vërtetë, përzemërsia e ngrohtë, mikpritja e sinqertë. Duke shkelur në Meksikë e në Kubë, desha, shpjegoi Benedikti XVI, ta rrok simbolikisht gjithë Kontinentin. E kjo edhe ndodhi. Papa e përqafoi fort Kontinentin, por edhe Kontinenti i dha një përqafim tejet të ngrohtë, thellësisht të përzemërt, Benediktit XVI, që nga çasti kur shkeli në Leon të Meksikës:
Në ato duar të shtrira në shenjë përshëndetjeje e përzemërsie, në ato fytyra të gëzuara, në ato britma të hareshme, pashë shpresën e pamposhtur të të krishterëve meksikanë, shpresë, që mbeti e ndezur në zemra, pavarësisht nga çastet e vështira të dhunës, viktimat e së së cilës i kujtova me gjithë shpirt, edhe duke ngushëlluar personalisht disa prej tyre”.
Por, pavarësisht nga këto plagë e madje, duke u frymëzuar nga gëzimi i natyrshëm i popullit meksikan, Ati i Shenjtë kujtoi një dhanti tipike kristiane:
“Dishepujt e Zotit duhet të përhapin rreth vetes gëzimin, që buron nga çdo zemër e krishterë, gëzimin e njeriut, që i përket Kishës. Nga ky gëzim lindin edhe energjitë për t’i shërbyer Krishtit në çaste të vështira, në dhimbje, në vuajtje. Ia kujtova këtë të vërtetë turmës vigane, që u mblodh rreth Eukaristisë të së dielës, në Parkun e Dyqindvjetorit, në Leon. Meksikanët m’u përgjigjen me fe të flaktë e, në besimin e tyre plot bindje në Ungjill, unë pashë edhe një herë shenjat ngushëlluese të shpresës për Kontinetin”.
Një nga arsyet, që e shtyu Benediktin XVI të shkonte në Meksikë, ishte ftesa për të kremtuar, në gjirin e meksikanëve, Dyqindvjetorin e Pavarësisë, festë e përbashkët për mbarë popujt latinoamerikanë. Ndërsa në Kubë, kremtoi me kubanët një tjetër jubile: 400 vjetorin e gjetjes së shtatores së vogël të Virgén della Caridad del Cobre, Pajtore e shumëdashur e ishullit. Tek këmbët e saj, Papa u lut me gjithë zemër për të sotmen e të ardhmen e kubanëve të cilëve - kujtoi:
“U drejtova ftesën ta forcojnë fenë e të kontribuojnë, me guximin e faljes e të mirëkuptimit, në ndërtimin e një shoqërie të re, me porta të hapura, në të cilën të ketë gjithnjë vend për Zotin, sepse kur Zoti dëbohet, bota shndërrohet në një vend të pabanueshëm për njeriun”.
E pikërisht ky pohim i fuqishëm pati jehonë të madhe dhe përgatiti terrenin për etapën e mëpasme, atë të Havanës. Këtu, përballë autoriteteve të vendit, preku qartë një temë, cekur edhe në Meksikë, shumë të dashur për Benediktin XVI: atë të mbrojtjes së lirisë fetare, e cila në Kubë ka bërë hapa të lavdërueshme, por jo përfundimtare, përpara:
Të gjithëve u kujtova se Kuba dhe Bota kanë nevojë për ndryshime, por këto do të realizohen vetëm në se do të pranojnë të vërtetën e plotë mbi njeriun, parakusht i domosdoshëm për sigurimin e lirisë, e në se do të vendosin të mbjellin rreth vetes farën e vëllazërisë, duke e bazuar gjithë jetën mbi Jezu Krishtin. Pohova edhe se Kisha nuk kërkon privilegje. Kërkon vetëm të kumtojë e të kremtojë, edhe publikisht, fenë e vet, duke përhapur në çdo mjedis të shoqërisë, mesazhin e shpresës e të paqes së Ungjillit”.
Si shprehu emocionet, ende të freskëta, të shtegtimit apostolik në udhët e largëta të Kontinentit amerikanolatin, Papa u kujtoi besimtarëve se nesër nis Triditshja e Pashkëve. Me ‘Darkën e Mbrame”, pohoi, troket ‘ora e Jezusit’. E gjithë jeta e tij, nënvizoi, drejtohet kah kjo orë. Një hap buzë humnerës së vdekjes, që pasohet nga hapësira e re e Ringjalljes:
“Jezusi i kapërcen kufijtë e gjendjes njerëzore, shënuar nga mëkati, shemb murin, që e mban njeriun të burgosur, të ndarë nga Zoti e nga jeta e pasosur. Zoti na deshi të gjithëve, deri në fund të fundit, deri në dhurimin e plotë të vetvetes mbi kryq, kur bota u trand nga britma: “Gjithçka u krye”. Lëreni Krishtin të na prekë me dashurinë e Tij, lëreni të na shndërrojë, lëreni të na dhurojë ringjalljen e vërtetë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.