Dita kundër minave. Papa: të çlirohet njerëzimi nga këto armë të tmerrshme
Në Ditën Ndërkombëtare të luftës kundër minave antinjeri, në përfundim të audiencës
së përgjithshme, Papa Benedikti XVI u shprehu afërsinë viktimave e familjeve të dëmtuara
prej tyre, kudo në botë. Më pas, thirrja: “I inkurajoj
të gjithë ata, që impenjohen për ta çliruar njerëzimin nga këto armë, të cilat, siç
thoshte i Lumi Gjon Pali II me rastin e hyrjes në fuqi të Konventës për zhdukjen e
tyre, i pengojnë njerëzit të ecin së bashku në shtigjet e jetës, të ecin pa pasur
frikë nga kurthet, që mund t’u ngrejë shkatërrimi e vdekja”. “Minat dhe armët
e mbetura nga luftrat frenojnë zhvillimin e vënë në rrezik jetën”: kështu pohon në
mesazhin për këtë Ditë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun. Të shumta,
shtetet, që kanë ratifikuar Konventën e minave kundër njeriut, nënshkruar në Otavë
të Kanadasë, në vitin 1994. Megjithatë, minat mbeten mjaft të përhapura në të gjithë
globin e bonifikimi i fushave, ku janë “mbjellur”, kërkon një punë të jashtëzakonshme.
Sipas statistikave të vitit 2007, Afrika, Azia, Rusia, por edhe Ekuadori, Peruja,
Kolumbia e Kili janë zonat me më tepër mina kundër njeriut. Të dëgjojmë komentin e
drejtorit të Fushatës italiane kundër minave, Xhuzepe Skiavelo: Na inkurajon
fakti se, tashmë, 159 shtete e kanë ratifikuar Traktatin për eliminimin e minave kundër
njeriut. Mungojnë vetëm 37 vende e sot për sot, tregtia e përdorimi i këtyre minave
pothuaj është ndalur. Por ka akoma mina nën tokë. E ky është problem i madh… Siç
themi shpesh, “minat nuk e dinë se janë ndaluar”. Kur nisi kjo fushatë, mëse 90 vende
kishin problemin e minave kundër njeriut. Sot, ato janë 70 e shumë zona, edhe të këtyre
shteteve, janë bonifikuar. Për çminimin e magazinimin e këtyre armëve është
folur kohët e fundit në Shqipëri, në Bregun e Fildishtë dhe në Republikën Demokratike
të Kongos. Këto ditë është dhënë lajmi se qeveria siriane po vendos mina përgjatë
kufirit si për të mos lejuar ikjen e refugjatëve, ashtu edhe për mbrojtje. Problemi,
pra, mbetet e është i rëndë… Shumë i rëndë. Kufiri me Jordaninë ishte i minuar,
prandaj nuk e dimë nëse kanë vendosur mina të tjera, ndërsa në kufirin me Turqinë
e me Libanin, minat janë vendosur sërish, pasi ishin eliminuar. Fushata ndërkombëtare
për ndalimin e minave kundër njeriut u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të Traktatit
të mbajnë qëndrim të ashpër ndaj sjelljes së Sirisë. Kujtojmë se Siria nuk bën pjesë
në Traktat, por edhe ajo duhet të ketë parasysh se këto armë nuk bëjnë dallime e dhunojnë
të drejtat e njeriut. Cilat janë vendet ku minat kundër njeriut janë më të
pranishme? Janë në të gjitha skenaret e luftës. Afganistani, ku ka madje, edhe
bomba të improvisuara, që shpesh përdoren nga rebelët, është pa dyshim, njëri nga
vendet më problematike përsa u përket minave të pashpërthyera. Kolumbia është një
vend tjetër, ku konfliktet e brendshme me Ushtrinë e Çlirimit Kombëtar, FARC, dhe
me trafikantët e drogës kanë çuar në përdorimin e minave në dëm të popullsisë civile. Minat
kundër njeriut të kujtojnë menjëherë të ashtuquajturat “Cluster bombs”, apo bombat
copëtuese. Janë armë, që kur hidhen, ndahen në mijëra bomba të tjera të vogla… Traktati
për to është më i ri: ka hyrë në fuqi në gusht 2010 dhe e kanë ratifikuar vetëm gjysma
e atyre, që kanë nënshkruar Traktatin për minat kundër njeriut. Por, është e vërtetë
se kemi të bëjmë me një Traktat, që u miratua si pasojë e atij impenjimi. Po përpiqemi
të tregojmë gjithnjë e më tepër se edhe bombat copëtuese shfarosin pa dallim. Shpesh
janë fëmijët viktimat e tyre, apo jo? Absolutisht po. Fëmijët kanë prirjen të
luajnë me çdo objekt me ngjyra të bukura. Për shembull, në Afganistan, kemi pasur
problemin e madh të pakove me ushqime, që hidheshin nga avionët. Ato ishin të verdha,
njëlloj si pjesa më e madhe e bombave copëtuese. Kujtojmë se viktimat janë qindra
mijëra e shpesh mbeten me probleme fizike në vende, që nuk u kushtojnë aspak kujdes,
madje i mënjanojnë, pasi janë peshë e rëndë për familjen e për bashkësinë. Duhet të
punojmë që shtetet nënshkruese të Traktatit të mendojnë konkretisht si t’i ndihmojnë
këto viktima, pasi deri tani, fjalët kanë mbetur veç në letër.