U paraqit DBR 2013 e Rio-de-Zhanéjros. Kardinali Rilko: po studiohet edicioni i parë
në Afrikë.
“Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19). Me këtë titull u paraqit
pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, Dita Botërore e Rinisë 2013, që do të kremtohet
në Rio-de Zhanéjro të Brazilit, ndërmjet 23 e 28 korrikut. Ngjarjen e madhe e paraqiti
kardinali Stanislao Rilko, Kryetar i Këshillit Papnor për Laikët; imzot Orani Joao
Tempesta, kryeipeshkëv i Rio-de-Zhanéjros dhe imzot Eduardo Pinheiro da Silva, kryetar
i Komisionit ipeshkvnor për rininë, pranë Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit. Duke
hapur takimin, imzot Rilko e quajti DBR-së që, pas 26 vjetësh rikthehet në Amerikën
Latine, element i rëndësishëm i punës baritore me rininë, që synon të thellojë fenë
e të rinjve të mbarë botës, duke i përgatitur për mision.“Shkoni e bëni nxënës
të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19)- Titulli i DBR-së flet vetë për objektivin e
dorës së parë, që ipeshkvijtë e Amerikës Latine i kanë venë vetes në Aparesidë, më
2007: misionin kontinental. E nënvizoi kryeipeshkvi i Rios, imzot Orani Joao Tempesta,
që shpjegoi se objektivi i DBR-së është të favorizojë rritjen e të rinjve të botës
në fe, duke i bërë të gatshëm për mision: e kjo, sepse atyre u përket detyra për t’ia
ndryshuar faqen botës, për ta bërë më të mirë: “Besoj se për ne, për
Rio-de-Zhanéjron, do të jetë një mundësi mrekullisht e bukur të kemi mes nesh jo vetëm
Atin e Shenjtë, por edhe të rinjtë e mbarë botës njëherësh. Si krahët e Krishtit Shëlbues
të Korkovados, duam ta hapim zemrën për t’i pritur të gjithë. Kjo ditë për ne është
mrekullisht e bukur, edhe pse na kujton Gjon Palin II, kur u kthye në qiell e, siç
tha kardinali Rilko – pas 25 vjetësh në vitin 2012; e 26, në 2013, Dita Botërore e
Rinisë rikthehet në Amerikën Latine: më parë, në Buenos Aires, tani në Rio-de-Zhanéjro,
vitin e ardhshëm, nga 23 deri më 28 korrik. Në një Amerikë Latine, që sot numëron
44% të katolikëve të botës”. Kardinali Rilko nënvizoi lidhjen e ngushtë
ndërmjet Ditëve të ndryshme botëore të rinisë. Kujtoi fjalët e Benediktit XVI, që
i quajti këto ditë rinore “ujëvarë drite e shprese” për të rinjtë. DBR-nënvizoi kardinali
Rilko, nuk mund të reduktohet vetëm në pesë ditët e takimit: këtyre pesë ditëve i
paraprijnë shumë ditë të tjera, e të tjera akoma, i pasojnë: “Ky shtegtim
sjell vërtet fryte të jashtëzakonshme. Është tronditëse forca tërheqëse, që ushtron
ky Kryq i thjeshtë mbi të rinjtë. Në kremtimet e pritjes së Kryqit, në shumë dioqeza
arrijnë edhe më shumë se 100 mijë të rinj. Mund të themi me plot gojën se DBR-së
e Brazilit tashmë ka filluar, është vënë për udhë”. Puna baritore me rininë
në Brazil do të rritet edhe më shumë falë takimit të korrikut 2013. Për këtë janë
të vetëdijshëm të gjithë ipeshkvijtë e Brazilit, punën e të cilëve e përshkroi imzot
Pinheiro da Silva: “Me këtë ditë, pranuam një sfidë të madhe, por patëm
edhe një dhuratë të madhe nga Zoti, nga Kisha. Një sfidë, sepse Brazili është i madh:
kemi 276 dioqeza, 460 ipeshkvij, 22 mijë meshtarë... Mund ta përfytyroni sa e pakufishme
është sfida e sa vigane, puna që na pret. Veç, po kaq e madhe është edhe mundësia,
që na krijohet”. Në ngjarjen e Rios parashikohet mobilizmi i më se 60 mijë
vullnetarëve. Deri më sot janë paraqitur 17 mijë. Për zgjedhjen e himnit, janë studiuar
180 tekste të paraqitura. Ndërsa stema e DBRsë- tashmë është zgjedhur. Quhet Gustav
Huguenin, 25 vjeçari brazilian, autor i stemës së Ditës Botërore të Rinisë, Rio de
Zhanéjro, 2013. Stema harmonizon ngjyrat braziliane: ngjyrën e blertë, të verdhë,
të kaltër e të bardhë – ndërsa në qendër, ka figurën e Shëlbuesit, karakteristike
për Rio-de-Zhanéjron dhe mbarë Brazilin. Dallohet edhe hija e Pan di Zucchero, mal
i Rio-de- Zhanéjros; e edhe një zemër. Është zemra e rinisë. Pastaj, një kryq i vogël,
që të kujton se qendra e Ditës është vetë Krishti. Autori është nga distrikti i
Rio-de-Zhanéjros. U zgjodh ndërmjet shumë të tjerëve, nga mbarë bota, edhe nga Kina.
Mund ta sodisim në kanalin e internetit . Natyrisht, do të jenë në plan të parë
edhe Facebook e Twiter, network më të përdorur nga të rinjtë, që kanë regjistruar
600 mijë kontakte. Ndërmjet nismave për të ardhmen e DBR-së, i pyetur nga gazetarët,
kardinali Rilko kujtoi edhe mundësinë e realizmit të një takimi të tillë në
Afrikë: “Kemi shumë besim e jemi të vendosur ta vijojmë në këtë rrugë, sepse
Afrika e meriton me të vërtetë. Është kontinent i ri, e tashmë jemi të bindur se ka
ardhur koha për ta organizuar ngjarjen e madhe rinore në këtë Kontinent”.