2012-04-04 15:48:09

Kremtimet e Pashkëve në Vatikan nga Benedikti XVI.


Kremtimet e Triditshes së Pashkëve 2012, që do të kryesohen nga Benedikti XVI. Dita e dytë e Javës së Madhe, e Premtja e Madhe.
Të Premten e Madhe, më 6 prill, në orën 17.00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit
e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik.
Sivjet Benedikti XVI ia besoi një çifti bashkëshortësh tekstet e meditimeve për Udhën e Kryqit: quhen Danilo e Ana Maria Xanxuki. Janë nismëtarë të lëvizjes “Familje të reja”, në mjediset e Fokolarëve. Reflektimet do të frymëzohen nga jeta e familjes. Skema e Udhës së Kryqit do të jetë ajo tradicionale, me 14 stacione.

Të Shtunën e Madhe, ndërmjet 7-8 prillit, në orën 21.00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës e do të vijojë me ndezjen e qiriut të Pashkëve e me Exsultet, pasuar nga Mesha Shenjte, e kryesuar nga Benedikti XVI.

Më 8 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10.15, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.







All the contents on this site are copyrighted ©.